Kryetarja e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë. Ky fakt del në pah nga vendimi i zbardhur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku renditen të gjitha problemet e saj nga ana pasurore. Një ndër gjetjet e komisionerëve të vetingut është se Irma Balli ka paguar 1.500.000 lekë vetëm për arredimin e shtëpisë, por nuk e justifikon shumën me dokumente ligjore. Po ashtu ajo ka investuar edhe 1.400.000 lekë për të kryer punime brenda apartamentit. Sipas KPK, për këtë investim ka mospërputhje sepse në vitin 2003-2004 kur janë bërë punimet, ish-kryeprokurorja ka rezultuar me bilanc negativ. “Në pyetësorin e parë subjekti ka deklaruar se arredimi i apartamentit është kryer në vitin 2002, pjesërisht i ri, pjesërisht i trashëguar nga apartamenti i mëparshëm, duke deklaruar si vlerë arredimi shumën prej 1.500.000 lekësh. Mbi këtë investim subjekti nuk ka paraqitur asnjë dokument ligjor që justifikon pajisjet e blera dhe vlerën e investuar. Gjithashtu, subjekti ka deklaruar se në vitet 2003 – 2004 ka kryer punime që konsistonin në pajisjen e apartamentit me suva të brendshme, dyer të brendshme, pllaka dyshemeje, parket dhe hidrosanitare banjash, në vlerën prej 1.400.000 lekësh, punime thelbësore këto që një apartament të jetë i banueshëm. Duke marrë shkas nga deklarimet e subjektit, se në vitet 2003-2004 ka qenë duke kryer punime në apartament, Komisioni i ka kërkuar përsëri sqarime subjektit për të saktësuar vitin e saktë të arredimit të shtëpisë. Komisioni kreu analizën financiare, e cila për vitin 2003 rezultoi me një bilanc negativ”, thuhet në vendimin e KPK. Probleme ish-kryetares së Prokurorisë së Apelit të Korçës i janë gjetur edhe me një pikë karburanti në Korçë. Për këtë pasuri Irma Balli ka deklaruar se ka investuar 1.000.000 lekë, të cilat kanë qenë kursimet e saj dhe nga puna e bashkëshortit si emigrant në Greqi. Por sipas vendimit të KPK, ajo nuk arriti të provojë me dokumentacion justifikues ligjshmërinë e krijimit të të ardhurave nga puna në emigracion e bashkëshortit. Po ashtu, KPK ka konstatuar se Irma Balli nuk vërteton pagesën e plotë të detyrimeve tatimore mbi të ardhurat nga qiraja e objektit “pikë karburanti”, sipas kontratave të qirasë dhe të dhënave bankare.