Zyrtarizohen listat për zgjedhjet vendore, ja 25 qytetet ku do të ketë garë, Patozi i merr këshilltarët bashkiakë Idrizit

0
534

Zgjedhjet vendore po vijnë, ndërkohë që Partia Socialiste ka zyrtarizuar ditën e djeshme 61 kandidatët e saj që do të garojnë në 30 qershor. Në listën zyrtare që i është dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka prurje të reja, emrat që rikandidojnë për një tjetër mandat në krye të bashkive të vendit dhe emrat me të cilat PS ka vendosur të hyjë në garë duke zëvendësuar krerët aktuale, si në rastin e Durrësit, Elbasanit, Shijakut, Kurbinit, Dibrës, etj. Por Partia Socialiste nuk do të jetë e vetme në këto zgjedhje, pasi do të ketë përballë edhe disa nga partitë të tjera, të cilët gjithashtu kanë dorëzuar listën me kandidatët në KQZ. Në 30 qershor nuk do të jenë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshtaret e PS, por Bindja Demokratike e Astrit Patozit, e cila ka vendosur që të garojë në 25 bashki nga 61 që janë të gjitha. Ndërkohë që, përveç PS dhe BD kandidatë do të ketë edhe Zgjidhja e Koço Kokëdhimës, e cila konkurron me 1 kandidat në Këlcyrë, si dhe 1 kandidat i pavarur në Shijak.

Ja 25 qytetet ku do të ketë garë

Po cilat janë 25 qytetet, ku do të ketë garë dhe emrat që do të sfidojnë kandidatët e PS në zgjedhjet vendore të 30 qershorit? Kështu, referuar listës zyrtarëve që kanë dorëzuar paritë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Bashkinë e Tepelenës Tepelenë, Tërmet Peçi do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa Gëzim Malko nën siglën e Bindjes Demokratike. Në Bashkinë e Gramshit, Klodian Taçe kandidon për socialistët, ndërsa Sabri Ibrahimi për partinë e Patozit. Po ashtu, në Bashkinë Këlcyrë, Klemend Ndoni do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa Shkëlqim Muho nën siglën e Bindjes Demokratike. Gjithashtu, në Bashkinë e Këlcyrës kandidat për zgjedhjet vendore ka edhe Zgjidhja e Koço Kokëdhimës, e cila garon me Hazbi Kasaj. Nga ana tjetër, në Bashkinë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj do të përfaqësojë socialistët në 30 qershor, ndërsa Pjerin Spathari partinë e Patozit. Një tjetër bashki, në të cilën do të ketë garë në zgjedhjet vendore është ajo e Mallakastrës, ku për Partinë Socialiste do të garojë

Qerim Ismaili, ndërsa për Bindjen Demokratike do të garojë Robert Brahaj. Ky i fundit është aktualisht këshilltar në Bashkinë Mallakastër nga PDIU, por është larguar nga partia e Idrizit për t’iu bashkuara partisë së Patozit. Pra, Shpëtim Idrizit nuk po i ikin vetëm deputetë por edhe këshilltarë. Ndërkohë, në Bashkinë Durrës, Valbona Sako kandidon për socialistët, ndërsa Valdona Sakollari për partinë e Patozit. Po ashtu, garë do të ketë edhe në Bashkinë Lezhë, teksa Pjerin Ndreu kandidon për socialistët në 30 qershor, ndërsa Salvador Kaçaj për partinë e Patozit. Ndërkohë që, në Bashkinë Kurbin, Majlinda Cara do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa Edmond Piroli Malko nën siglën e Bindjes Demokratike. Nga ana tjetër, në 30 qershor garë do të ketë edhe në Bashkinë e Beratit, ku Ervin Demo do të përfaqësojë socialistët, ndërsa Pavllo Shkarpa për partinë e Patozit. Një tjetër garë, do të ketë edhe në Bashkinë Skrapar, ku Adriatik Mema do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa Devi Hebibasi nën siglën e Bindjes Demokratike. Po ashtu, në Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj do jetë kandidat i socialistëve për zgjedhjet vendore, ndërsa Arben Skënderi do të jetë kandidat i partisë së Patozit. Ndërkohë, në Bashkinë Vlorë, Dritan Leli do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa Valbona Mezini nën siglën e Bindjes Demokratike. Sakaq, në Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo do të përfaqësojë socialistët në zgjedhjet vendore, ndërsa Leonard Olli do të përfaqësojë partinë e Patozit.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here