Komisioni i Punës miraton ndryshimet në Kodin Penal: Dënim për këdo që dhunon mjekët, masa për gabimin mjekësor

0
371

Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, në drejtimin e kryetarit, z. Enver Roshi, shqyrtoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, dt. 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Projektligji, nismë e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, u prezantua në komision nga njeri prej deputetëve të grupit nismëtar, znj. Klodiana Spahiu. Deputetja njohu komisionin me qëllimin e projektligjit të sjellë për shqyrtim: parandalimin e çdo forme dhune në shoqëri, ashpërsimin e dënimeve për veprat e dhunës ndaj policëve, ndaj profesionistëve të shëndetit, sportistëve, arbitrave, ndërmjetësve dhe trajnerëve, funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve, apo edhe atyre që shërbejnë në shërbimin publik, dhe adresimin e duhur të çështjeve te dhunës si edhe akte që ngarkojnë me përgjegjësi penale. Deputetja e Partisë Socialiste u ndal te propozimi për dekriminalizimin e gabimit mjekësor, si kërkesë e ardhur nga komisioni dhe grupet e interesit 3-4 vjet më parë. Sipas znj. Spahiu, më parë ky ndryshim në Kod nuk ka qenë i mundur për shkak të mungesës së votave të nevojshme, ndërsa momentin politik të tanishëm e konsideroi të përshtatshëm. “Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë klimën në të cilën profesionistët e shëndetit kryejnë detyrën dhe përmbushin misionin e tyre. Dispozita ekzistuese e Kodit Penal gjatë zbatimit të praktikës gjyqësore ka sjellë gjithnjë e në rritje vështirësi për profesionistët e shëndetit, që të kryejnë detyrat e tyre. Kjo ka sjellë edhe zhvillimin e praktikave të ashtuquajtura ‘mjekësia defensive’”, tha ai. Më tej, zëvendëskryetarja e komisionit, lidhur me ndryshimet në Kodin Penal që prekin veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë, konkretisht me amendimin e nenit 96 të Kodit Penal dhe shtimin e nenit 238.a, vuri në dukje: “Këto dispozita parashikohen të ndryshohen në kontekstin e përmirësimit të dispozitave ekzistuese referuar problematikave të ardhura nga aktorët e fushës. Nisur nga iniciativa për t’u siguruar një mbrojtje të posaçme për të gjithë profesionistët e shëndetësisë, të cilët përballen çdo ditë në punën e tyre me situata të vështira, duke u penguar në ushtrimin e detyrës së profesionit, u mendua shtimi i nenin 238 pika “a”. Nevoja për përmirësimin e këtij rregullimi ligjor prek drejtpërdrejtë mjekët në punën e tyre të përditshme, në mënyrë që disiplinojë ashtu siç duhet përgjegjësitë penale të subjektit që i shkakton”. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here