Strakosha portieri i muajit në Itali, mediat italiane thonë se Lacio s’bën pa shqiptarin

0
358

Etrit Berisha ishte titullar në ndeshjet e Kombëtares kundër Turqisë dhe Andorrës, pasi Thomas Strakosha nuk u grumbullua dhe nuk i krijoi konkurrencë, për shkak se trajneri Kristian Panuçi i bëri “block” në trafikun e Romës dhe për shkak vonese nuk e pranoi ta grumbullonte fare gardianin kuqezi në radhët e përfaqësueses për dy ndeshjet në fjalë. Ishte një veprim që ngjalli indinjatë tek tifozët, pasi dihet që Strakosha gëzon autoritet dhe njëherësh shihet me dashamirësi nga të gjithë për shkak të profesionalizmit të treguar. Panuçi është larguar, por Strakosha do të vijojë të jetë pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Së fundmi, gardiani kuqezi ka marrë vëmendjen e shtuar të medias sportive italiane, të cilat e kanë ngritur “në qiell”, për paraqitjen e tij mbresëlënëse me Lacion në ndeshjet e luajtura në Serie A të Italisë, sidomos me paraqitjen e tij spektakolare në fitoren 1-0 kundër Interit. Në fakt, e thonë edhe mediat italiane e madje gazetat prestigjioze sportive që Lacio arriti të merrte një fitore të rëndësishme në “San Siro” pak ditë më parë, duke mundur me rezultatin e ngushtë 0-1 skuadrën e Interit. Më i dalluari në atë takim me paraqitjen e tij, ishte portieri shqiptar Thomas Strakosha që arriti të evitonte disa raste të rrezikshme dhe gola thuajse të sigurt. Ai u vlerësua nga mediat italiane si lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërkohë që “gianlucadimarzio.com” e vlerëson edhe si portierin më të mirë të muajit. Në një renditje me pesë portierët që duhen mundur këtë javë nga ‘Fantasy Football’, bën pjesë edhe portieri shqiptar, Strakosha që së fundmi nuk ishte pjesë e Kombëtares me vendim të ish-trajnerit Kristian Panuçi. “Portieri më i mirë i muajit të fundit, ku Lacio e tij ka fluturuar lart në këto javë. Kundërshtari i radhës? SPAL në transfertë të mërkurën. Me Strakoshën në portë, duhet të ndihesh më i sigurt”, shkruhej në përshkrimin që i është bërë gardianit kuqezi.

Mbrojtësi/ Fitoi me Hajdukun, Ismajli në formacionin e javës në Kroaci

Ndërkohë, ndërsa Strakosha ka marrë vëmendjen e mediave sportive italiane, të cilat e vlerësojnë shumë lart për paraqitjen e tij, një tjetër lojtar i Kombëtares po shkëlqen në një kampionat tjetër. Bëhet fjalë për mbrojtësin kuqezi me origjinë nga Kosova, Ardijan Ismajli, i cili po shkëlqen me Hajdukun e Splitit në kampionatin elitar kroat. Kështu, sipas informacioneve që servirin mediat kroate, Ardian Ismajli është kthyer brenda pak muajsh në një nga futbollistët më të vlerësuar në kampionatin kroat të futbollit, ku vetëm këtë vit u konfirmua si titullar i padiskutueshëm në radhët e Hajduk Split. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare po koleksionon paraqitje pozitive njëra pas tjetrës dhe nuk është rastësi që tashmë thuajse në çdo javë është bërë pjesë e formacionit më të mirë të kampionatit. Kështu ka qenë edhe për ndeshjet e kësaj jave në Kroaci, ku Hajduku fitoi 2-0 ndaj Istra dhe barazoi Osijekun me pikë në vendin e tretë të klasifikimit, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Ai ishte i pakalueshëm në prapavijën e klubit të tij dhe shihet si një nga elementët më të fortë të kësaj skuadre. “Karriera e këtij të riu është në ngjitje. Ai është kthyer në titullar te kombëtarja shqiptare ndërsa në Hajduk, që me mbërritjen e trajnerit Sinisha Oreshçanin, është kthyer në pikën më të fortë të mbrojtjes dhe mbylli në mënyrë brilante sulmuesin e pakëndshëm Bruno Savi të Istra”, shkruan “24Sata” në përshkrimin për mbrojtësin e kuqezinjve dhe përfshirjen e tij në formacionin ideal të kësaj jave. Në Kroaci ka milituar me sukses këtë sezon edhe mbrojtësi i krahut i përfaqësueses, Myrto Uzuni, i cili është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here