Google search engine
Home Aktualitet Plas te Komisioni i Ligjeve, Braho akuza Agron Tufës: E ka kthyer...

Plas te Komisioni i Ligjeve, Braho akuza Agron Tufës: E ka kthyer Institutin e Krimeve të Komunizmit në njësi të Ballit Kombëtar, të shkarkohet

0
406

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është përfshirë ditën e djeshme nga debatet. Shkak është bërë miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit në Shqipëri për vitin 2018”, institucion ky që për deputetët e mazhorancës është në “gjumë”. Ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, i cili ka hedhur një arsenal akuzash ndaj kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmi, Agron Tufa, sa i takon punëve të tij në krye të Institutit. Dhe e gjitha lidhet me demaskimin që u bën Tufa personazheve e ngjarjeve nga e kaluara komuniste që kanë lënë gjurmë e pasoja edhe sot e kësaj dite. Për deputetin socialist,

Tufa, me punën e tij tek ky institucion, po njollos historinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj. Madje, tejet i revoltuar Braho “kërcënoi” pedagogun Tufa se do të kërkojë shkarkimin e tij, ndërsa e akuzoi atë se e ka kthyer Institutin e Krimeve të Komunizmit në njësi të Ballit Kombëtar. “Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Partisë Ballit Kombëtar duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, luftën, heronjtë, dëshmorët, dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni. Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij”, deklaroi anëtari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho.

Reagon Tufa

Pas kësaj i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmi, Agron Tufa. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Tufa e cilësoi deputetin Braho një përfaqësues të zi të ish Sigurimit të Shtetit dhe pinjollë të komunizmit. Sipas tij, nga njerëz si Spartak Braho iu rrezikohet jeta shqiptarëve çdo ditë. “Miq të nderuar, Dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit”, deklaroi kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmi, Agron Tufa. Pas debatit, deputetët e komisionit bënë sugjerime ndryshuese të tekstit të projektrezolutës së paraqitur. Në përfundim, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, me shumicë votash miratoi kalimin me ndryshimet e propozuara të projektrezolutës në seancë plenare. Kujtojmë që Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri është miratuar nga Parlamenti shqiptar me vendim nr. 10242, të datës 25. 2. 2010, si Institucion Publik Qendror dhe i Pavarur, që gëzon statusin e personit juridik. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here