Shfaroset trupa gjyqësore që i dha pafajësinë presidentit Ilir Meta në vitin 2012, ku u shfaq në një video me bllok në dorë, duke folur për një aferë prej 700 mijë eurosh. Pafajësia e tij solli reagime brenda dhe jashtë vendit, pasi edhe pse ishte një video me zë dhe figurë, u cilësua si e montuar dhe bëri që ish-zv/kryeministri i asaj kohe të dilte i pafajshëm. Por gjyqtarët që i dhanë atij pafajësinë janë sot larg sistemit të drejtësisë, duke çuar një mesazh shumë të qartë për gjykimin e çështjes në fjalë. Trupa gjyqësore që gjykoi Metën përbëhej nga: Ardian Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj. Katër emrat e fundit dolën të gjithë në mbështetje të Ilir Metës, duke dhënë votën për pafajësi, ndërsa Ardian Dvorani doli me mendim paralel, duke kontestuar vendimin në disa pika. Dvorani sot është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe është i vetmi që doli nga linja në rastin e Metës. Por 4 emrat e tjerë e gjejnë sot veten jashtë sistemit të drejtësisë. Gani Dizdari ngeli në veting, Mjalinda Andrea u dënua me 4 vite burgim për korrupsion, por që u konvertua në shërbim prove. Ndërkohë, ditët e fundit dy emrat e mbetur (Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj), kanë vendosur të tërhiqen përfundimisht nga funksioni, duke mos pranuar të futen në veting. Ligji për Gjykatën e Lartë përcakton që anëtarët e saj në momentin që mbarojnë mandatin, duhet që të emërohen gjyqtarë në një prej gjykatave të apelit në vend. Por 5 emra të njohur e kanë refuzuar një gjë të tillë, duke deklaruar se nuk do e ushtrojnë më funksionin e gjyqtarit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor është vendosur që të hiqet statusi i magjistratit për: Aleksandër Muskajn, Andi Çelikun, Guxim Zenelajn, Evelina Qirjakon dhe Arjana Fullanin, pasi që të gjithë kanë refuzuar emërimin në apel. 5 emrat në fjalë kanë ndjekur strategjinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Edhe këtij të fundit i lindte e drejta të emërohej gjyqtar apeli, por e refuzoi dhe më pas i shpëtoi vetingut. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe emrat e mësipërm, të cilët kanë gjykuar dosje shumë të rëndësishme korrupsioni. Por mes emrave janë dhe Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj, gjyqtarët e fundit që dhanë votën pro Ilir Metës në vitin 2012. Që të dy janë trembur nga vetingu dhe kanë dorëzuar detyrën, duke vendosur të qëndrojnë për 15 vite jashtë sistemit të drejtësisë. Largimi i tyre “shkrin” trupën gjyqësore që i dha pafajësinë Metës. Fakti që kemi një anëtar të shkarkuar, një të dënuar dhe dy të tjerë që i tremben vetingut, minon çështjen Meta-Prifti dhe ngre pikëpyetje të forta mbi vendimin përfundimtar.
Frika nga vetingu
Gjykatat që janë dëmtuar më shumë nga procesi i vetingut janë Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë. Kushtetuesja nuk ka asnjë gjyqtar, ndërsa e Larta ka një numër shumë të kufizuar. Kjo tregon se korrupsioni në sistemin tonë të drejtësisë ka arritur majat. Bilanci në Gjykatën e Lartë do të ishte akoma dhe më i madh nëse ajo do ishte me kapacitet të plotë. Në momentin që nisi vetingu, ajo kishte rreth 10 gjyqtarë, pasi gjysma ishin larguar për shkak se u mbaroi mandati. Mes tyre janë dhe 5 emrat e mësipërm. Nëse u referohemi deklarimeve të pasurisë pranë ILDKP, rezulton se anëtarët e Gjykatës së Lartë janë më të pasurit. Rasti i Xhezair Zaganjorit e tregon shumë mirë një gjë të tillë. Por fakti që të gjithë po i shmangen vetingut tregon se janë të trembur. Anëtarët e Gjykatës së Lartë kishin në dorë që të luftonin korrupsionin në Shqipëri, por u bënë palë me të. Rasti i Ilir Metës nuk është i vetmi. Anëtarët e kësaj gjykate shpëtuan Bashën nga afera e rrugës Durrës-Kukës, ata shpëtuan Berishën e Bashën nga vrasjet më 21 janar 2011, duke refuzuar gjykimin. Po ata shpallën të pafajshëm ish-guvernatorin Ardjan Fullani. I vetmi që u dënua prej tyre ishte Sprio Ksera, por dhe ai mori një dënim qesharak. Por si duket të gjithë e dinë se mund të japin llogari për të gjitha skandalet dhe po tentojnë t’i ikin reformës në drejtësi.
Kliti Topalli










































