Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve, e mbledhur dje me urdhër të kryeprokurores Arta Marku për të zëvendësuar Antoneta Sevdarin, u shoqërua me debate të forta. Protagonistë u bënë vetë Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku dhe prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj. Malaj, si përfaqësues i 1/10 së prokurorëve, propozoi ndryshim të rregullores dhe kërkoi që të shtohet “kandidati quhet fitues nëse merr 50 plus një”.
“Të nderuar kolegë ne e dimë se zgjedhja duhet bërë mes disa kandidaturash. Ne jemi këtu për një proces që ka të bëjë me përzgjedhjen e një anëtari jo të paracaktuar. Ju e dini mirë që nga fjalori shqip-shqip, termi përzgjedhje do të thotë të zgjedhësh midis 2,3,5,7 kandidaturave ose të japësh pëlqimin për një kandidaturë që votohet apo nuk votohet. Ky është një parim kushtetues. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme thotë me frymën e ligjit. Me kë fryme ligji? Unë çmoj që ta hedhim atë propozimin në votë pasi Asambleja vendos. Këtu është trupa e prokurorëve ajo që ka fatin në dorë të zgjedhjeve dhe fatin në dorë të prokurorisë”, tha Sokol Malaj.
Por ky propozim hasi në kundërshtinë e Markut, e cila deklaroi se fleta e votimit nuk mund të ndryshohet më. “Konstatohet se ka kërkesë për ndryshim tip të fletës së votimit. Kjo flete votimi nuk mund të ndryshohet. Fleta e votimit ka vetëm një emër deri tani, gara ka qenë e hapur dhe mund të kishit kandiduar. Propozimi është i ligjshëm, por ne kemi një praktikë te konsoliduar nga votimi i mëparshëm. Mendoj qe mund të vazhdojmë me rendin e ditës, ankimi mund të behet brenda afateve. Nuk lejohen replikat”, deklaroi Arta Marku. Pas disa kundërshtive, kryeprokurorja ia bëri të qartë prokurorit të Tiranës se mbledhja drejtohej nga ajo dhe se kush ka kundërshti mbi procedurat është i lirë të mos marrë pjesë. “Do vazhdojmë me rendin e ditës, kush nuk do të marri pjesë të largohet dhe pastaj bëhen ankimet ne Gjykatën Administrative të Apelit”, u shpreh kryeprokurorja. Pas përfundimit të debatit mes Malajt dhe Markut, mbledhja vijoi me votimin e Vatë Stakës. Staka tani do të zërë vendin e Antoneta Sevdarit, e cila u shkarkuar pak ditë më parë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik.