Google search engine
Home Aktualitet Piktorë e skulptorë, thirrje Shkolollit: Të ekspozohet fondi i GKA, është katandisur...

Piktorë e skulptorë, thirrje Shkolollit: Të ekspozohet fondi i GKA, është katandisur institucioni sa nuk e duan as artistët

0
442

Galeria Kombëtare e Arteve me politikat që ndjek drejtuesi i saj është kthyer sipas artistëve një institucion që jo vetëm ka larguar publikun, por dhe ata vetë nuk po i afrohen. Sipas tyre jo vetëm mbyllja e dyerve që iu është bërë nga institucioni është problem, por dhe fondi i GKA që qëndron mbyllur. Piktorë dhe skulptorë të ndryshëm shprehen se përgjegjësia për gjendjen që është sot në GKA ka drejtuesi i saj, por dhe Ministria e Kulturës që e ka në varësi. Piktori i njohur Anastas Kostandini shprehet se me politikat që janë ndjekur është arritur që artistët të qëndrojnë indiferentë ndaj GKA. “Deri tani për mendimin tim ajo që ka ndodhur në GKA janë aktivitete dhe ekspozita që vetëm nga pikëpamja burokratike quhen të suksesshme, sepse për mua nuk thonë ndonjë gjë kushedi se çfarë pa dashur të mohoj faktin se diçka ka ndodhur. Artistët janë të ftohtë ndaj GKA, indiferentë dhe ia ka arritur më në fund galeria përmes drejtuesit të saj që të tregojë që as mos guxojnë dhe as ëndërrojnë që të jetë ndryshe, sepse nuk ka asnjë mundësi për të bërë një debat dhe t’u afruar artistët aty. Nuk ka aktivitet që të tërheqin artistët shqiptarë në mënyrë masive dhe jo vetëm artistët, por dhe publikun”, pohon piktori Kostandini. Në vijim duke folur për këtë problematikë piktori Anastas Kostandini shprehet se fondi i GKA duhet të ekspozohet. Edhe pse sipas tij ka qenë paragjykuar, fondi përmes ekspozitave herë pas here duhet të tregohet për publikun. “Fondi është paragjykuar gjithmonë edhe në kohën kur është krijuar. Tani jemi në një epokë që duhet të fillojmë nga mosparagjykimi, le të tregohet fondi me të gjithë autorët dhe çfarë është blerë dhe disponon GKA. Ka dhe një problem tjetër sepse vetë drejtori Shkololli duket se është i painteresuar për këtë gjë. Nuk është e gjitha ashtu siç e kanë stigmatizuar nëpër sallat e GKA, që kanë nxjerrë veprat tipike të realizmit socialist, pasi ka dhe një krijimtari që është në fond me vepra më të lira, që tregon një fytyrë tjetër të artistëve shqiptarë të asaj periudhe dhe që duhet ti ekspozojnë, ti shikojmë dhe më pas ta bëjnë linjën muzeale. Ne nuk e njohim fondin e GKA, dhe që ta njohim duhet ta shikojmë. Madje unë pyes dhe çfarë fondi ka me epokën pas ’90”, vijon piktori Anastas Kostandini. Problem sipas tij është dhe krijimtaria në skulpturë. Ai tregon se skulptura po ashtu ka munguar në ekspozim. “Tradita e skulpturës shqiptare, mënyra se si tregohet është shumë e zbehtë në GKA”, tregon artisti.

GKA të ketë parësore fondin

Për piktorin Rakip Shabani artistët që kanë veprat në fond duhet të ekspozohen. Ai e quan të padrejtë që në GKA nuk flitet për këtë pjesë, por deri tani janë mjaftuar me disa ekspozita duke mos lejuar autorët shqiptarë. “GKA nuk ka si pikësynim hapjen e ekspozitave qoftë shqiptare apo të huaj, por ka parësore për të ekspozuar fondin e saj, si dhe mund të organizojë ndonjë ekspozitë jubilare të artistëve si atyre që kanë vdekur apo janë gjallë”, pohon piktori. Më tej ai shprehet se nga krijimtaria e tij janë 24 vepra në fondin e GKA, por nuk janë ekspozuar asnjëherë. “Konkretisht veprat e fondit të shumë autorëve nuk kanë dalë. Unë kam 24 vepra arti në fondin kombëtar të GKA dhe nuk është ekspozuar asnjë vepër, që kanë marrë dhe çmime kombëtare. Po të vësh re GKA në ekspozitat që hap për autorët e huaj ka një impenjim të jashtëzakonshëm dhe zë gati dy kate. Kështu që mendoni tani aty mund të ekspozohen vepra që janë të fondit. Pra po të shohësh kubaturën që ka GKA me ekspozitat që hap për të huajat ato zënë më shumë hapësirë, ku vetë ekspozimi i galerisë ka më pak kubaturë. Drejtori aty është një administrator i galerisë, por për vlerat artistike duhet ministria të ngrejë një komision me artistë shumë të mirë ku të jetë dhe drejtori i galerisë, dhe këta të vendosin se ç’kubaturë do të zërë gjithë GKA”, pohon piktori Rakip Shabani. Për skulptorin Maksim Bushi tashmë problemet në atë institucion janë të ditura, por duket se askush nuk mendon për të ndryshuar gjendjen dhe të ketë vëmendje për veprat e autorëve shqiptarë. “Flitet shumë po problemet vazhdojnë dhe asgjë nuk ndryshon, zërat e artistëve nuk i dëgjojnë. Por fondi ka rëndësi dhe duhet të ekspozohen veprat”, pohon skulptori Maksim Bushi. Nuk është hera e parë që artistët flasin mbi problemet që shikojnë në GKA duke e quajtur të papranueshme situatën në institucion.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here