LSI pranon se dogji mandatet nga frika e reformës: Nuk kishim zgjidhje tjetër përballë vetingut me dy standarde dhe kapjes së KLGJ e KLP

0
338

Lëvizja Socialiste për Integrim duket se po e pranon hapur se frika më e madhe e saj është reforma në drejtësi. Ndonëse Monika Kryemadhi çdo ditë deklaron se mandatet u dogjën për hir të popullit, Petrit Vasili ka dhënë dje sinjale të qarta se gjithçka bëhet për hir të reformës në gjyqësor. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai u shpreh se djegia e mandateve erdhi për arsye që Parlamenti të mos kishte mundësi të votonte reformën në drejtësi. “Djegia e mandateve ishte rruga e vetme, zgjidhja e vetme dhe reagim i vetëm përballe një demokracie, që shkatërrohet e rrënohet dhe një shteti, që kapet e asgjësohet nga rilindja si produkt kriminal i provuar i zgjedhjeve të kriminalizuara. Kjo Republikë dhe ky Parlament i kalbur, që qelbet era krim s’mund të pjellë veçse drejtësi të kapur dhe mundësi zero për një reformë në drejtësi të paanshme politikisht, por edhe për çdo reformë tjetër qoftë kjo ekonomike e shoqërore. Çdo iluzion për një zbatim të drejtë dhe të paanshëm të reformës në drejtësi apo edhe i çdo reforme tjetër është thjesht një iluzion i rremë, i paqenë dhe jashtë realitetit në rastin më të mirë”, u shpreh Petrit Vasili.

Kapja e KLGJ dhe KLP

Ish deputeti i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë të kapura nga qeveria dhe opozita nuk kishte mënyrë tjetër për të vepruar, duke marrë vendimin ekstrem dhe duke lënë vullnetin e qytetarëve në mes. Ai u shpreh se edhe vetingu me dy standarde ishte një tjetër arsye që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dolën në rrugë, duke shtuar se drejtësia e re nuk ekziston. “Pas bllokimit nga rilindja të çdo mekanizmi parlamentar për të futur sërish reformën në drejtësi në dimensionin kushtetues të 21-22 korrikut 2016 dhe refuzimit arrogant në Parlament nga rilindja të paketës se ndryshimeve për reformën në drejtësi të paraqitur nga opozita, përfundimisht u asgjësua çdo mundësi institucionale e shpëtimit të reformës në drejtësi nga kapja. Dhe denoncimet e përditshme të një vetingu në drejtësi me dy standarde si dhe mbushja e Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë me njerëz me rekorde të errëta të kontestuara edhe nga vetë ndërkombëtaret e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të reformës në drejtësi shuajnë çdo iluzion të ashtuquajturës “drejtësi të re” dhe provojnë qartë se kapja nga rilindja është bërë kanceri, që po ha shtetin”, u shpreh Vasili. Ish deputeti i Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se vendimi i opozitës është i pakthyeshëm, pasi sipas tij mazhoranca po shkatërron mekanizmat demokratik. “Një mazhorancë, që shkatërron të gjitha mekanizmat e kontrollit demokratik dhe qytetar mund të përballet vetëm me mekanizmat asimetrike shumë të forta të qëndresës politiko qytetare pa kthim. Çdo sofizëm i kujtdo, që i largohet këtij realiteti tragjik për demokracinë është pa asnjë vlerë. Çdo sugjerim i llojit pseudo institucional, që opozita duhet gjoja të luftojë për reforma gjithfarësh, pa zgjidhur zemrën e problemit dhe nënën e të gjithë të këqijave, shitblerjen e votës do të ishte thjesht një alibi për regjimin kriminal të rilindjes”, u shpreh Petrit Vasili.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here