Në Luzanë të Zvicrës në kongresin e 75-të të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit -FIAF merr pjesë dhe AQSHF. Në kongres marrin pjesë 166 institucione nga 75 vende dhe 360 përfaqësues arkivash shkëmbejnë eksperienca. Drejtuesja e AQSHF-së, znj. Iris Elezi, prezantoi përpara të ftuarve Arkivin e Filmit Shqiptar në panelin mbi të kaluarën dhe të ardhmen e arkivave të filmit. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Në fondin filmik të arkivit të filmit gjenden gjithashtu materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të luftës së dytë botërore, të konsideruara plaçkë lufte. Po ashtu janë materiale filmike të depozituara sipas ligjit të depozitës legale të ushtruar që në vitin 1945, kur sipas marrëveshjeve të reja shtetërore rifillojnë xhirimet e kineastëve të huaj. Materiale nga dorëzimi i një kopjeje të prodhimit të huaj të blerë nga distribucioni shtetëror apo dhe materiale nga xhirime arkivale. Koleksioni i AQSHF vazhdon të pasurohet nga prodhimi kinematografik shqiptar dhe bashkëpunimet e huaja me kompanitë shqiptare private të prodhimit filmik të cilat kanë filluar prej vitit 1992.
Çdo prodhim kinematografik shqiptar i financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike ka si detyrim ligjor, që vjen nga kontrata e financimit e lidhur mes kompanisë filmike dhe QKK, të depozitojë pranë AQSHF veprën filmike në 3 gjini, negativ, pozitiv, fonogramë. Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa të fotove. Fondi i artë shqiptar është me veprat më të mira kinematografike të regjisorëve shqiptarë më të njohur si Hakani, Erebara, Dhamo, Anagnosti, Gjika, Milkani, Keko, Fejzo, Hoshafi, Kumbaro, Ljarja, Muça, Mitro, Mysliu, Pecani, Prifti, Çashku, Topallaj, Zhabjaku, Dafa, Tane, Ibro, Xhuvani, Minarolli, Koçi, Bisha, Ruka, Minga, Shanaj, etj. Koleksioni klasik i kinematografisë botërore me vepra të Eisenstein, Cukor, Engels, Camerini, Blasetti, Mastrocinque, Castellani, Ballerini, Bragaglia, etj.