Partizani do të luajë sot një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kësaj faze, një takim që ose e afron përfundimisht me titullin ose rihap garën për trofeun në këtë fundsezoni. Dueli do të luhet në kryeqytet dhe trajneri Skënder Gega shpreson që “demat” të marrin maksimumin, i bindur se Partizani ka forcë të përballojë çdo rival dhe është në gjendje të fitojë ndaj çdo rivali. Sipas tij, Partizani e ka treguar veten gjatë këtij sezoni vetëm në fushë dhe pikërisht në fushë do ta tregojë potencialin e tij edhe në këto ndeshje të mbetura të edicionit aktual. Nga ana tjetër, do të ketë një duel “demash” Gega-Starova. Duket se deri diku është edhe një përplasje brenda familjes. Trajneri i të kuqve, në konferencën për shtyp para sfidës me kurbinasit hodhi poshtë çdo pretendimet për aleanca si dhe kujtoi se me afrimin e ëndrrës edhe mbështetja e tifozëve do të jetë më e madhe. “Partizani nuk është vetëm i Gegës dhe i Starovës. Në kohë të caktuara mund të jemi në fronte të ndryshme. Komentet e mia kanë qenë të pakta, përveç mbështetjes. E rëndësishme është që është futboll edhe karshi vëllait do të doja të fitoja. S’ka asnjë problem kush është te Laçi, thjesht ndeshja e radhës. S’ka të bëjë trajneri, jemi 2 klube të ndryshme. Jam me fat që jam këtu, kanë qenë ditët më të mira të karrierës sime. Nuk ka përballje personash, thjesht janë 2 ekipe. Do të shihen diferencat, jo rastësisht jemi këtu”, u shpreh që në fillim trajneri i skuadrës së kuqe. Më pas Gega foli për objektivin titull, ku dëshiron që të sigurohet sa më parë. Por ai pranoi se ka edhe presion për këtë.
“Që nga momenti kur dolën të parët e deri më sot jemi pyetur për titullin. Jemi munduar të jemi me këmbë në tokë. Besoj se te çdo futbollist ka një ëndërr të brendshme. Do t’i shikojmë gjërat me radhë. Është ndeshje e vështirë, do t’i marrim masat. Kemi tifozët që janë frymëmarrje për ne dhe mendoj se do të jetë numër i madh nesër, sepse po shkojmë drejt fundit”, shtoi tekniku Gega. Më tej trajneri i skuadrës së kuqe foli për aleancat në kampionat, por t5ha se nuk kishte asnjë provë dhe nuk fajësonte dhe nuk akuzonte askënd. “Nuk kam asnjë argument, asnjë provë që janë bërë aleanca. Siç besoj për veten, besoj edhe për të tjerët. Nuk do të merremi me këto gjëra. Futbolli nuk ka shumë sekrete, ka interpretim. Këta lojtarë janë stërvitur edhe me Starovën, tani i stërvit unë. Barazimi? Nëse vjen, do ta pranojmë. Do të isha i kënaqur me maksimumin. Gojët e liga nuk do të mbyllen as me Gegën e as me ikjen e Gegës. Puna dhe rezultatet do ta tregojnë se kush është në rrugën e duhur. Paragjykimet do të ngelen mbrapa shumë shpejt”, shtoi ai. Në fund Gega komentoi edhe deklaratat e vazhdueshme të Gjicit që vë në dyshim aftësitë e Partizanit për të fituar titullin. Numri një i klubit të Kukësit kishte deklaruar ditë më parë se Partizani është skuadër që nuk meriton më shumë se vendi i katërt në kampionat. “Partizani nuk është as për vend të katërt? Nuk më intereson. Është president i një klubi që ka pasur një 5-vjeçar të mirë, unë jam në futboll, ai është biznesmen, është e drejta e tij. Kur doli Kukësi kampion nuk e di kush i ka marrë gjynahet e Partizanit. S’kam parë asnjëherë Gaz Demin të flasë për ndonjë klub, por i ka mbështetur. Këtu funksionojnë të gjitha levat. Klubet e tjera kanë perceptimet e tjera karshi Partizanit, karshi meje, sulmuesve tanë, mesfushorëve tanë, me syrin që ata e shohin. Është momenti të mos kthehemi mbrapsht dhe të bëjmë rivalitet në konferenca. Fusha e ka treguar, fusha do ta tregojë”, përfundoi trajneri i Partizanit, Skënder Gega. Duket qartë se “demat” janë të mobilizuar në maksimum për të marrë dy fitoret e radhës që e afrojnë përfundimisht me titullin kampion, një trofe që vjen në shtëpia e tifozëve të kuq pas 26 vjetësh.
Adriatik BALLA