Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka cilësuar Lulzim Bashën si lideri i cili në këto 6 vite nuk ka bërë asgjë për të fituar votat e humbura të PD, duke theksuar se kreu demokrat e nxori partinë e vet në mes të rrugës pa asnjë objektiv të qartë. Përmes një postimi në rrjetin social ai shkruan se Bashës nuk i intereson ndryshimi i Kodit Zgjedhor pasi trembet nga listat e hapura. Ai ka theksuar se ndryshimi i sistemit nuk mund të konsiderohet si sport i lehtë. “Ndryshimi i sistemit nuk është fare një sport i lehtë. Ndërkohë që është udhëheqësi politik, që nxori partinë e vet nga Parlamenti, pa propozuar as edhe një germë të vetme në funksion të këtij objektivi, të paktën për 6 vjet me radhë. E di që e kanë në majë të gjuhës justifikimin se opozita nuk i ka pasur votat, por nuk ka qeveri që do të shkonte në zgjedhje pa kundërshtarin, nëse ai do t’i kërkonte ndryshimin e rregullave të lojës. Dhe jam i bindur se në dy zgjedhjet e fundit ka qenë më e interesuar opozita e Lulzim Bashës, sesa vetë qeveria për të mos ndryshuar asnjë fjali të Kodit Zgjedhor. Me listat personale të 2017-ës ai çuditi dynjanë, duke kapërcyer edhe vetë sistemin, për të cilin sot për herë të parë po thotë se është shumë i keq”, tha Patozi. Ish nënkryetari i PD u shpreh se Lulzim Basha do pranojë ndryshimin e sistemit politik vetëm nëse ndodhet nën presionin e shoqërisë, duke shtuar se nuk është rastësisht që e njëjta panoramë paraqitet edhe në krahun e kundërshtarit. Patozi tha se opozita jashtë Parlamentit nuk është shprehur zyrtarisht se do kontribuojë për ndryshimin e sistemit, duke shtuar se edhe po të duan ata tashmë nuk kanë vota për të kontribuar në këtë çështje. “Ajo është një çështje aq serioze sa meritonte të gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe kjo është një provë tjetër se Lulzim Basha nuk e kishte me gjithë mend atë që tha dhe është e sigurt se ai do të pranojë ndryshimin e sistemit politik vetëm nëse ndodhet nën presionin e fortë të shoqërisë, që po kërkon dëshpërimisht të dalë nga ky rreth vicioz. Jo rastësisht, është e njëjta panoramë në krahun tjetër. Edi Rama po bën sikur nuk i kupton thirrjet e forta dhe të gjithanshme për një reformë të thellë kushtetuese dhe po shpreh gatishmërinë për të përmirësuar teknikalitete të Kodit Elektoral. Sepse opozitës që ka djegur mandatet po i thotë, që është gati të punojë me të, ndërkohë që ajo, as është shprehur zyrtarisht se do të ndryshojë sistemin dhe, as ka vota për të kontribuar sot për këtë çështje”, tha Patozi.