Pas më shumë se 9 orësh luftë me flakët, gati 400 forca zjarrëfikëse nga Parisi kanë arritur që të shuajnë plotësisht zjarrin e tmerrshëm në katedralen e Notre Dame. Fatkeqësisht, 2 policë dhe një zjarrfikës u plagosën lehtë. Megjithatë, brigada e zjarrit ka dhënë lajmin e mirë se struktura e gurtë e katedrales është ruajtur si dhe disa nga “veprat kryesore të artit”.
Prokuroria e Parisit ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë shkaqet e zjarrit, që shkrumboi Katedralen e Parisit, një ditë më parë. Siç shkruan CNN, mësohet se janë marrë dëshmitë e disa prej punonjësve të cilët ishin mbrëmjen e kaluar në punë. Një pjesë e Katedrales 850 vjeçare ishte në rinovim dhe paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e ndonjë pakujdesie nga punonjësit.