“Ngrin” dhënia e mandateve, KQZ hedh poshtë të gjitha dorëheqjet e kandidatëve të PD-LSI, do njoftohen të 277 emrat në lista

    0
    399

    Dhënia e mandateve për kandidatët pasardhës në listat e PD dhe LSI duket se po has shumë vështirësi. Ndryshe nga sa ndodhi në fillim, tani numri i deputetëve të rinj që hyjnë në Parlament po bie nga dita në ditë. Gazeta pak ditë më parë tregoi se si mungesa e adresave për disa prej kandidatëve ka sjellë shumë vonesa. Por duket se është dhe një tjetër element që po krijon vonesa të shumta në dhënien e mandateve. Gazeta ka mësuar nga KQZ se dorëheqjet që kanë dhënë shumë prej kandidatëve, nuk merren parasysh. Nëse kthehemi në kohë, pas protestës që ndodhi te Parlamenti, Basha e drejtoi turmën pranë KQZ dhe aty Sekretarët e Përgjithshëm të PD e LSI, Gazmend Bardhi e Endrit Braimllari, dorëzuan dorëheqjet për qindra kandidatë. Por këto dorëheqje janë quajtur nul, me argumentin se emrat në fjalë nuk e kishin marrë mandatin dhe asnjë akt i tillë s’ka vlerë. Për këtë arsye, të 277 kandidatët pasardhës në listat e PD dhe LSI po njoftohen dhe do të njoftohen për të marrë mandatin dhe nëse ata nuk dorëzojnë formularin e dekriminalizimit, atëherë mund të quhet se kanë refuzuar kërkesën. Por një gjë e tillë duket se do të krijojë mjaft vonesa, për faktin se ka emra që nuk e duan mandatin dhe sërish do të njoftohen. Një zyrtar pranë KQZ i tha gazetës se ligji e përcakton qartë se për çdo vend vakant duhet thirrur kandidati pasardhës dhe më pas nëse ai nuk paraqet formularin e dekriminalizimit, KQZ merr vendim për moszgjedhshmërinë e tij. Në fakt kështu po ndodh. KQZ mblidhet sot dhe do miratojë vendime për moszgjedhshmërinë e kandidatëve dhe nuk do ketë asnjë emër të ri. Kjo procedurë që po ndiqet po sjell shumë vonesa, ndërkohë që ka emra të tjerë që janë shprehur publikisht që i pranojnë mandatet. Por të gjithë duhet të presin derisa të shterojnë të 150 kandidatët e PD dhe të 127 të LSI. Nga një verifikim në faqen zyrtare të KQZ, deri tani është marrë vendim për moszgjedhshmërinë e kandidatëve për 52 emra, që do të thotë se janë në listë dhe 225 emra të tjerë. Kjo jep sinjale se procesi i zëvendësimit të mandateve në KQZ do hajë më shumë kohë se sa pritej.

    Pasojat e lëvizjes së KQZ

    Zgjatja në kohë e procedurave të KQZ ka ngritur shumë pikëpyetje dhe aludime. Gjëja e parë është nëse kjo është një strategji me qëllim që PD e PS të gjejnë gjuhën e përbashkët. Ka shumë nga ata që pretendojnë se Rama-Basha e kanë arritur një marrëveshje dhe zgjatja e procedurave për mandatet po bëhet qëllimisht. Një element tjetër është se me këtë strategji që po ndjek KQZ, mund të rëndojë më shumë pozitat e PD e LSI. Mund të ndodhë që ka emra që kanë dorëzuar dorëheqjen, por janë penduar dhe KQZ u jep mundësinë që të futen në Parlament. Skenari tjetër për të cilin akuzon opozita është se kjo po ndodh me qëllim që të mbahet në ligjshmëri Parlamenti. Kryemadhi e Basha kanë thënë se Parlamenti duhet të ketë 140 deputetë dhe nëse ky numër nuk plotësohet, atëherë ai duhet të shpërndahet. Por për sa kohë procedurat për kalimin e mandateve vijojnë, Parlamenti është në rregull. Gazeta ka pyetur pranë KQZ dhe sipas këtij institucioni nuk ka asnjë prapaskenë, pasi po ndiqet vetëm ligji. Megjithatë, çdo ditë po jepen sinjale se vendet vakante do plotësohen, qoftë tani, qoftë disa muaj më vonë. Kjo ka vënë në alarm PD e LSI, pasi po krijohet një opozitë e re.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here