Në seancën e sotme plenare po shqyrtohet raporti vjetor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Sipas praktikës parlamentare, drejtuesi i institucionit do të raportojë sot në Parlament për veprimtarinë njëvjeçare të institucionit dhe Kuvendi do të miratojë një rezolutë për vlerësimin e veprimtarisë dhe për rekomandimet që ka dhënë për vitin 2019.
Futja e kësaj pike në rendin e ditës vjen pas një debati të gjerë publik ndërmjet Agron Tufës dhe përfaqësuesve të maxhorancës në Parlament, për shkak të raportit që ai kishte paraqitur. Maxhoranca, nga ana e saj, ka bërë disa ndryshime më rezolutën që do të miratojë për ISK-në.
REZOLUTA
Raporti vjetor i ISK-së është prezantuar në Komisionin e Ligjeve rreth një muaj më parë, ku Agron Tufa shpjegoi veprimtarinë e institucionit për vitin 2018 si edhe zbatimi i rekomandimeve të lëna për atë vit. Komisioni i Ligjeve, në një seancë tjetër, mori në shqyrtim rezolutën për Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ku ishte hartuar edhe një rezolutë.
Pas debatit që u bë në atë mbledhje dhe pas vendimit të marrë nga Grupi Parlamentar i PS-së, u vendos që të bëhej një ndryshim në rezolutë. Gazeta “Panorama” sjell ndryshimet e bëra në rezolutë. Debati në atë kohë u bë për shkak të botimeve të bëra nga Instituti, për krimet e bëra nga partizanët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Kësisoj, edhe maxhoranca ka vendosur që të fusë një pikë në rekomandimet për vitin 2019, ku i kërkon që Instituti të mos bëjë interpretime të fakteve historike, por t’u qëndrojë strikt atyre.
“Të qëndrojë strikt në qasjen e institutit drejt studimit, duke shmangur interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike”, thuhet në pikë e shtuar. Krahas kësaj, nga rezoluta e parë është hequr termi “Armik i popullit”. Në një nga rekomandimet që Kuvendi i bënte institutit, theksohej se: “Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë me termin ‘Armik i popullit’ dhe qartësimin e rolit të organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë”.
Kjo pikë që i rekomandonte Institutit të studionte përçarjen e popullsisë është hequr, duke u lënë: “Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë”.
DEBATI
Raporti vjetor i Agron Tufës pritet që të ketë debat në Parlament. Konflikti ndërmjet tij dhe maxhorancës nisi pas qëndrimit që Spartak Braho mbajti në Komisionin e Ligjeve, ku theksoi se Tufa e ka kthyer institutin në seksion të Ballit Kombëtar dhe se do të propozonte shkarkimin e tij.
“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë Luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes”, ka deklaruar Braho gjatë shqyrtimit të rezolutës së parë në Komisionin e Ligjeve.
Agron Tufa, nga ana e tij, e cilësoi këtë si një kërcënim që iu bë atij publikisht. Kësisoj pritet që debati të vijojë edhe ditën e sotme në seancë plenare.
REZOLUTA E KUVENDIT PËR INSTITUTIN PËR STUDIMET E KRIMEVE DHE PASOJAVE TË KOMUNIZMIT
Pikë e shtuar te “Vlerësimi i veprimtarisë” Duke konstatuar nevojën për ndryshime lidhore për miratimin e strukturës dhe organikës së institutit nga Kuvendi, në mbështetje të mbarëvajtjes së punës së institutit;
Pikë e ndryshuar te detyrat e lëna për vitin 2019
Ishte: Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë, me termin “Armik i popullit” dhe qartësimin e rolit të organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë.
Bëhet: Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politikë realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë.
Pikë e shtuar te detyrat e lëna për vitin 2019:
Të qëndrojë strikt në qasjen e institutit drejt studimit, duke shmangur interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike.