Amerikanët ishin në dilemë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Hoxha përzuri diplomatët, por më pas u kërkua bashkëpunimi. Në disa dokumente të deklasifikuara nga DASH, tregohet se si amerikanët ishin skeptikë për regjimin e Hoxhës, ndërsa e akuzonin se e mbante përmes dhunës.
Athinë 28 maj 1949
Ambasadori në Greqi (Grady) për Sekretarin e Shtetit: Unë jam plotësisht dakord me pikëpamjet konstruktive të shprehura në telegramin e departamentit dhe gjithashtu jam në simpati me atë që besoj se janë pikëpamjet greke mbi subjektin. Departamenti ka vënë gishtin në thelbin e problemit dhe Presidenti i ka dhënë një perspektivë të vërtetë duke thënë se nuk nevojiten diskutime apo negociata të veçanta pasi rusët mund të dëshmojnë te grekët dëshirën e tyre për paqe duke ndaluar nxitjen e inkursioneve të guerilasve. Unë besoj se jemi në rrugën e një fitoreje në Greqi dhe vendosja e afateve në këtë pikë vetëm do të rrezikonte fitoren. Duket se Departamenti dhe grekët janë dakord për mënyrën e mbajtjes së bisedave nëse ato arrihet të mbahen. Çështja është nëse bisedat duhet të mbahen apo jo në këtë pikë. Pipinelis ka merita për idenë e tij të kundërvënies ndaj agresionit rus me anë të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe komisioneve kufitare të OKB ose agjencive të tjera ndërkombëtare me rekomandime që veprime të ngjashme të kryhen edhe në vendet satelite. Tsaldaris propozoi që theksi kryesor të vihet ndaj Shqipërisë dhe pika 5 e rekomandimeve është baza e politikës sonë për Greqinë. Nuk duhet të ketë asnjë zbutje të saj derisa Greqia të jetë e sigurt, pasi suksesi ynë në Greqi është faktori bazë për përmirësimin e pozitës tonë përballë komunizmit. Misioni ynë ushtarak do të tërhiqet vetëm kur lufta guerile të ketë ndaluar si pasojë e veprimit efektiv politik dhe ushtarak. Pas tërheqjes së misionit tonë ushtarak, ndihmat ushtarake do të vazhdojnë vetëm si pjesë e politikës së përgjithshme të ndihmave ushtarake ndaj vendeve evropiane. Edhe pas mbarimit të luftës së guerilasve komunistë, Greqia do të vazhdojë të jetë një pikë e dobët dhe e sulmuar prandaj do të kërkojë vëmendje dhe vigjilencë të veçantë nga ana jonë.
Moskë 8 korrik 1949
Komunikimet mes Athinës e Departamentit të Shtetit mbi çështjen greke:
1. Ambasada beson se duhet të jemi të përgatitur të mbrojmë terrenin tonë në lidhje me parimet bazë që kanë drejtuar prej kohësh politikën e SHBA në lidhje me Greqinë dhe të trajtojmë me kujdesin e duhur çdo diskutim informal sovjetik, me ndërgjegjësimin se hapje të tilla prej tyre tentojnë vetëm arritjen e fitoreve të propagandës nga Kremlini.
Në të njëjtën kohë, ambasada është plotësisht në mbështetje të linjës së Sofjes se propozime të tilla sovjetike duhet të kundërshtohen publikisht dhe theks të veçantë mbi kontrastin mes asaj që sovjetikët thonë se duhet bërë në Greqi, dhe situatës aktuale në vendet e tyre satelite.
2. Sugjerimi i Sofjes në lidhje me përdorimin e Greqisë si një bazë për kundër operacione në Bullgari dhe Shqipëri bie në linjën e paragrafit 12 të komunikimit të Departamentit për Moskën ku përmendet mundësia e politikave të tërthorta perëndimore në Ballkan si lufta psikologjike, ndikimi ekonomik dhe aktiviteti politik.
3. Qasja e stilit “lufta me zjarrin” ka rrezik të dobësojë moralin dhe bazën ligjore mbi të cilën ne kemi ngritur çështjen greke në OKB, dhe ndoshta çon në shpërthimin e luftimeve të hapura në Ballkan dhe rrjedhimisht edhe në vende të tjera. Ambasada beson se Sofja është tepër e zellshme për veprim të tillë në zonën e satelitëve. Ndërsa përgatitja e hapur prej nesh për kundër masa nuk do të kishte efektin e dëshiruar të kufizimit të aktivitetit të bllokut armik, por do të shtonte ndihmën sovjetike për guerrilasit grekë në Shqipëri.
