Presidenti i Republikës, Ilir Meta tregoi dje hapur se nuk e do reformën në drejtësi. Në dy raste, një herë në takimin e paradites me aleatët e PD dhe një herë në një interviste televizive në mbrëmje, Meta nuk i kurseu sulmet ndaj reformës. Pas takimit me partitë e vogla, Presidenca shpërndau një deklaratë për shtyp. Aty bie në sy se presidenti akuzon reformën në drejtësi se është shkaktare për krizën politike. Sipas tij, kjo reformë nuk po zbatohet sipas parimeve kushtetuese. “Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Presidenti Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend. Presidenti Meta thekson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës”, thuhet në deklaratë.
Meta shfajëson opozitën
Dozën e sulmeve kundër reformës në drejtësi dhe mazhorancës Ilir Meta e shtoi gjatë një interviste të dhënë po dje në mbrëmje. Ai deklaroi se ka qenë kundër procesit të vetingut në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa i thuri elozhe punës së kryer nga ky organ, edhe pse thuajse të gjithë anëtarët e saj janë shkarkuar nga vetingu. “Më duhet të theksoj këtu për hir të së vërtetës, por edhe të problemit që është krijuar, që unë kam qenë kundër vetingut për Gjykatën Kushtetuese kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi, dhe kjo ka qenë për arsye, sepse kam pasur shqetësimin që mund të kemi një situatë kur mund të kemi një anëtar, që i ka mbaruar mandati, por qoftë edhe sikur dy-tre anëtarë të mungojnë s’është pak për një trupë kaq të kufizuar e me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese. Edhe për arsye të tjera, sepse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri dhe në tërësi ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Pra, qoftë nga e majta kur ka qenë në opozitë apo qoftë edhe nga e djathta kur ka qenë në opozitë, dhe në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo me interesin publik”, tha Meta. Interesant është fakti se presidenti shfajëson opozitën dhe bën me faj mazhorancën për zbatimin e reformës në drejtësi. Sipas tij, opozita nuk është aspak përgjegjëse për mungesën e Kushtetueses. “Në qoftë se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale e të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri kundër integrimit europian apo ku e di unë se çfarë po bën tjetër. Por duhet të them se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin se Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk dua të them se cilët janë përgjegjësit. Presidenti ka bërë të gjitha përpjekjet, të cilat janë të mirë-dokumentuara, që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës që është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë dhe nuk mund të them se opozita ka ndonjë përgjegjësi për të gjitha problemet e zbatimit të reformës në drejtësi deri tani”, deklaroi Ilir Meta.
Mimoza Ibra






































