SHBA e prerë: Zyrtarët e korruptuar do paguajnë çmimin që meritojnë, ditët e marrëveshjeve të pista në emër të drejtësisë po përfundojnë

0
439

Qëndrimi i fundit i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë nuk lë vend për hamendësime për vendosmërinë e tyre për të ndëshkuar çdo të korruptuar. Zyrtarët amerikanë të deleguar këtu për të futur në shina sistemin e drejtësisë shqiptare janë treguar gjithmonë mjaft të ashpër në deklaratat e tyre për zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Por zëvendësambasadori amerikan, Daniel Koski u tregua i prerë dje me deklaratën e dhënë dje. Duke folur në një takim të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Koski paralajmëroi të gjithë pushtetarët e përfshirë në afera se ditët e tyre së shpejti do të përfundojnë. Sipas tij, çdo i korruptuar do të paguajë çmimin që meriton me reformën në drejtësi. “Një sistem i ndershëm dhe funksional do të sigurojë që zyrtarët e korruptuar ose do të mendojnë dy herë ose do të paguajnë çmimin që kërkojnë ryshfet. Korrupsioni në porte dhe pikat e kontrollit kufitar është një nga faktorët më problematikë për investitorët dhe tregtinë ndërkombëtare si dhe një problem që u përmend në indeksin e biznesit të Dhomës Amerikane të këtij viti. Nëse zyrtarët e korruptuar të doganave nuk do të bëjnë punën e tyre një sistem ligjor i reformuar do t’i largojë ata për të krijuar hapësirë për njerëz me reputacion që bëjnë punën”, tha Daniel Koski.

Rinovimi i drejtësisë

Zyrtari i SHBA nënvizoi se marrëveshjet e pista në kurriz të drejtësisë nuk do të tolerohen më. Zëvendësambasadori amerikan deklaroi se ditë të këqija po afrojnë edhe për të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që duke u korruptuar kanë lejuar të ndodhin afera e të shkelet ligji në mënyrë flagrante. “Një gjyqësor etik dhe i ndershëm do të sigurojë që prokurorë dhe gjyqtarë te korruptuar më në fund të mbajnë përgjegjësi. Ditët e marrëveshjeve të pista dhe drejtësisë së mohuar janë duke përfunduar. Një sistem i drejtësisë penale që është i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar do të sigurojë besim tek bizneset e ligjshme që interesat e tyre do të mbrohen”, u shpreh Koski. Kjo deklaratë e fortë tregon fare qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për të çuar deri në fund reformën në drejtësi të ndërmarrë nga Shqipëria. Zyrtarët amerikanë njëri pas tjetrit po paralajmërojnë fillimin e një epoke të re, ku pushtetarët e korruptuar nuk janë më të paprekshëm, por ndëshkohen për zullumet e tyre. Kujtojmë që ishte zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ai i cili pak ditë më parë nga Tirana deklaroi se të gjithë të korruptuarit duhet të kenë frikë nga reforma në drejtësi sepse SHBA do të bëjë çmos që ata të paguajnë çmim që meritojnë.

Drejtësia e reformuar mbron të drejtat e pronës

Zëvendësambasadori i SHBA, Daniel Koski u kujdes dje të theksonte edhe të gjitha të mirat që sjell një drejtësi e reformuar. Sipas tij, me një gjyqësor të drejtë dhe të pavarur përmirësohet klima e investimeve dhe shmangen ryshfetet. “Një sistem gjyqësor i reformuar do të zbatojë shenjtërinë e kontratës. Investitorët e huaj dhe vendas kërkojnë siguri se kontratat do të respektohen dhe do të zbatohen. Një sistem ligjor i drejtë dhe i pavarur do të nxisë bizneset të kërkojnë regjistrim zyrtar dhe do të pengojë aktorët e pandershëm të paguajnë ryshfet për të shmangur detyrimet e tyre tatimore. Investitorët e respektuar përpiqen të vazhdojnë në përputhje me ligjin dhe të paguajnë taksat e tyre megjithatë pronaret e bizneseve janë ankuar se shumë nga konkurrentët e tyre të huaj edhe vendas, përfshirë shumë kompani që veprojnë jozyrtarisht në Shqipëri, nuk paguajnë taksa”, tha Koski. Për të, drejtësia e pavarur mbron gjithashtu edhe të drejtat e pronës së patundshme. Ai u shpreh se së shpejti do të përfundojnë të gjitha procedurat korruptive. “Një gjyqësor i drejtë dhe i pavarur do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronës së patundshme. Kjo praktikë nën rrogoz të vjedhjes së pronës së njerëzve të thjeshtë do të ndalet së shpejti”, deklaroi Daniel Koski.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here