Pas Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar edhe tre parti të tjera.
Sipas njoftimit të KQZ mësohet se janë regjistruar si objekt zgjedhor për zgjedhjet që do të mbahen më 30 qershor: ”Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet’’, “Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar” dhe “Partia Ora e Shqipërisë’’.
Mirëpo, këto parti janë pjesë e koalicionit të djathtë. Kështu, ndonëse opozita e bashkuar ka dalë nga Kuvendi dhe nuk pranon të futet në zgjedhjet e qershorit, aleatët e vegjël duket se e kanë ‘tradhtuar’ Bashën.
Ndërkaq, kreu i PD dhe opozita e bashkuar që pas daljes nga Kuvendi vijojnë me protestat, ata gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar qeveri tranzitore për t’u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme.
Nga ana tjetër KQZ u ka lënë partive politike afat deri më 21 prill për tu regjistruar për në zgjedhjet e 30 qershorit. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ‘rrjedhje’ nga aleatët e afërt të Bashës.