Deklaratat e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka pak ditë më parë në Samitin e Sigurisë, kanë alarmuar ambasadën ruse në Tiranë. Ministrja deklaroi se Rusia është kthyer në shqetësim serioz dhe për këtë arsye ka reaguar dje ambasadori Aleksander Karpushin. Fillimisht ai ka bërë një panoramë të situatës. “Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (Rusia, Armenia, Kirgizia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Taxhikistani) gjatë takimit të fundit në qytetin e Bishkekut (Kirgizia) kanë demonstruar që janë të hapur dhe të gatshëm për dialogun me NATO, për bashkëveprimin më bllokun në fushat që paraqesin interes të ndërsjellë. Ata gjithashtu u bënë thirrje vendeve anëtare të NATO-s të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë marrëdhënie partneriteti”, tha ai. Sipas ambasadorit, ata iu drejtuan ministrave të Jashtme të vendeve të NATO-s me propozime konkrete, duke përmendur: Të organizojnë kontakte të drejtpërdrejta midis Sekretarëve të Përgjithshëm të dyja organizatave, si dhe një dialog midis Këshillit të Përhershëm të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut; Të krijojnë një mekanizëm për konsultime të rregullta midis Sekretariatit të CSTO dhe NATO-s për çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe europiane; – Të mbështesin zhvillimin e kontakteve ndërmjet CSTO dhe NATO-s me qëllim krijimin e mekanizmave për parandalimin e incidenteve të rrezikshme ushtarake; Të zhvillohen në baza të rregullta konferenca për shtyp mbi stërvitjet më të rëndësishme të CSTO dhe NATO me qëllim forcimin e besimit. Por ai ka thënë se deklaratat e ministres nuk kanë qenë të duhurat. “Gjithashtu, duke përshëndetur pjesëmarrjen e vendeve anëtare të NATO-s si vëzhgues në aktivitetet e CSTO në luftën kundër trafikut të drogës, ata kanë ftuar Aleancën e Atlantikut të Veriut për bashkëpunim më të ngushtë në këtë fushë. Në këtë sfond fjalimi i Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë në konferencën e paradokohshme, në të cilin ajo ka lëshuar një sërë akuzash të pabaza ndaj Rusisë, tingëlloi në mënyrë asonante. Jemi të mendimit se vendosja e kontakteve të bashkëpunimit normal mes të dy organizatave ushtarako-politike u përgjigjet interesave të forcimit të sigurisë në rajonin euroatlantike dhe në Eurazinë”, ka deklaruar ambasadori.