Akademia e Shkencave duket se është e zhytur në skandale. Përveç shkeljeve të publikuara nga gazeta pak ditë më parë, batërdia është zbuluar dhe nga Kontrolli i Latë i Shtetit. Gazeta ka siguruar një raport të KLSH mbi një auditim të zhvilluar për punë e ASH gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016. Në raportin që gazeta po publikon, tregohet se si është bazuar me financat dhe si janë shmangur detyrimet ligjore. KLSH ka hedhur dyshime mbi përfitimin e honorarëve nga anëtarët e akademisë. “Nga auditimi u konstatua se, nga Akademia e Shkencave janë paguar “honorar” për veprat e botuara, apo për punën kërkimore shkencore, përkatësisht për vitin 2014 në shumën 13 milionë lekë dhe për vitin 2015 në shumën 17 milionë lekë. Pagesa është kryer në bazë të tarifave të miratuara me VKM nr. 120, datë 27.01.1997 “Për shpërblimin e autorëve të veprave shkencore, teksteve shkollore dhe materialeve të tjera të dokumentacionit shkollor”, por duke e indeksuar rast pas rasti me 50% të masës së shpërblimit. Ky indeksim që arrin përafërsisht në shumën 4,3 milionë lekë në vitin 2014 dhe 5.6 milionë lekë në vitin 2015, është bërë me iniciativë të vetë institucionit, me miratim rast pas rasti të Titullarit, referuar një korrespondence të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me INSTAT-in, në vitin 2010, por pa pasur ndonjë ndryshim ligjor të tarifave dhe as ndonjë iniciativë ligjore për ndryshimin e tyre”, konstatohet në raportin e KLSH. Më tej në raport theksohet se Akademia e Shkencave ka si prioritet kryesor botimin dhe promovimin e veprave me vlera të veçanta shkencore të akademikëve e studiuesve, brenda e jashtë vendit, si monografi, revista periodike dhe buletine shkencore, të cilat janë pjesë e produkteve të parashikuara në buxhetin vjetor të institucionit e janë realizuar në vlera të konsiderueshme, si dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit në kuptimin e ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, por që aktualisht nuk ka një harmonizim të legjislacionit në drejtim të shpërblimit të autorëve të veprave.
Përdorimi i të ardhurave
KLSH shprehet në raport se nga auditimi i kryer për krijimin dhe përdorimin e të ardhurave për periudhën objekt auditimi rezultoi se, gjatë viteve 2014 dhe 2015, Akademia e Shkencave, ka krijuar të ardhura nga veprimtari ekonomike dytësore në masën 2,061 mijë lekë, si rezultat i
shitjes së botimeve të librave për 1,726 mijë lekë dhe i dhënies me qira të ambienteve për
335 mijë lekë. “Në zbatim të VKM-së nr. 432, datë 28.06.2006, Akademia e Shkencave dhe Ministria e Financave kanë hartuar Udhëzimin e përbashkët nr. 1/1, datë 22.12.2006. Në këtë
udhëzim është përcaktuar që të ardhurat nga veprimtari ekonomike dytësore derdhen 70%
në Buxhetin e Shtetit dhe 30% do t’i mbeten institucionit. U konstatua që të ardhurat nga
veprimtaria dytësore e Akademisë së Shkencave, për periudhën 2014-2015, janë derdhur
totalisht në buxhetin e shtetit, për shkak të pamundësisë së përdorimit brenda vitit nga ana
e Akademisë së Shkencave”, thuhet në raport. KLSH ka kërkuar që të merren masa për të ndryshuar aktet nënligjore dhe përdorimi i të ardhurave të bëhet në përputhje me rregullat dhe standardet e programit buxhetor dhe menaxhimit financiar publik.
Kliti Topalli








































