Parandalohet atentati, tentativa e grupit kriminal u zbulua gjatë përgjimeve për trafik droge

0
474

Një grup i strukturuar kriminal që e kishte shtrirë aktivitetin e tij në trafikun e drogërave nga Shqipëria drejt Gjermanisë, është shkatërruar dje nga policia e kryeqytetit. Në sajë të këtij operacioni të ndërmarrë nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë përfunduar në pranga 4 persona. Më konkretisht uniformat blu bënë të mundur arrestimin e Leonard Dukës, i cili dyshohet të jetë koka e këtij grupi, Elvis Gaçajt, Oltion Logës dhe Dritan Agajt. Të katër të arrestuarit janë persona me precedent të mëparshëm penal. Urdhër-arrestet për katër të ndaluarit janë firmosur nga Prokuroria për Krime të Rënda, ndërkohë që janë kryer një sërë kontrollesh në disa banesa në kryeqytet. Burime bëjnë me dije se personat e arrestuar prej disa kohësh ishin vënë në përgjim nga prokuroria për arsye se kishte dyshime se merreshin me trafik droge. Të njëjtat burime thonë për gazetën “Sot”, se ndërhyrja u bë mesditën e djeshme pas informacioneve se këta persona kishin planifikuar për të kryer një vrasje. Pas këtij informacioni prokuroria firmosi urdhër-arrestet me qëllim parandalimin e ngjarjes së rëndë. Gjatë këtij aksioni policia bëri të mundur sekuestrimin e disa armëve, një automjet të blinduar si dhe disa sasi të vogla droge. Mjeti i blinduar, tip BMË seria 7 është me targa të Rusisë dhe u kap nga policia pranë shkollës “Partizani”, nga skuadra operacionale, dhe i përket pikërisht të arrestuarit Elvis Gaçaj. Zyrtarisht policia thotë se pas një operacioni, me mbështetjen edhe të strukturave të posaçme, u arrit në prangosjen e personave të lartpërmendur. Megjithatë, në aksioni e bujshëm, sikurse policia e pranon zyrtarisht, iu gjetën vetëm sasi modeste kanabis në disa doza. Por kjo për shkak të ndërhyrjes së shpejtë për parandalimin e ngjarjes kriminale. Kontrolle ka pasur edhe në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se mbanin sende të kundraligjshme. Gjatë kontrollit të ushtruar ata janë munduar të largojnë sendet e kundraligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës.

Kush janë të arrestuarit

Leonard Duka, i cili sipas policisë është dhe kreu i bandës së 4 të arrestuarve ditën e djeshme nga policia e Tiranës, ishte në kërkim nga policia që prej vitit 2017. Sipas policië 33-vjeçari së bashku me vëllanë e tij në 20 mars të vitit 2017 i bëri atentat shtetasit me inicialet E. D. Ky shtetas ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e kryeqytetit kur është qëlluar nga Duka. Ai mori një plumb në gjoks por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes dhe i mbijetoi plagës së marrë. Pas ngjarjes policia e Tiranës shpalli në kërkim si autorë të saj Dukën dhe vëllanë e tij. Ndërsa Elvis Gaçaj, person i cili kishte dhe automjetin e blinduar në 2015 ka disa rekorde kriminale. Ai ka qenë objektiv i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Në atentatin tek Lulishte “1 Maji” u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e djeshëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”. Dy të pandehurit nuk kanë pranuar, ndërsa Gaçaj i kishte dhunuar. Elvis Gaçaj u gjykua i veçuar nga dy të pandehurit të akuzuar si autorë të masakrës. Ai u dënua me 3.4 vite burg për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Sipas gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.8 gr kokainë. Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Në atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Ndërsa në atentatin e dytë lënda plasëse nuk shpërtheu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here