Përmbysje e çmendur, Liverpuli eliminon Barcelonën dhe Mesin e shkon në finale

0
459

Liverpuli është finalisti i parë i Ligës së Kampioneve për këtë sezon, pasi bëri një përmbysje të çmendur përballë Barcelonës, duke fituar me rezultatin 4-0. Katalanasit bëjnë të njëjtin gabim sikurse vitin e shkuar me Romën. Edhe pse kishin fituar ndeshjen e parë me Liverpulin 3-0, zhgënjyen në ndeshjen e kthimit, duke pësuar katër gola dhe duke u eliminuar. Meritat i ka skuadra e Jurgen Klopit që bën një prej ndeshjeve më të bukura të vitit dhe më spektakolare e këtij edicioni në UEFA Champions League. Në fakt, gjysmëfinalja e kthimit midis Liverpulit dhe Barcelonës rezultoi të ishte një prej ndeshjeve më spektakolare të luajtura këtë edicion në Ligën e Kampioneve. Liverpuli e nisi ndeshjen si vetëtimë, duke përhapur “zjarr” në çdo cep të fushës dhe duke vënë në pozita të vështira Barcelonën, mbrojtja e së cilës ka prej kohësh që shfaq pasiguri, pavarësisht se në prapavijë operon një nga portierët më të mirë të momentit si Ter Shtegen që ofron siguri dhe tregoi veten në lartësinë e duhur edhe në këtë përballje titanësh. Liverpuli e gjeti shpejt golin, me anë të Orixhit, në minutën e 7-të, pas një gabimi në mbrojtje të katalanasve. Edhe pse Ter Shtegen e ndali vrullin e parë të “Reds”-ave, ishte Orixhi që ndoqi aksionin dhe shënoi, duke ngritur peshë spektatorët në “Anfield Road”. Me kalimin e minutave Barcelona e balancon lojën dhe nis ta kontrollojë atë nga mesfusha, duke shfrytëzuar kualitetin teknik të lojtarëve të saj si Rakitiç, Buskets, Serxhi Roberto apo Vidal, që formonin mesfushën katalanase, ndërkohë që Suarez mbeti rrezik i përhershëm për vendasit. Mesi nis të aplikojë skemat e tij në sulm dhe u shfaq trri herë në pozicion goli, por vetëm në një rast arriti të gjuante por që u devijua nga portieri, në dy rastet e tjera topi përfundon jashtë, kurse në një rast vetëm me portën nuk arin të gjuajë. Nga ana tjetër, Liverpuli pati rastet e tij, kiu Orixhi dhe Mane ishin potencialisht të rrezikshëm, por u mungoi finalizimi. Në pjesën e parë paraqitje të mirë bëri dhe Xherdan Shaqiri, por kosovari gaboi në një moment dhe në atë rast Mesi për pak shënoi golin. Edhe pse Barcelona e dominoi lehtë mbajtjen e topit, në tërësi të dyja skuadrat dhanë spektakël në fushën e lojës. Në pjesën e dytë Liverpuli shpërtheu me dy gola të shpejtë, të shënuar nga i njëjti autor, Vilnajdum, i cili shfrytëzoi gabimet e bëra nga Barcelona në mesfushë. Në të dy rastet Barça humbi topin dhe përfituan anglezët, që sulmuan me forca të shumta, duke përmbysur ndeshjen. Ter Shtegen nuk ka mundësi reagimi, pasi Vilnajdum në rastin e parë (54’) me një të djathtë potente në hyrje të zonës e në rastin e dytë (56’) me goditje ke kokë bënë që Liverpuli të çojë shifrat në 3-0. Kjo përmbysje e çmendur bëri që Mesi të vinte duart në kokë dhe Barcelona të shtangej plotësisht. Entuziazmi i Liverpulit bën efekt, dhe tifozeria luan rol të madh me mbështetjen e saj dhe karikimin që i bën ekipit. Në minutën e 79-të vjen dhe momenti final i takimit. Një goditje këndi shfrytëzohet me skemë nga anglezët, që gjejnë të papërgatitur mbrojtjen blaugrana dhe Arnold pason topin në zonë pranë vijës fatale dhe atje Orixhi e shtyn në rrjetë. 4-0 dhe për Mesin me shokë nuk ka më kohë e as motivim të gjejnë rrjetën. Fiton Liverpuli dhe shkon në finale me meritë, kurse Barcelona dhe Mesi kthehen në shtëpi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here