Filmi “Internimi” i regjisorit Kast Hasa merr pjesë në “Arizona International Film Festival”. Me këtë pjesëmarrje filmi shqiptar shënon dhe premierën botërore. Me skenar dhe regji nga Kast Hasa filmi tregon ngjarje të vitit 1983, nga Shqipëria gjatë sundimit komunist. Festivali nis nesër dhe zhvillohet deri më datë 21 të këtij muaji, ku “Internimi” konkurron për çmimin filmi më i mirë. Filmi që pritet të jetë premierë botërore për publikun sjell një histori dashurie të ndaluar gjatë periudhës së komunizmit. Dashuri, urrejtje dhe vrasje por e gjitha një histori shqiptare, në filmin e financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografisë. Rolet në film luhen nga aktorët Klodian Hoxha, Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Kristaq Pilo, Jorida Meta, Gramoz Gashi, Arjeton Osmani, Ioana Sinani, etj. Regjisori Kast Hasa për filmin e tij mes të tjerave është shprehur se filmi “Internimi” është një përpjekje për të hedhur dritë mbi mizoritë e asaj kohe në vendin tonë. “Duke u rritur në Shqipërinë komuniste, nuk isha krejtësisht në dijeni të frikës dhe shtypjes që qeveria po shkaktoi në jetën e popullit të saj, jo vetëm për shkak të propagandës komuniste, por kryesisht për shkak se prindërit e mi kurrë nuk folën për të, duke pasur frikë se do të merrja fjalën jashtë. Vetëm 10 km nga qyteti im ishin këto fshatra, njerëzit e të cilëve qeveria kishte detyruar internimin vetëm për shkak të diçkaje që kishin thënë. Internimi është një përpjekje për të hedhur dritë në mizoritë dhe absurditetet e kësaj kohe të veçantë”, shprehet regjisori Hasa. Me regjisor Kast Hasa dhe producent Saimer Zeneli dhe Gjergj Trola, xhirimet e filmit janë zhvilluar në Divjakë. Për sa i përket fotografisë është kujdesur Andrew Parke nga Amerika.
Ngjarja në film
Shqipëria gjatë sundimit komunist në 1983. Familja Kulla lufton ndërsa janë detyruar nga agjentët qeveritarë të internohen. Për Arturin, djali i familjes, gjërat bëhen më të ndërlikuara, pasi lagjet e reja të improvizuara të familjes janë afër dashurisë së tij, Frida, e cila detyrohet të angazhohet me një operacion të rangut të lartë. Familja vazhdon të nënshtrohet më tej në rrethana të egra dhe të pashpjegueshme, siç zbulohet më vonë një mik i sapo riatdhesuar, në një përpjekje për të ndihmuar familjen, i komplikon gjërat më tej. Aktori Klodian Hoxha këtë herë luan personazhin e Tomorrit dhe pohon se është një nga rolet më të dashur. “ E kam jetuar shumë këtë rol edhe besoj se është një nga personazhet më të realizuar”, tregon aktori. Filmi do të jetë premierë në festivalin e Arizonas në SHBA dhe sipas aktori ky është një lajm shumë i bukur për të gjithë ata që janë marrë me realizimin e “Internimit”. “Premiera botërore e filmit “The Internment” është në datë 21 prill në “Arizona film festival”. Dhe lajmi më i bukur që mund të merrja ishe pranimi i filmit në këtë festival, jam shumë i lumtur edhe shpresoj të përfaqësohemi denjësisht në këtë festival. Duhet të isha i pranishëm atje, po për arsye pune nuk mund të shkoj. Filmi është i bërë me dashuri edhe përkushtim edhe gjej rastin të falenderoj regjisorin Kast Hasa që ma besoi këtë rol”, tregon aktori Klodian Hoxha. Filmi pritet të ketë më pas dhe premierën në Tiranë, por aktori tregon se puna për të realizuar personazhin e tij nuk ka qenë e lehtë. Ai shprehet se ka pasur vështirësi, pasi nuk ka qenë një kohë e jetuar nga ai. “Për mua është një rol shumë i rëndësishëm për karrierën time gjithashtu edhe kolegët që kanë bërë një punë shumë të mrekullueshme në ndërtimin e figurave. Por ka qenë shumë e vështirë ndërtimi i këtyre karaktereve, sepse ne nuk e njohim mirë atë kohë, por fal këtij filmi kemi mësuar shumë gjëra, falenderojmë edhe qendrën e filmit që na e besoj këtë projekt edhe shpresojmë të sjellim sa më shumë çmime”, tregon aktori Klodian Hoxha.
Nga Julia Vrapi


