4. Konsideratat e mësipërme në opinionin e Ambasadës nuk e eliminojnë mundësinë e shfrytëzimit të pakënaqësisë së brendshme në Shqipëri, e cila së bashku me situatën me Titon në Jugosllavi mund të sjellë një mundësi të hershme për disa kundërmasa të kufizuara nga territori grek.
5. Ne do të sugjeronim shfrytëzimin e mundësive të tilla në Shqipëri të shoqëruara me deklaratat përkatëse greke ku hiqet dorë nga pretendimet territoriale veçanërisht për Epirin e Veriut. Kjo çështje nuk duhet të përdoret më deri pas bisedimeve greke me agjencinë Aleate këtë vjeshtë, me qëllim për të justifikuar kundërmasat tona para opinionit botëror, pasi deri tani marrëveshjet paqësore kanë rezultuar të paefektshme. Ne besojmë se planifikimii kundërmasave në Ballkan duhet të koordinohet nga afër me qasjen tonë ndaj Greqisë.
Memorandum bisede nga zv. drejtori i çështjeve evropiane
M. Menant i cili ishte në vend për disa ditë, gjatë rrugës për te posti i tij i ri në Panama erdhi me kërkesën tonë për të na dhënë një panoramë të situatës aktuale në Shqipëri, ku ka shërbyer deri kohët e fundit si ambasador i Francës. Menant nisi bisedën duke thënë se nuk do të kritikonte vendimin tonë për të larguar misionin nga Shqipëria, por shtoi se do të kishte qenë shumë më mirë për të sikur të kishte pasur në vend dhe mbështetjen e ambasadave të tjera si ajo e SHBA. Ai theksoi rëndësinë e Shqipërisë si nga ana strategjike dhe ajo politike. Ambasadori tha se populli shqiptar shihte me shpresë nga SHBA më shumë se nga çdo vend tjetër dhe se me gjithë përpjekjet antagoniste të regjimit aktual populli ishte shumë më i disponuar ndaj Perëndimit dhe SHBA sesa lindjes sovjetike. Sipas opinionit të tij Shqipëria nuk ishte e aftë për një ekzistencë të pavarur pa ndihmë nga jashtë pasi kjo ka qenë e vërtetë gjatë gjithë historisë së saj. Ai tha se shqiptarët e përçmonin kontrollin jugosllav të çështjeve të tyre prej mënyrave të ashpra dhe brutale që ata përdornin. Megjithëse të paditur dhe pa aftësi, ai tha se shqiptarët janë një komb krenar dhe jugosllavët gjithmonë kishin qenë intolerantë ndaj pikave të tyre të dobëta. Mënyra brutale me të cilën shqiptarët kishin mbështetur bllokun sovjetik kundër Titos tregonte për këtë ndjesi të tyre dhe ka mundësi që ata të kenë vepruar fare pa udhëzime nga Moska. Ambasadori përshkroi situatën aktuale duke thënë për ndryshimin aktual të politikave se “shqiptarët po kalonin nga tigani, brenda zjarrit, dhe se situata e brendshme ishte katastrofë. Njerëzit vuanin nga mungesa të theksuara të mallrave e ushqimeve bazë. Regjimi aktual asnjëherë nuk kishte qenë popullor dhe tani opozicioni përfshin çdokënd që nuk është i përfshirë me regjimin. Ai tha se autoritetet mbahen në pushtet nga policia sekrete,personeli i së cilës gëzonte privilegje personale prandaj kishte vullnet për të mbështetur regjimin. Besnikëria e ushtrisë ishte më shumë në dyshim sesa ajo e policisë sekrete por të dyja këto kontrollohen nga rusët. Kur ai kishte ardhur fillimisht në Shqipëri, ushtria e vendit ishte në gjendje të mjerueshme dhe ushtarët shpeshherë nuk kishin uniforma ose këpucë. Rusia kishte dhënë furnizime për ushtrinë dhe tani ajo drejtohej nga oficerët sovjetikë dhe kishte një pamje më të mirë. Ministri besonte se SHBA kishin rolin kryesor për të luajtur mbi çështjen, por paralajmëroi se duhet të bënin shumë kujdes pasi situata ishte si delikate dhe shumë komplekse. Ai tha se qeveria shqiptare mund të pranojë të vendosë marrëdhëniet diplomatike me shpresën për të marrë ndihma shtoi se besonte se nuk do ta bënin në këtë kohë.
