Procesi i vetingut nuk po ecën në ritmet e duhura. Qoftë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ashtu edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit deri tani kanë dhënë me dhjetëra vendime. Por problemi është se vendimet janë dhënë në shkelje të ligjit. Në nenin 55 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thuhet se KPK duhet ta japë verdiktin final për një subjekt rivlerësimi në përfundim të seancës dëgjimore. “Vendimi i Komisionit merret me votim të hapur dhe me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të trupit gjykues. Nëse gjatë vendimmarrjes ka qëndrime të ndryshme nga ai i shumicës, komisioneri i mbetur në pakicë arsyeton me shkrim mendimin e tij. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit. Procesverbali i bisedimeve të çështjes mbahet nga personeli i regjistrit të Komisionit. Vendimi shpallet në fund të seancës dëgjimore”, thuhet aty. Mirëpo një përcaktim i tillë është shkelur hapur nga KPK sepse asnjëherë vendimi për një gjyqtar a prokuror nuk është dhënë në përfundim të seancës dëgjimore, por është shtyrë për një ditë tjetër. Zakonisht është marrë një javë kohë për të dhënë vendimin e konfirmimit ose të shkarkimit, por ka edhe nga ato raste kur në fillim është caktuar data e dhënies së verdiktit dhe më pas është shtyrë sërish. Precedenti i parë për rastin e fundit u bë kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Në fillim KPK mori një javë kohë nga seanca dëgjimore për të dhënë vendimin, por më pas e shtyu sërish, duke kërkuar edhe një javë tjetër kohë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kryeinspektoren e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari dhe për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka. Në të 3 këto raste KPK jo vetëm që nuk e dha vendimin në fund të seancës dëgjimore, por e shtyu atë edhe një herë tjetër, duke marrë më shumë kohë dhe duke shkaktuar vonesa.
KPA më problematikja
Kolegji i Posaçëm i Apelimit është organi më problematik kur vjen puna tek marrja e vendimeve për subjektet që drejtohen tek ky organ apo ankimimet e Komisionerit Publik. Aktualisht KPA po shqyrton 4 çështje në seanca publike: atë të Edmond Islamajt, të Alma Bratit, të Astrit Faqollit dhe të Rovena Gashit. Vendimet për të 4 këto çështje janë zvarritur. Islamaj është rasti më flagrant sepse seancat për të shtyhen gjithmonë. E njëjta gjë ndodh edhe me rastin e Bratit, ndërsa për Faqollin, pas disa shtyrjesh pritet që javën tjetër të merret vendimi përfundimtar. Sakaq, dje u shty seanca edhe për Rovena Gashin.
Vonesat me zbardhjen e vendimeve
Vonesat me marrjen e vendimeve nuk është problemi i vetëm i konstatuar në punën e organeve të vetingut. Zvarritje ka edhe tek zbardhja e vendimeve. Deri tani KPK ka zbardhur 92 vendime, por pjesa më e madhe kanë patur probleme. Në po të njëjtin ligj të sipërcituar thuhet se KPK duhet të zbardhë vendimin për subjektin e rivlerësimit, por ky përcaktim është shkelur me dhjetëra herë. Rasti më i fundit ishte ai i Donika Prelës, ku vendimi u mor në datën 5 shkurt, ndërsa u zbardh në datën 27 mars, pra u kalua afati 30-ditor. Vonesa në zbardhjen e vendimit ka pasur edhe për gjyqtarin e Kurbinit, Alfred Gjoni, kryeprokuroren e Beratit, Eloida Goxhi; gjyqtarin e Beratit, Agron Vavla, etj. Zvarritjet më të mëdha në zbardhjen e verdikteve vihen re tek rasti i prokurorit të Elbasanit, Besnik Cani dhe tek gjyqtari i Shkodrës, Luan Dervishi. Për ta vendimet janë marrë në nëntor të vitit të kaluar, por është zbardhur në janar. Vonesa në shkelje të ligjit në zbardhjen e vendimeve u shënuan edhe tek rasti i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Vendimi për të u zbardh dy muaj me vonesë.
Mimoza Ibra