Kineastët janë në pritje të krijimit të bordit të ri të filmit për projektet e tyre. Edhe pse Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka funksionuar me dy borde mandati i tyre ka mbaruar që vjet. Por kineastët shprehen se zvarritjet për krijimin e bordit të ri nuk janë në të mirë të projekteve. Tashmë QKK ka një kryetar të ri, i cili ka pak ditë që është në këtë detyrë, por nga ana tjetër kineastët e shikojnë pozitive dhe faktin që në qendrën e filmit të ketë bord me personalitete të huaja. Kineasti Kristaq Mitro shprehet se në takimin që u bë së fundmi në kryeministri u pohua mes të tjerave, që bordi të jetë me personalitete të huaja të filmit. Kjo sipas tij është pozitive edhe pse kërkon që sa më shpejt të nisë puna me bordin në QKK.
“Në atë takim në kryeministri Rama tha një gjë pozitive, dikur kur kam qenë ministër i Kulturës në ligjin e kinemasë shoqatat kishin të drejtë të caktonin nga një anëtar për t’u futur në bord, dhe kjo më duket se është vjetruar tani. Dhe e tha mendimin e tij, që bordi të formohet nga autoritete europiane që merren me kinemanë. Mendim që e ka pasur dhe Kristaq Dhamo dikur. Për mua kjo është pozitive. Unë si kineast jam për këtë nëse bëhet. Bordit i ka mbaruar mandati dhe tani nuk bëhen dot mbledhje për projektet e filmit. Makri aty tha që do të takohemi shumë afër në një mbledhje dhe do të bisedojmë për të gjitha ato që u thanë aty. Bordi i ri sa më shpejt, aq më mirë për projektet, madje për mua është me vonesë”, tregon kineasti Kristaq Mitro. Sipas tij nëse do të ketë ndryshime për zgjedhjen e bordit duhet parë ligji për kinemanë dhe rregulloret e QKK. “Unë mendoj që ne nuk duhet të vazhdojmë më kështu me bordin, por duhet të kemi një strategji tjetër dhe m’u duk ide e drejtë ajo që tha dhe kryeministri. Por ka një ngërç do të vazhdojmë me të vjetrën apo me një strategji të re. Kjo duhet parë nga institucionet. Ju e dini që “Balkan Film Market” ka në bord anëtarë që janë personalitete që janë të huaj, dhe fakti është që aty kishin ardhur skenarët më të mirë të përzgjedhur prej tyre”, shprehet Mitro. Por dhe për kineastin Artur Dauti, i cili është pjesë e filmit të animuar, sa më shpejt të nisë puna me bordin në QKK aq më mirë do të jetë për projektet. “Së pari duhet të përcaktohet se sa borde do ketë në QKK. Do të jetë një bord i përgjithshëm apo dy. Kur kam qenë unë ishte një bord i përgjithshëm me 7 veta. Më pas në pjesën e dytë të mandatit të Butkës ai vendosi të bënte dy borde, një për animacionin. Unë se di çfarë platforme ka Makri, por bordi duhet të jetë. Nëse do të vendoset bordi do të jetë gjë e mbarë për të hyrë kineastët në punë, sepse shumica presin dhe kanë projektet gati”, pohon Dauti. Edhe pse për momentin në QKK bordeve të filmit i ka mbaruar mandati, dhe nuk dihet nëse do të vijohet me dy apo me një bord si dikur, kineastët pohojnë se për kriteret duhet të ketë dhe takime në QKK. “Në parim ne presim që të funksionojë bordi. Sa më shpejt aq më mirë, por më pas kriteret duhet të diskutohen me kineastët, por varet dhe nga platforma e Makrit”, vijon Artur Dauti.
Rritja e buxhetit
Për regjisorin e njohur Emond Budina jo vetëm që në QKK duhet të nisë puna normalisht, por dhe buxheti nga qeveria duhet të rritet për kinemanë në vend. Kërkesë që ai shprehet se ia ka bërë me dije dhe kryeministrit në takimin së fundmi me kineastët. “Bordi duhet të fillojë punë, por më parë duhet të fillojë punë kryetari i QKK, sepse tani ka vetëm pak ditë aty. Unë mendoj që QKK tani duhet të fillojë të marrë normalitetin, me pozitivitet që arritjet që janë bërë deri tani të çohen më tej prej qendrës. Unë në atë takim kërkova buxhetin, gjë që është e domosdoshme për rritjen e cilësisë së kinemasë, të paktën duhet të vijë në nivelet e buxheteve të filmit të rajonit”, pohon Budina. Duke folur për problemet me filmin regjisori Edmond Budina shprehet se rritja e buxhetit të filmit në vend nuk duhet menduar si humbje. “Unë duke qenë financuar tre herë nga Ministria Italiane e Kulturës, kam marrë 1 milion e 360 mijë euro së bashku me Maqedoninë. Ndërsa Shqipëria më ka dhënë afërsisht rreth 300 mijë euro, nga të cilat po të heqim shpenzimet që ka bërë Shqipëria, i bie që 600 mijë euro unë i kam sjellë në Shqipëri direkt në shërbime, punësime, etj. Pra kinemaja përveç ndihmesës kulturore është dhe një biznes në një lloj kuptimi dhe fitimprurës për Shqipërinë. Duke bërë bashkëprodhime ata që vijën xhirojnë këtu natyrisht që investojnë dhe paratë harxhohen këtu”, shprehet kineasti Budina. Në lidhje me bordin e filmit ai shton se nuk ka asgjë të keqe nëse ka personalitete të huaja. “E para Makri tani sa erdhi në QKK, dhe i duhet pak kohë që të nisë punën. Mua nuk me duket ndonjë gjë e keqe të ketë në bord dhe të buaj. Unë jashtë në filmat e mi me të huajt kam konkurruar dhe më kanë vlerësuar skenarin, natyrisht që është mirë që ata mos të bien në këtë baltën shqiptare”, përfundon Edmond Budina.
Nga Julia Vrapi