Zbardhen të tjera letërkëmbime mes zyrtarëve të ndryshëm dhe atyre shqiptarë sa i takon zhvillimeve gjatë sundimit të Ahmet Zogut. Gazeta po publikon sot disa letërkëmbime të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku tregohet ndihma financiare që Italia i jepte Shqipërisë si dhe marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit.
12 korrik 1931
Bisedë e Sekretarit të Shtetit me ministrin e Jashtëm italian dhe Mussolinin
Të enjten mbrëma më 9 korrik në darkën e ambasadës isha ulur pranë Grandit i cili më sugjeroi se festa detare duhet të pranohet nga të gjitha kombet e mëdha detare si një shtesë e moratoriumit Hoover. Të shtunën më 11 korrik, në kështjellën në Nettuno, bisedova përsëri gjatë me Grandin dhe u përmend tema e sjelljes së Gjermanisë në lidhjen me çështjen e çaramtimit. Grandi tha se Franca akuzonte Gjermaninë se nuk ishte çarmatosur dhe unë e pyeta, “Ti je dakord me këtë?” Ai tha, “Jo, çarmatimi është bërë,” duke shtuar se në një takim të kohëve të fundit të ambasadorëve pretendimet e saj nuk ishin mbështetur nga të tjerët. Në lidhje me mbretin Zog dhe Shqipërinë, ai më tha se ishin bërë marrëveshje për të paguar para për Shqipërinë, rreth $ 2,000,000 në vit. Garrett më tha më pas se kjo ishte si t’i jepje Italisë një kredi shtëpie për Shqipërinë. (Atasheu ushtarak, kolonel Collins, më tha se kur ishte në Vjenë, mbretin Zog e qëlluan disa vrasës dhe se Collins, i kishte dhënë informacionet e para zyrtarëve shqiptarë.) Pasditen e të dielës 12 korrik u takuam me Mussolini në kështjellën e Nettuno. Ai ishte vetëm, përveç një mekaniku në një motobarkë dhe na ftoi mua me Stimson për një xhiro. U ula me të në barkë duke pritur për Stimson, dhe i thashë se disa ditë më parë Grandi më kishte sugjeruar ditën e festës detare. I shpjegova se festa mund të niste si e tillë e më pas të zgjerohej dhe për armatimet tokësore. Ai tha se ishte plotësisht dakord, dhe kur Grandi u kthye atë mbrëmje i thashë se e kisha bërë bisedën me Mussolini.
Uashington, 2 nëntor 1931
Sekretari i Shtetit për ambasadorin në Shqipëri (Bernstein)
Në lidhje me çështjen e dorëzimit në Senat të traktatit me Shqipërinë mbi kombësinë dhe shërbimin ushtarak, i nënshkruar në Tiranë në 21 janar 1931, Departamenti beson se është mirë të merren hapa për të qartësuar kuptimin e nenit 1, sidomos referencat në paragrafin e tretë, me qëllim evitimin e keqinterpretimeve. Tre paragrafët e nenit thonë: Shtetasit e SHBA që janë natyralizuar në Shqipëri, do të konsiderohen nga SHBA se kanë humbur qytetarinë dhe janë shtetas të Shqipërisë. Po ashtu dhe shtetasit e Shqipërisë që janë natyralizuar në territorin e SHBA duhet të konsiderohen nga Shqipëria jo më si shtetas shqiptarë por si shtetas të SHBA; Këto ligje humbasin efektin nëse një nga palët e marrëveshjes hyn në luftë; Paragrafi i tretë i cituar më lart u propozua nga qeveria thjesht për ta përshtatur atë me seksionin 2 të ligjit të Kongresit më 2 mars, 1907, i cili thotë se “asnjë shtetas amerikan nuk mund të riatdhesohet kur SHBA është në gjendje lufte”. Në formën e tij aktuale paragrafi mund të supozohet se do të thotë, sa herë që një nga vendet e përfshira në kontratë është në luftë ai nuk përfshihet nga detyrimet e Nenit 1, pra gjatë kohës që është në luftë nuk është i detyruar të njohë natyralizimin e ish-qytetarëve të tij në një shtet tjetër prandaj mund t’i trajtojë ata sikur të ishin ende qytetarë të tij, edhe nëse the natyralizimi i tyre është kryer para kohës kur kishte nisur gjendja e