Teksa jashtë Parlamentit proteston opozita, në sallë mazhoranca diskuton sot për raportin vjetor të KQZ për vitin 2018.
Lidhur me këtë mbajti fjalën e tij, deputeti i PS, Bashkim Fino. Ky i fundit u shpreh se vendi ndodhet në të njëjtat kushte të periudhës parazgjedhore të vitit 2017.
Në këto kushte Fino deklaroi mbështetjen për KQZ, ndërsa theksoi se nëse kjo e fundit plotëson listat me komisionerë vullnetarë, PS është e gatshme të tërheqë emrat e saj.
Po ashtu Fino theksoi se nuk duhet të shpresohet te një marrëveshje e minutave të fundit, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen edhe pa opozitën.
“Më vjen keq që sot mungojnë anëtarët e tjerë të KQZ. Rezoluta që po shqyrtojmë sot vjen pas konsultimeve në Komisionin e Ligjeve. Jemi në kushtet kur PD dhe partitë e tjera po demonstrojnë sjelle identike me periudhën parazgjedhore të vitit 2017. KQZ të jetë i gatshëm të përballojë çdo sjellje. Projekt-rezoluta vjen edhe në kushtet e zëvendësimet masiv të vendeve bosh në Kuvend. Ne nuk mund të presim dhe të shpresojmë që një marrëveshje e orës së fundit të kthejë në vend opozitën. Unë vlerësoj daljet publike të përfaqësuesve të KQZ për tërheqjen e vëmendjes. Jemi të vetëdijshëm se problemet me rezolutën vinë edhe për bllokimin e procesit mbipartizan të miratuar në kodin e ri zgjedhor. Sot në kushtet e braktisjes së sistemit të deklarojmë mbështetjen maksimale për KQZ-në. PS i është përgjigjur zyrtarisht thirrjes së KQZ dhe ka dorëzuar listën e komisionerëve. Megjithatë diskutimit teorik nëse PD dhe LSI janë parti opozitare, duhet të dorëzonin listat për komisionerë. Mospjesëmarrja në zgjedhje e tyre duhet të na bëjë të reflektojmë. Nëse KQZ arrin të plotësojë listat me komisionerë unë i propozoj PS të tërheqë listat e saj me komisionerë”, tha Fino.