Kineastët kërkojnë ndryshimin e tarifave për të drejtën e autorit, kërcënojnë me bllokimin e filmave shqip

    0
    377

    Kineastët kërcënojnë me tërheqjen nga qarkullimi të filmave të tyre, nëse Ministria e Kulturës nuk ndërhyn të ndryshojë mënyrën e shpërblimit për të drejtën e autorit. Të gjendur përballë problemeve regjisori Saimir Kumbaro drejtor i Forumit të Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA) shprehet se ata nuk pajtohen me tarifat e Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KKDA) dhe mënyrën se si po vepron sporteli unik SUADA me shpërndarjen e të ardhurave për të drejtën e autorit. Në reagimin e tij regjisori Kumbaro pohon se të gjithë kineastët, që kanë filmat prodhime të para viteve ‘90 kundërshtojnë tarifat që ka vendosur KKDA, që sipas tij ka dalë me një udhëzim të Ministrisë së Kulturës mbi vendimin e ish ministrit të Financave. Kineasti Saimir Kumbaro shprehet se sporteli unik nuk është korrekt me shpërndarjen e të ardhurave. “Ne kundërshtojmë krijimin e sportelit unik për administrimin e të drejtës së autorit (SUADA), i cili nuk është korrekt me ne për shpërndarjen e të ardhurave. Ne si autorë nuk kërkojmë gjë tjetër vetëm hakun tonë, pagesat që bëhen për filmin shqiptar para viteve ’90. SUADA kur vjen puna për të na dhënë pjesën tonë që kemi që nga viti 2003 që e marrim, na ka kthyer tani që një autor kur bëhet ndarja merr më pak se 13 mijë lekë të vjetra në vit, duke mbajtur dhe përqindjet që janë caktuar. Kjo është qesharake është trup”, pohon ai. Më tej drejtori i FMAA vijon se përmes një udhëzimi të ish ministres Kumbaro u krijua KKDA që vendosi tarifat duke dalë dhe mbi ato që kishte miratuar ministri i Financave. “Kur ishte ish ministrja Mirela Kumbaro i dha kompetencë me udhëzim, që KKDA ( këshilli kombëtar i të drejtave të autorit) të caktojë dhe tarifat, ndërkohë që tarifat janë caktuar që kur ishte Arben Ahmetaj ministër i Financave, i cili mori në konsideratë propozimin që ne i bëmë. Ne i bëmë një propozim për rishikimin e tarifave, të cilin ai na e miratoi. Propozimi jonë ishte 6 mijë lekë të reja për film për një shfaqje të tij dhe një riprezë. Pra KKDA është një organizim i ri i krijuar nga 4-5 anëtarë, të cilët morën përsipër të caktojnë dhe tarifat tona gjë që nuk është normale, sepse ne i kemi të caktuara. Nuk ka pse KKDA të marri përsipër gjëra që nuk i takojnë, nuk është mbi Ministrinë e Financave”, vijon regjisori Kumbaro.

     Shqipëria rast unik me filmat

    Regjisori Saimir Kumbaro shprehet se ngërçi që duhet të zgjidhë ministrja Elva Margariti ka nisur disa kohë më parë. “Ish ministrja Kumbaro na ktheu në vitin 1992 kur ekzistonte vetëm një “Albautor” nga Neshat Tozaj, që ishte dhe si sporteli unik sepse i mblidhet paratë dhe ia jepte disa autorëve. Duke qenë se Shqipëria është rast unik dhe bëhet fjalë për filmat e prodhuar para vitit ‘90 ne duam atë që kemi marrë me vite rresht, duke qenë dhe korrekt me shtetin, ne nga kjo shumë 30 përqind ia japim shtetit. Ne si FMAA kërkojmë që të kthehemi në gjendjen e mëparshme, si kemi punuar deri në vitin 2018. Sepse me atë mënyrë është dhe pastërti, edhe transparencë dhe autorët janë të kënaqur” pohon kineasti. Nëse kjo situatë do të vijojë regjisori Saimir Kumbaro pohon se do të kërkojnë, që të mos shfaqen filmat. “Nëse ky problem nuk gjen zgjidhje ne do të shkojmë drejt asaj që të bllokohen filmat e para ‘90. Ne nuk kemi bërë ndonjë veprim gjyqësor, sepse po mendojmë që ministria do ta arsyetojë këtë”, pohon ai. Në këtë rrëmujë institucionale siç janë shprehur dhe më herët kineastët, ata i janë drejtuar dhe përmes një drafti tjetër për tarifat ministres së Kulturës Elva Margariti, por deri tani asnjë përgjigje për ndryshimin që kërkojnë me shpërndarjen e të ardhurave për të drejtën e autorit. “Ne kemi çuar draftprojekt në Ministri të Kulturës, që të zbatohen tarifat sipas ligjit, kjo është kryesore se vetë i firmosin dhe vetë i shkelin. Ne ia kemi çuar draftin si FMAA dhe ka kaluar një muaj e gjysmë që nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, vijon regjisori Saimir Kumbaro, drejtor i FMAA. Sipas drejtorit të FMAA në Shqipëri janë 348 kanale televizive, kombëtarë, lokalë dhe kabllorë.  

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here