luftës. Nëse zbatohet një interpretim i tillë do të krijonte kushte për anulimin e objektivave që traktati ka për qëllim. Departamenti dëshiron që ju ta diskutoni këtë çështje me ministrin e jashtëm, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të kënaqshme të kësaj vështirësie. Duke bërë këtë ju mund të thoni se prej problemit të këtij paragrafi, qeveria do të ishte e kënaqur ta hiqte fare paragrafin dhe paragrafe të ngjashme në traktate me vende të tjera. Ne mund ta bëjmë këtë nëse qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë përsëri një tratat të ri prandaj nëse pranojnë ju jeni i autorizuar të ribëni traktatin me paragrafin e hequr. Departamenti beson se është e panevojshme të bëhen ndryshime të pushteteve për këtë qëllim dhe mendojmë se ky është opinioni dhe i qeverisë shqiptare.
W. R. Castle, Jr
Uashington, 11 prill 1933
Sekretari i shtetit për ambasadorin shqiptar (Konica)
I dashur ambasador, po ju dërgoj një ftesë zyrtare të ngjashme me ato që po i drejtojnë vendeve që kanë sugjeruar diskutime mes dy qeverive në lidhje me konferencën e pritur ekonomike në Londër, dhe shpresojmë që ideja të jetë e kënaqshme për qeverinë tuaj. Ka mbetur vetëm pak kohë para hapjes së Konferencës aq sa një ekzaminim i detajuar do të ishte i mundur vetëm për disa vende. Për të tjerët ne besojmë se diskutimet mund të zhvillohen sipas kanaleve të zakonshme diplomatike, për të cilat jam i sigurt se mund të mbulojmë të njëjtin terren të gjerë. Mezi pres të marr konfirmimin e qeverisë suaj për kohën e përshtatshme të diskutimeve.
Sekretari i shtetit për ambasadorin shqiptar
Sekretari i Shtetit i paraqet komplimente ambasadorit të Shqipërisë dhe ka nderin të sugjerojë një këmbim të hershëm të pikëpamjeve në lidhje me Konferencën Botërore Ekonomike në Londër. Eksperienca ka treguar se përgatitja e nevojshme paraprake para grumbullimeve ndërkombëtare dhe diskutimi i sinqertë i problemeve janë në interes të përbashkët për vendet pjesëmarrëse. Qeveria amerikane gjithashtu mirëpret shprehjen e pikëpamjeve shqiptare mbi të gjitha çështjet e axhendës së Konferencës ekonomike si dhe përgatitjen për avancimin e pikëpamjeve të saj. Zoti Hull nuk ka nevojë të përsërisë se për SHBA rezultatet e Konferencës janë shumë të rëndësishme nga e cila priten përmirësime të mëdha në tregtinë botërore. Ndërkohë ai mezi pret të nisë këmbimi i opinioneve, i cili do të përmirësojë kuptimin e probleme dhe krijimin e një opinioni publik të favorshëm, që mund të kontribuojë në suksesin e Konferencës. Një letër e njëjtë të shkojë për të gjitha misionet e huaja që do të marrin pjesë në konferencë.
Uashington, 4 Janar 1936Sekretari i shteti për ambasadorin në Itali (Long) Udhëzime të Departamentit dhe memorandum i bisedës me ambasadorin italian. Dje pasdite ambasadori Rosso la memorandumin e mëposhtëm: “Qeveri ime ka besim se qeveria e SHBA do të pranojë këshillën e rihapjes së negociatave të Marrëveshjes Tregtare. Jam instruktuar të informoj sekretarin Sayre se qeveria italiane ka vullnet për një marrëveshje bazuar në trajtimin e kombit më të preferuar me përjashtimin e Kubës për palën amerikane dhe të Shqipërisë për palën italiane, si dhe të disa shteteve fqinje të rajonit të Danubit, nga ana e Italisë. Për përgatitjen drejt negociatave formale, qeveria italiane mendon të arsyeshme të dërgojë në Uashington disa nga ekspertët e saj, për t’i kaluar palës italiane të gjitha informacionet mbi qëllimet tona”. Rosso u informua se propozimi i tij do të merrej në konsideratë.
