Ish deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi tha se Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Matthew Palmer ishte i qartë në mesazhet që dha, duke shtuar se mesazhin e parë e kishte për qeverinë që është legjitime dhe të dytin e kishte në drejtim të opozitës ku i bëri thirrje të futet në zgjedhje. Gjatë një interviste televizive, ai u shpreh se vizita e zyrtarit të DASH ishte për të mbrojtur interesat amerikane, duke shtuar se Palmer u largua pa asnjë rezultat konkret për vendin. “Zoti Palmer vjen në Shqipëri në pozitat e një shtetari të lartë amerikan dhe vjen këtu për të mbrojtur interesat amerikane. Misionin e ka realizuar. Nuk pati rezultat konkret për Shqipërinë, por besoj se ajo ishte një vizitë me mesazh që pati efekt të menjëhershëm. Palmer ishte i vrazhdë në qartësinë e tij. Opozita është e detyruar që të futet në zgjedhjet dhe djegia e mandateve të shërbejë si një kauzë e shoqërisë shqiptare dhe se alarmimi i opinionit ndërkombëtar, nuk ka vlerë. Ky është një mesazh që u artikulua në të gjitha takimet e zotit Palmer”, u shpreh Patozi.
Ish deputeti i PD deklaroi se dorëheqja e Bashës nga posti drejtues i PD është zgjidhja e krizës. Patozi u shpreh se vendimi i opozitës për bojkot të zgjedhjeve vendore është një akt ekstrem, duke shtuar se nëse PD nuk merr pjesë i lë rrugën e hapur kryeministrit Rama për të fituar të gjitha bashkitë e vendit. “Në politikë çdo gjë ka zgjidhje. Si mundësi shikoj që Lulzim Basha të pranojë që ky ishte një gabim dhe të japë dorëheqjen, e të shpëtojë Partinë Demokratike. Besoj që Basha ia ka kaq borxh PD, që të mos sakrifikojë PD së bashku me veten, në këtë qorrsokak. Mospjesëmarrja në zgjedhje është një akt ekstrem politik, i cili nuk gjen kurrë asnjë portë të hapur në Perëndim dhe Lindje. Zgjedhjet lokale janë shumë më të këqija se zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet lokale, nuk ka kurrë zgjedhje të parakohshme. Ai që merr mandatin, e çon deri në fund. Nëse nuk merr pjesë, i jep mundësinë Edi Ramës që të fitojë në 90 -100% të bashkive. Nëse Basha jep dorëheqjen, udhëheqësi tjetër mund ta shpëtojë Partinë Demokratike sepse nuk ka përgjegjësi për djegien e mandateve e të futet në zgjedhje”, u shpreh Patozi.