Tekniku bardhezi ka kërkuar rritje page dhe nëse i miratohet bëhet trajneri më i paguar në botë. Emrat më të spikatur për mbrojtjen i gjen në Francë
Italia ka vetëm një emër që e dominon futbollin prej tetë vjetësh. Është Juventusi, i cili para pak ditësh siguroi edhe matematikisht titullin kampion në “Scudeto”, pesë javë para fundit të garës. Juventusi nga ana tjetër zhgënjeu përballë Ajaksit, duke u eliminuar në çerekfinale, një eliminim që solli jo pak kritika. Pikërisht Champions është bërë “mollë e ndalueme” për “Zonjën e Vjetër”, e cila synon një revolucion për të arritur qëllimet e saj sezonin tjetër. Në Serinë A vazhdon gara e fortë për arritjen e objektivave, sidomos për zonën Champions, ndërkohë që Juventusi, i shpallur matematikisht kampion i Italisë, ka nisur të planifikojë sezonin e ri, që për bardhezinjtë do të nisë me një objektiv madhor: fitimin e Championsit. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Masimilano Alegri kërkon të rritë cilësinë e organikës bardhezi duke bërë një minirevolucion. Gjatë gjysmës së parë të muajit majit do të zhvillohet një takim mes trajnerit dhe presidentit Andrea Anjeli, ku numrit 1 të klubit do t’i paraqiten në tryeza kërkesat teknike. Alegri do të kërkojë rritje page, për t’u shndërruar në një ndër trajnerët më të paguar në qarkullim (kontrata e tij përfundon në vitin 2020) e pa dyshim do të flitet edhe për fushën e merkatos. Në veçanti, Alegri por mendon të ndryshojë sistemin e lojës, duke u kthyer te moduli 4-3-1-2, me të cilin fitoi titullin e parë kampion me Milanin dhe siguroi finalen e Championsit me Juventusin.
Mund të konsiderohet që rikthim në të ardhmen për Alegrin, që po mendon të përdorë Aron Ramsin në rolin e trekuartistit dhe t’i kërkojë Anjelit një qendërmbrojtës, një anësor (Terzino) të djathtë dhe një mesfushor qendre (mediano). Para mbrojtjes Alegri dëshiron të aktivizojë një mesfushor më fizik se Pjaniç (gjatë verës mund të shitet). Në krye të listës është Tanguj Ndombele i datëlindjes 1996, për të cilin Lioni kërkon 70 milionë euro. Për rolin e mbrojtësit, që duhet të alternohet me Kjelinin, pëlqehen Samuel Umtiti i Barcelonës, Saviç i Atletikos dhe Ruben Dias i Benfikës (portugezët kërkojnë 60 milionë euro). Më i arritshëm Kostas Manolas, që me klauzolën largimi 36 milionë euro mund të ndahet më lehtë nga Roma. Për pozicionin e anësorit të djathtë Alegri po mendon për Sidibe të Monakos, që është i aftë të luajë edhe në të majtë. Për të njëjtin rol pëlqehet edhe Tripier i Totenhemit. Sa u përket largimeve, me ndryshimin e modulit duket i sigurt ndarja me Dagllas Kostën, ndërsa pozicionet e Kuadrados dhe Dibalas mbeten për t’u vlerësuar. Kolumbiani mund të kërkojë rinovimin, pasi kontrata aktuale i përfundon në vitin 2020, ndërsa argjentinasi mund të marrë një fanellë titullari në modulin 4-3-1-2. Mbetet të shihet se çfarë tjetër do të kërkojë trajneri Masimiliano Alegri, por duket qartë se në këtë revolucion ka një dorë edhe Ronaldo, i cili ka kërkuar skuadër për Champions, ndryshe largohet nga Torino.
Adriatik BALLA