Tirana, 30 maj 1936
Ambasadori në Shqipëripër Sekretarin e Shtetit
Kam nderin të informoj Departamentin se Madhëria e tij Mbreti Zog, më priti në një audiencë në 28 maj, 1936 pas kërkesës time për t’i prezantuar Madhërisë së tij, atasheun ushtarak të ambasadës në Romë Jerome G. Pilloë. Mbreti ishte shumë i sjellshëm dhe biseda jonë zgjati një orë e pesë minuta. Madhëria e tij tregoi shumë interes për ushtrinë amerikane dhe i bëri kolonel Pilloë një numër pyetjesh në lidhje me organizimin e saj, administrimin, forcës luftarake etj. mbreti ngriti lart fuqinë ushtarake të SHBA, për të cilën tha se vinte si rezultat i organizimit dhe fuqisë së madhe financiare. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të kolonel Pillow për mundësinë e një lufte madhore në Evropë, Mbreti tha se nuk ka shumë mundësi të ndodhë pasi forcat ushtarake të Evropës nuk janë ende të “stabilizuara”. “Sapo ato të stabilizohen lufta do të vijojë”, tha madhëria e tij. “Gjermanët nuk janë gati, por janë duke u armatosur e duke u përgatitur për luftë në Luginën e Rhine. Për disa vjet forca e tyre do të jetë e balancuar dhe do të nisë lufta. Shumë nga shtetet e vogla do të bëhen me Gjermaninë kur ajo të jetë gati”, vijoi ai. Unë ndërhyra: “Kujtoj se Madhëria juaj më tha disa muaj më parë se lufta e ardhshme do të niset nga Gjermania. Madhëria juaj keni ende të njëjtin opinion dhe sot?”. Mbreti u përgjigj: “Po, kam të njëjtin opinion. Gjermania ka një popullatë të madhe dhe nuk ka vend për të gjithën, ajo kërkon të zgjerohet. Kur të ketë balancuar forcat ushtarake ajo do të shpërthejë. Për më tepër Gjermania nuk u mund tërësisht në Luftën Botërore dhe nuk i dorëzuan armët brenda kufijve gjermanë, ata dorëzuan armët vetëm jashtë Gjermanisë dhe ndjehen të tradhtuar nga Konferenca e Paqes në Versajë”. “Kanë një kompleks inferioriteti”, sugjerova unë. “Tamam”, u përgjigj madhëria e tij. “Një gjerman i ri nuk i njeh vuajtjet e Luftës Botërore dhe të Konferencës së Paqes. Gjenerata që u kuptoi vërtet vuajtjet e luftës tashmë ka kaluar. Kur të vijë lufta, kjo do të jetë një katastrofë për të gjithë botën. Asnjë nuk do të shpëtojë. Ligjet për ndalimin e gazeve helmues nuk do të funksionojnë. Bombardimet ajrore do të bëhen pa dallim. Ushtarët në front do të jenë më pak të rrezikuar se pleqtë, gratë e fëmijët shumë kilometra larg frontit. Vuajtjet njerëzore do të jenë të tmerrshme”, vijoi ai. Pas ligjëratës së tij Mbreti më sugjeroi një rrugëdalje nga vështirësia. Ai tha se nëse ka apo jo Ligë të Kombeve (OKB e sotme), SHBA dhe Britania do të binin dakord për të kontrolluar tregtinë me Lindjen e Largët, dhe do të vendosin paqen në pjesën tjetër të botës.
Juaji, Hugh G. Grant