Galeria Kombëtare e Arteve për artistë të ndryshëm sot është një institucion që po përballet me shumë probleme. Sipas tyre mungon vëmendja për veprat që janë të fondit të GKA. Jo vetëm për veprat që janë brenda në fond, por dhe të tjera vepra në skulpturë që janë në oborrin e pasmë të GKA sipas tyre duhet të trajtohen dhe mirëmbahen për të mos u lënë të shkatërrohen. Në reagimet e tyre ata i drejtohen drejtorit të GKA Erzen Shkololli, që ka dhe vepra pa kujdes dhe mirëmbajtje. Skulptori Mikel Temo thotë se çdo vepër arti duhet mirëmbajtur. “Edhe veprat që janë te oborri i pasëm i GKA janë të fondit dhe nuk duhet që të rrinë në atë gjendje. Ndaj dalim sërish te mirëmbajtja që duhet bërë nga GKA për çdo vepër. Patjetër që GKA duhet të mos ti lërë siç janë aty veprat sot”, pohon skulptori. Për piktorin Adrian Devolli është e lehtë shkatërrimi i veprave të artit që janë realizuar nga autorët shqiptarë, por duket që për institucionet mungon vëmendja. “Ato janë vepra që janë pjesë e historisë dhe duhet të ruhen. Çdo vepër arti duhet ruajtur në maksimum sipas meje. Është kollaj ti shkatërrosh gjërat, por puna është ti ruash, kjo duket e vështirë tek ne. Ato vepra kanë disa vite aty jashtë, edhe nëse nuk hyjnë brenda në GKA nuk duhet të lihen siç janë në atë gjendje. Duhet të gjenden mjete për ti fashuar, rregulluar që mos të dëmtohen nga kushtet e motit. Por çfarë ti kërkojmë ne Shkolollit për veprat, as ka treguar interes për artin” pohon piktori. Por dhe piktori Agim Sulaj shprehet se asnjë vepër arti nuk duhet të lihet sa të degradojë. “Ato vepra në skulpturë janë pjesë e galerisë dhe si të tilla duhet të mbeten. Mirëmbajtja dhe ruajtja e veprave të galerisë është guri themelor i funksionimit të saj. Historia nuk lejohet të hyjë në galerinë kombëtare si seleksionuese regjimesh, veprat po janë të galerisë mbeten pronë e saj”, pohon piktori Agim Sulaj. Ndërsa për skulptorin Maksim Bushi problem janë dhe veprat që nuk ekspozohen nga fondi në skulpturë. “GKA ka fonde, por nuk i ekspozon. Herë pas here GKA duhet rifreskuar, sepse fondi ka vepra që prej vitesh qëndrojnë mbyllur. Skulpturat duhet të lëvizin, sepse dikur i lëviznin dhe tani nuk bëhet më. Aty ka punë dhe autorët duhet të përfaqësohen me dinjitet dhe jo i vë një punë rastësore të një artisti që nuk e përfaqëson atë, madje e fryn dhe kjo nuk është e drejtë”, pohon skulptori. Lidhur me veprat në skulpturë që janë në oborrin e pasëm të GKA skulptori Maksim Bushi shprehet se kjo është një temë që kërkon diskutime. “Për ato vepra që janë jashtë duhen të tjera diskutime, por janë vepra arti. Veprat nuk mbahen për statistikë, ka nevojë që të diskutohet për GKA dhe të bëhen takime me artistët”, pohon skulptori.
Disa gjini arti nuk përfaqësohen fare
Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se disa gjini pothuajse nuk përfaqësohen fare në GKA si grafika, karikatura, pllakati, vizatimi etj. “Ato janë lënë në dorë të drejtuesve të galerisë, ku dikush i mbivlerëson dhe një tjetër i heq fare. Mungesa e një linje kuratoriale të mirëpërcaktuar dhe thuajse shteruese, gjithmonë do të sjellë këtë tollovi pasqyrimi dhe përfaqësimi”, tregon studiuesi. Por sipas tij më keq është e përfaqësuar skulptura. “Pas oborrit të galerisë rrinë për turp të gjymtuar disa skulptura. Po flasim e shkruajmë për art. Një mendësi primitive mund t’i lerë në atë gjendje. Një herë u vendosën nëpër kafaze prej druri dhe një drejtor vlerëson një autor e dikush tjetër një autor tjetër. Vendi rreth e qark galerisë është një hapësirë e mirë paraqitjeje, ku mund të vendosen skulpturat, duke i dhënë tjetër pamje mjedisit”, tregon ai. Sipas studiuesit artet pamore janë bërë për t’u paraqitur e parë dhe jo të “flenë gjumë” në fond. “Fondi ka krijuar një humbëtirë të jashtëzakonshme, nga se nuk është pasuruar më me prurje të reja. Ndonjë blerje tepër e rrallë dhe ndonjë dhurim nuk ka ndikuar fare në pasurimin e tij. Është jo për të ardhur jo keq, por është fyese që edhe kur artistë kanë dhuruar punë galerisë, ajo i mban në fond dhe nuk e ekspozon. Po ç’mund të bëjnë më shumë artistët se sa të dhurojnë?! Nëse galeria është mbrojtësja dhe ruajtja e vlerave në artet pamore si mund të luajë këtë rol kur ka dekada vitesh që as e ndjek zhvillimin e artit pamor shqiptar, duke mohuar fare ata autorë të së kaluarës?”, vijon studiuesi Agim Janina.
Nga Julia Vrapi