Realizimi në nivele shumë të ulëta i buxhetit në Universitetin e Tiranës për vitin 2017 ka ardhur si rrjedhojë e ushtrimit të paligjshëm të kompetencave administrative financiare nga Rektori i UT. Gjithashtu, mosrealizimet kanë ardhur edhe si rrjedhojë e moslejimit të ushtrimit të kompetencave të Bordit të Administrimit, administratorit të institucionit dhe administratorit të njësisë kryesore nga Rektori. Është ky një tjetër konkluzion i raportit të auditit nga Ministria e Arsimit, ushtruar në Universitetin e Tiranës vitin e kaluar.
Bllokimi i buxhetit
Bordi i Administrimit i mbledhur më datë 31.03.2017 për buxhetin e vitit 2017 dhe në përfundim ka marrë Vendimin nr.5 , datë 31.03.2017, sipas të cilit projekt buxheti nuk miratohet, pasi nuk ka: Relacionin shoqërues të përgatitur nga hartuesi i buxhetit; Për tabelat e përcjella nuk ka një numër rendor konseguent, si dhe mungojnë tabelat 4 dhe 5. Sipas procesverbalit të mbledhjes së Bordit të Administrimit të datës 31.03.2017, rezulton se Kryetari i Bordit ka konstatuar se buxheti i sjellë nga Rektori nuk është i njëjtë më atë që është miratuar nga Senati Akademik. Ka probleme në përmbajtje dhe nuk është shoqëruar me relacion shoqërues. Pas konsultimit me kancelarin e UT është konstatuar së nuk është i njëjti material që ishte përcjellë dhe votuar nga Senati Akademik. Bordi i Administrimit i mbledhur më datë 18.04.2017, sipas pikës 1 të rëndit të ditës ka trajtuar projekt buxhetin e UT për vitin 2017. Në mbledhje kanë marrë pjesë dekanët ndërsa Rektori ka njoftuar mosprezencën për arsye shëndetësore, sipas procesverbalit të mbledhjes. Kryetari i Bordit të Administrimit ka prezantuar situatën e projekt – buxhetit për të cilin më parë ka patur probleme të mungesës së informacionit si dhe paraqitje të materialeve jo sipas atyre të miratuara në Senatin Akademik. Rektori në datë 11 prill 2017 ka dërguar në Bord relacionin dhe të gjitha tabelat e buxhetit ashtu siç janë miratuar në senatin akademik. Dekanët pjesëmarrës në mbledhje nëpërmjet diskutimeve të tyre, vërtetojnë faktin që praktika e sjellë për miratimin e buxhetit në datë n 31.03.2017 nuk ishte ajo që kishte vendosur Senati Akademik. Problem ka qenë mosparaqitja më datë 31.03.2017 në Bordin e Administrimit e tabelës nr. 4 “Organikat” (në numër) dhe tabelës nr. 5 “Organikat” (në lekë) si dhe relacioni shpjegues që argumenton këto tabela të miratuara në Senat sipas kërkesave të fakulteteve. Bordi i administrimit me datë 18.04.2017 pas diskutimeve të gjata vendosi të miratojë buxhetin në mbledhjen e ardhshme, pasi mungonin propozimet e dërguara nga fakulteti. Bordi i Administrimit në vijim të mbledhjes së datës 18.04.2017 është mbledhur me datë 28.04.2017 dhe me Vendimin nr.9 ka miratuar buxhetin e UT për vitin 2017, pasi struktura dhe shpenzimet e paraqitura në buxhet janë mbështetur në propozimet që kanë ardhur nga fakultetet dhe kanë marrë edhe miratimin e Senatit Akademik. Bordi i Administrimit ka hartuar edhe relacionin duke argumentuar vendimmarrjen sipas vendimit nr.9 dhe sqaruar në mënyrë kronologjike e shkresore situatën e krijuar për miratimin e buxhetit që nga data 17.03.2017. Procedura e miratimit të buxhetit ka zgjatur 1 muaj e gjysmë, për shkak të mosparaqitjes korrekte të vendimeve të Senatit Akademik në Bordin e Administrimit. Për këtë arsye, UT për 4 muaj ka qenë i bllokuar për realizimin e objektivave të tij për shkak të miratimit me vonesë të buxhetit. Sikurse ka evidentuar grupi i auditimit, në vitin 2017 buxheti i UT është realizuar në total në masën 57%, ku të ardhurat nga buxheti i shtetit janë realizuar 98% ndërsa të ardhurat e veta janë realizuar vetëm 34%.
Shpenzimet e personelit
Ajo që bie në sy është së realizimi i shpenzimeve të personelit (paga personeli për orë mbi ngarkesën e punës, kontratat e personelit të jashtëm dhe personelit administrativ) të cilat paguhen nga të ardhurat e UT, për vitin 2017 janë planifikuar 693 milion lekë dhe janë realizuar vetëm 431 milionë lekë ose 62% e buxhetit të planifikuar. Realizimi në këto nivele ka ardhur si pasojë e moszbatimit nga ana e Rektorit të procedurave të rekrutimit për vitin 2017 në zbatim të vendimit të Senatit Akademik dhe Bordit Administrativ për miratimin e buxhetit vjetor. Gjithashtu konstatohet se edhe për vitin 2018, UT ende nuk e kishte miratuar buxhetin dhe nuk kishte filluar procedurat e prokurimit për blerje mallrash/shërbimesh derisa grupi i auditimit ishte aty, duke shkaktuar mangësi në funksionimin operacional të institucionit. Grupi i punës konkludoi së është e papranueshme situata e realizimit të buxhetit 2017 të UT me tregues të këtij niveli, ku shpenzimet operative dhe ato kapitalë janë realizuar përkatësisht 37% dhe 9%, duke cënuar rëndë përmbushjen e rezultateve dhe objektivave të gjithë institucioneve po ashtu, buxhetin e vitit 2018.









































