Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po kalojnë një moment relativisht të mirë me skuadrat e tyre në kampionate të ndryshme europiane. Natyrisht, vëmendjen kryesore e marrin futbollistët që luajnë në kampionatin italian. Ditët e fundit, vëmendja ka enë tek lojtarët shqiptarë që janë pjesë e Lacios dhe Atalantës në kampionatin elitar italian, pasi këto dy skuadra do të ndeshen në finalen e Kupës së Italisë këtë edicion. Kështu, pas 23 vjetësh Atalanta e sheh veten sërish në finalen e Kupës së Italisë. Skuadra e Gasperini konfirmoi sezonin e shkëlqyer që po zhvillon duke mposhtur 2-1 Fiorentinën në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë dhe duke prekur finalen për herë të 4-t në histori, aty ku në “Olimpico” të Romës ndaj Lacios do të tentojë të fitojë për herë të dytë trofeun. Do të jetë edhe një derbi shqiptarësh finalja e këtij viti në Kupën e Italisë pasi Strakosha do të vendoset përballë Gjimshitit dhe Berishës. Për t’u kthyer te sfida, barazimi 3-3 në ndeshjen e parë nuk kishte demoralizuar aspak, Fiorentinën që e nisi ndeshjen menjëherë me gol me Luis Muriel që mposhti Golinin pas asistit të Çiezës. Por nuk vonoi shumë dhe gjyqtari Kalverese akordoi një 11-metërsh me Iliçiç që mposhti Lafont për të rikthyer baraspeshën.
Në pjesën e dytë në minutën e 69-të argjentinasi Papu Gomez realizoi edhe golin e fitores dhe atë që vulosi kualifikimin e skuadrës së Gasperinit i shërbyer nga Iliçiç. Në fund festa ishte e gjitha për Atalantën dhe tifozët zikaltër të cilët po i gëzohen formës fantastike që po shfaqin Duvan Zapata me shokë në këtë sezon. Fiorentina e Montelës në krahun tjetër humbi edhe mundësinë e vetme që kishte për të luajtur në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Berat Gjimshiti do të luajë për herë të parë në karrierë një ndeshje për një trofe shumë të rëndësishëm, siç është Kupa e Italisë. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është kthyer në titullar te Atalanta dhe po shpërblen besimin e klubit me paraqitje shumë të mira, duke e ndihmuar që të shkojë në finalen e Kupës dhe të jetë në garë për një vend në Champions. Sot, Atalanta dhuroi një tjetër ndeshje të shkëlqyer ndaj Fiorentinës, duke luajtur futboll ofensiv edhe pse shumëkush mund të mendonte se do të mbrohej pasi i mjaftonte një barazim. “Ne luajmë gjithmonë për të fituar ndeshjen, Atalanta është e tillë. Jemi munduar që të shfaqeshim shumë ofensivë në fushë. Kualifikimi është i merituar po të shohim të dy ndeshjet”, tha Gjimshiti pas sfidës. “Historia ime këtu është e bukur, por të gjithë ne lojtarët e bëjmë këtë punë për gjërat e bukura dhe për ato më pak të bukura. Ne luajmë për të fituar diçka. Tani të mendojë për ndeshjen me Udinezen, duhet të japim gjithçka, kemi shumë objektiva përpara. Do të mundohemi të fitojmë, si gjithmonë. Ekipi reagon kur ka besim, shumë herë kemi kthyer ndeshjet. Ne jemi të fortë dhe besojmë. Mund të fitojmë kundër të gjithëve, sot ishte e vështirë por edhe e rëndësishme për ne”, tha ai pas sfidës që çoi skuadrën tij në finalen e Kupës. Ndërkohë, në Zvicër Bazeli ka kaluar në finale të Kupës së Zvicrës, kështu që Taulant Xhaka është pranë një triumfi të madh në karrierën e tij. ai ka fituar më herët edhe titull me Bazelin, kështu që shton trofetë në planin individual. Xhaka është një nga lojtarët bazë të Bazelit. Për kupë lufton edhe Sokol Cikalleshi, me Akhisarsporin në Turqi, ku do të përballet me Gallatasarain. Po për kupë do të luftojë dhe sulmuesi kuqezi Azdren Llullaku me Astrën e tij në Rumani. Po ashtu në Kroaci, Amir Rrahmani është për trofeun e kupës në finalen që Dinamo e tij e Zagrebit do të luajë ndaj Rijekës.
Adriatik BALLA