Kolegji i Apelimit fundos krahun e djathtë të Adriatik Llallës, shkarkohet Rovena Gashi, mbetet në detyrë anëtari i Apelit të Krimeve të Rënda

0
385

Rovena Gashi është zyrtarisht jashtë sistemit të drejtësisë. E shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që në prill të vitit 2018, Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi dje vendimin e KPK. Ishte ish-prokurorja Rovena Gashi ajo e cila iu drejtua KPA për të kërkuar rikthimin në detyrë sepse sipas saj, vendimi i KPK ishte i padrejtë dhe i paracaktuar. Por pavarësisht këmbënguljes së Gashit, KPA e përjashtoi dje për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Rovena Gashi, e cila njihet edhe si krahu i djathtë i Adriatik Llallës sepse gjatë kohës që ky i fundit ishte kryeprokuror, ajo drejtonte Njësinë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ishte prezente në seancën për dhënie vendimi që mbajti KPA. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tha gjatë dhënies së verdiktit se Gashi nuk justifikon pasurinë dhe prandaj nuk mund ta vijojë karrierën e saj si prokurore. Gjatë seancës së mbajtur në KPK, përveç të tjerash, komisionerët e vetingut ngritën dyshime edhe për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit, të paktën sipas faturave të OSHEE, ndërsa prokurorja pretendon se babai i saj është administrator i pallatit. Kujtojmë që seancat dëgjimore në KPA për Rovena Gashin janë shoqëruar me debat dhe polemika të shumta për arsye se ish-prokurorja kërkonte të mbrohej nga e motra e saj, Ema Gashi. Kjo e fundit është gjyqtare në Durrës dhe KPA nuk e lejoi të jetë edhe avokate e së motrës sepse nuk ishte e licencuar. Po ashtu, vlen të theksohet fakti se edhe gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit fundosën Rovena Gashin. Në raportin e ONM sqarohej se Gashi në ankimin e paraqitur kundër vendimit të KPK, ka pretenduar pamundësinë për të qenë e pranishme në seancë. Bashkëlidhur këtij ankimi, subjekti i rivlerësimit kishte vendosur një raport mjekësor për të vërtetuar pretendimin e paraqitur. Por sipas ONM, ajo nuk ka qenë sëmurë, por s’ka dashur të paraqitej në seancë, duke nxjerrë kështu zbuluar Rovena Gashin.

Konfirmohet Dhimitër Lara

Fati i buzëqeshi dje gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Dhimitër Lara. Ndryshe nga Rovena Gashi, e cila u shkarkua nga KPA, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta rikonfirmojë në detyrë Larën, duke e mbajtur kështu pjesë të sistemit të drejtësisë. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe hetimit të thelluar, trupa e KPK deklaroi se Lara është i përshtatshëm për të vijuar detyrën e gjyqtarit. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 27.05.2019 për subjektin e rivlerësimit, z.Dhimitër Lara, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 29.05.2019 me shumicë votash vendosi: Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Dhimitër Lara, gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Pamela Qirko, znj. Firdes Shuli relatore, znj. Etleda Çiftja anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, njoftoi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Për të, nuk u konstatuan probleme as me pasurinë, as me figurën dhe as me aftësitë profesionale. Lara u përball vetëm me ankesa nga qytetarët që e akuzonin se ishte përfshirë në aferë korruptive për gjykimin e çështjes “Hakmarrje për drejtësi”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here