Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi dje në mënyrë të zgjeruar arsyet pse u përjashtua nga sistemi i drejtësisë për 15 vite kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj. Ai u shkarkua nga detyra pak kohë më parë për shkak të problemeve me pasurinë dhe me aftësitë profesionale. Sa i takon kriterit të pasurisë, KPK ka zbuluar se Demiraj ka blerë në një shoqëri ndërtimi një apartament më lirë se të tjerët sepse ishte gjyqtar. Komisionerët e vetingut, për të arritur në këtë përfundim, kanë hetuar disa kontrata të të njëjtit vit, por që iu përkasin shtetasve të tjerë. “Komisioni hetoi lidhur me mundësinë e subjektit për të përfituar me çmim preferencial, në blerjen e pasurive, në raport me shtetasit e tjerë si blerës në të njëjtën godinë, për shkak të funksionit të tij. Raporti i shumës së shpenzuar (për m2), nga ana e subjektit të rivlerësimit, për blerjen e pasurisë, apartament dhe garazh, është më i ulët se shumat e shpenzuara (për m2) nga shtetas/blerës të tjerë, referuar përafërsisht kohës në të cilën subjekti ka porositur pasuritë, por edhe kohës kur ai ka formalizuar kontratën e shitjes së tyre. Subjekti i rivlerësimit është përfshirë në konflikt të hapur interesi me përfaqësuesit e shoqërisë ndërtimore ku edhe ka përfituar pasuritë e lartpërmendura, objekt i këtij hetimi administrativ”, thuhet në vendim. Probleme Hysni Demirajt i hapi edhe një hua në shumën 5 milionë lekë e marrë nga një shtetas. “Huadhënësi nuk ka pasur në dispozicion likuiditete, në vitin 2006, për të dhënë hua subjektit, në shumën 5.000.000 lekë. Vlera e parashikuar në marrëdhënien kontraktore (huamarrja) është ekzekutuar pa përfshirë interesin mbi principalin, të përcaktuar mes palëve; Huadhënësi ka deklaruar se ka pranuar shlyerjen e huas pa përfshirë interesin përkatës, vetëm gjatë hetimit administrativ. Për të gjithë arsyet e lartpërmendura, Komisioni, ka krijuar bindjen se subjekti edhe në marrjen e kësaj huaje është përfshirë në marrëdhënie pasurore preferenciale dhe se me veprimet/sjelljen e ka cenuar rëndë etikën e gjyqtarit, duke cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, sqarohet në vendim.










