Ai tha se megjithëse ka pasur disa sinjalizime se shqiptarët po mendojnë për diçka të tillë, ne nuk do ta merrnim në konsideratë këtë për momentin prej krizës në kufirin me Greqinë, përveç arsyeve të tjera. Unë e pyeta ambasadorin se cili do të ishte reagimi i popullit shqiptar në rast të vendosjes së marrëdhënieve me SHBA dhe nëse do ta interpretonin ata veprimin si mbështetje për qeverinë aktuale gjë që mund të dëmtonte shpresat e tyre për largimin e saj nga pushteti. Ambasadori u përgjigj se populli shqiptar do të lumturohej në rast të tillë, por pranoi se situata me Greqinë nuk e lejonte për momentin. Sikur të mos ishte çështja e guerilasve komunistë do të ishte e rëndësishme vendosja e marrëdhënieve sipas kushteve të caktuara, të cilat do të na aftësonin të bënim të qartë për popullin se regjimi vendas ishte tërhequr dhe jo qeveria e SHBA. Ambasadori pohoi se kohët e fundit nuk ishte lejuar të udhëtonte nëpër Shqipëri madje i ishte refuzuar leja për të vendosur një kurorë në varrezën ushtarake franceze që nuk është shumë larg Tiranës. Ai tha se arsyeja për këtë ishte asistenca që Shqipëria po i jepte guerilasve komunistë greke, të cilën ambasadori e kishte observuar në një udhëtim të mëparshëm. Ai shtoi se mbikëqyrej vazhdimisht nga anëtarë të qeverisë dhe nuk kishte qenë e mundur që ai të fliste vetëm për vetëm me një anëtar të qeverisë. Megjithëse ai mendonte se nuk do të ishte e mundur ndonjëherë që Perëndimi të punonte bashkarisht me Hoxhën, zv. presidenti i tij rrjedhimisht do ta zëvendësonte dhe ndoshta ishte më pak i kompromentuar duke lejuar negociata me Perëndimin. Në lidhje me Hoxhën ai iu referua një numri njerëzish që ishin akuzuar dhe dënuar si agjentë të perëndimit me akuza të rreme në një praktikë të gjerë të eliminimit të opozicionit. Kur e pyeta për përshtypjet e vërteta të popullit shqiptar për grekët e jugosllavët, ambasadori tha se kjo ndryshonte në varësi të krahinave të vendit. Ai besonte se shumica e njerëzve do ta mirëprisnin ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë e Jugosllavisë pasi e kuptonin se vendi nuk mund të qëndronte në këmbët e veta dhe çdo gjë do të ishte më mirë se situata aktuale. Ai tha se shumica e njerëzve ishin individualistë të ashpër dhe antiqeveritarë. Ambasadori përmendi një udëheqës fisnor që kishte rreth 5,000 luftëtarë, të cilin regjimi e mbante të kënaqur kryesisht me një racion ditor alkooli. Në përgjigje të një tjetër pyetjeje ai tha se shumica e udhëheqësve fisnorë ishin të armatosur. Unë iu referova lajmeve se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kishin kaluar kufirin drejt Jugosllavisë për të kërkuar azil, dhe një nga lajmet thoshte se një fshat i tërë ishte arratisur. Ministri tha se kjo kishte pak gjasa të ndodhte të paktën aktualisht, pasi regjimi ka krijuar një zonë vdekjeje përgjatë zonave kufitare ku ishte shumë e vështirë të kaloje. Në lidhje me çështjen greke ai tha se do të ishte fatale nëse komunistët lejoheshin të rivendoseshin ligjërisht në Greqi. Komunistët grekë kishin një udhëheqje dhe disiplinë të fortë dhe mund të shfrytëzonin shpejt dobësinë e politikanëve grekë për të marrë kontrollin e qeverisë. Në lidhje me Jugosllavinë ai mendonte se ishte e mundur që Tito e Stalini më në fund të arrinin një marrëveshje e cila do të justifikonte në një farë mënyre zënkën e mëparshme. Unë përmenda deklaratat e shumta publike për sherrin mes Jugosllavisë e BRSS, që dëshmonin të kundërtën. Ambasadori pranoi por tha se në çdo situatë ka një formë riafrimi, duke theksuar për këtë se Tito është një marksist i patundur.