Berisha-Kryemadhi dhe 9 ish-deputetë dogjën mandatet por nuk heqin dorë nga benefitet, duan “pension”

0
347

Nuk kanë fund çuditë me opozitën. Edhe pse Monika Kryemadhi del çdo ditë e thotë se dogjën mandate për hir të popullit dhe janë gati të sakrifikojnë gjithçka, në të vërtetë nuk po rezulton kështu. Kryemadhi, Sali Berisha dhe 9 deputetë kanë aplikuar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të marrë pagesën shtesë, e cila është sa gjysma e pagës bruto që merrnin në Kuvend. Në ligjin për statusin e deputetit parashikohet që ata të përfitojnë pagesën e cila jepet nga Instituti i Pensioneve. Pra në një farë mënyre është një lloj pensioni i pjesshëm.

Emra të tjerë përveç Berishës dhe Kryemadhit janë: Grida Duma, Andon Frrokajn, Gent Strazimiri, Florjon Mima, Genc Pollo, Dhurata Çupi, Nard Ndoka dhe Petrit Vasili. Sipas ligjit 8097, i vitit 1996, ish-deputetët përfitojnë pagesë kalimtare pas mbarimit të mandatit. Ligji parashikon se shuma shkon në masën 50% të pagës bruto të deputetit për aq vite sa kanë pasur funksionin e deputetit, por jo më shumë se 3 vjet. Rroga kalimtare merret nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili i paguan duke filluar nga muaji i tretë i mbarimit të mandatit. Kjo pasi për dy muajt e parë ata kanë përfituar rrogën e plotë nga Kuvendi. Kësisoj, rroga kalimtare fillon nga 21 prilli kur bëhen dy muaj nga djegia e mandateve nga opozita. Ndërkohë, një pjesë e deputetëve të opozitës kanë bërë padi në Gjykatën Administrative kundër Kuvendit, duke kërkuar pagat e muajve kur ata kanë qenë në bojkot parlamentar.

Bojkoti i Kuvendit nisi në fillim të korrikut dhe më 21 shkurt opozitarët hoqën dorë edhe nga mandatet e deputetit. Pra duket qartë se shumë deputetë janë penduar nga djegia e mandateve, pasi posti u jepte shumë benefite. Deputetët përveç pagës, kishin imunitet, pasaporta diplomatike, dieta, telefona, etj. Por duket se Kryemadhi me Berishën duan të shfrytëzojnë në maksimum benefitet që u jep ligji, pasi duan dhe tani rrogë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here