Raporti i Ministrisë së Arsimit, ja si Mynyr Koni bllokoi dhe nxori jashtë funksionit sistemin informatik të UT në 2017 pas sherrit me kancelarin

    0
    403

    Raporti i hartuar nga Ministria e Arsimit vitin e kaluar zbulon një tjetër skandal të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ky i fundit, akuzohet nga grupi i auditit të Ministrisë së Arsimit se ka bllokuar qëllimisht dhe ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin informatik të Universitetit të Tiranës. Në raport specifikohet se në takimet që grupi i punës realizoi me autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, rezultoi se prej muajit Korrik të vitit 2017, Sistemi lnformatik nuk funksionon. Në këtë sistem hidhen të dhënat e studentëve, si notat, mungesat, etj. Gjithashtu, ky sistem ndihmon si sekretaret mësimore, ashtu edhe studentët në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Nga procesverbalet e mbledhjeve të Senatit dhe Rektoratit, mosfunksionimi i sistemit ka qenë një problem i ngritur nga shumë anëtarë të këtyre organeve kolegjiale.

    Dokumentacioni

    Nga dokumentacioni që grupi i punës posedonte, ka rezultuar se problemet me funksionimin e sistemit kanë filluar në fund të vitit 2016. Në shkresën e shoqërisë “BNT Electronics” Nr.418/1 prot, datë 09.02.2017, me lëndë “Kthim përgjigje” shkresë nga UT, nr. Prot. 39/2, datë 07.02.2017″, shoqëria që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit bën me dije se problematikat kanë lindur si pasojë e paaftësisë së personave që administrojnë sistemin në universitet. Gjithashtu, në këtë shkresë shoqëria bën me dije se nga universiteti është bërë kërkesë me email për të bërë restore disa të dhëna të fshira disa ditë më parë. “Praktikisht është kërkuar zhdukja e informacionit të gjithë ditëve të fundit për të rikthyer informacionin e fshirë nga sekretarja për një cikël akademik të caktuar. Sipas shoqërisë, kjo kërkesë tregon papërgjegjshmëri të lartë nga institucioni”, thuhet në raport. Ndërkohë, në procesverbalin e mbajtur me datë 15.02.2017, ora 14.30, ndërmjet z. Robert Skënderi (Kancelar UT), znj. Suela Maxhelaku (Drejtor i IT), dhe z. Dorina Panariti (Drejtor i Burimeve Njerëzore), rezulton se është ndërruar brava e dhomës së serverit. Sipas znj. Maxhelaku, çelësat e dhomës së serverit posedohen nga Rektori. Sipas procesverbaleve të mbledhjeve të Rektoratit, rezulton se Rektori dhe Kancelari akuzojnë njeri tjetrin për mosfunksionimin e këtij sistemi. Kancelari ka kërkuar çelësat e dhomës së serverit nga Rektori dhe pasi të marrë çelësat, ai është shprehur se do të mund të kthejë në gjendje punë sistemin. Deri në ditët që grupi i punës ishte prezent në ambjentet e Universitetit të Tiranës sistemi nuk ka qenë në gjendje pune. Sipas kancelarit, ai nuk ka marrë në asnjë moment në dorëzim çelësat e dhomës së serverit. “Bazuar në sa më sipër, marrja nën kontroll fizik nga ana e Rektorit të UT e dhomës së serverit dhe bllokimi i sistemit informatik përbën shkelje shumë të rëndë të akteve të brendshme të IAL-së. Informacioni që përmban serveri është informacioni i rëndësisë së veçantë pasi në këtë sistem janë hedhur informacione të mbrojtura me ligj për studentët. Nga ana tjetër, mosfunksionimi i sistemit informatik ka sjellë pasoja për personelin akademik, personelin ndihmës akademik dhe studentët, pasi nuk mundësohet hedhja e notave dhe publikimi i tyre për studentët”, nënvizon raporti i Ministrisë së Arsimit mbi auditin e ushtruar në fillimet e 2018. Raporti e konsideron zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për sistemin informatik dhe vënien e tij në funksionim si emergjente nga personeli akademik dhe studentet, ndërsa mosvënia në dispozicion e çelësave të dhomës së serverit, ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë Rektorin e UT.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here