Google search engine
Home Politike Drejtesi Përshpejtohen procedurat për SPAK, ngrihet komisioni që do të verifikojë kandidatët

Përshpejtohen procedurat për SPAK, ngrihet komisioni që do të verifikojë kandidatët

0
428

Terreni për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion po bëhet gati. Që SPAK të marrë jetë, janë një sërë fazash që duhet të kalohen dhe kjo është në dorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri tani janë regjistruar 27 kandidatura që kanë shfaqur interes të jenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, por aplikantët do të duhet të kalojnë në filtrin e KLP. Për këtë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar një rregullore të posaçme, e cila hyri në fuqi ditën e premte duke u botuar tek Fletorja e Botimeve Zyrtare. Rregullorja përcakton se për vlerësimin e kandidaturave për SPAK duhet të ngrihet një komision i posaçëm. Ky komision u konstituua dje gjatë mbledhjes së KLP. Paraditen e djeshme u emëruan pesë anëtarët e Komisionit të Posaçëm që do të verifikojnë aplikantët prokurorë për anën profesionale dhe integritetin e figurës. Tre prej anëtarëve të këtij komisioni janë ata të Komisionit të Karrierës, konkretisht: Arben Dollapaj, Sandër Beci dhe Bujar Sheshi, i cili ka zëvendësuar Antoneta Sevdarin e cila u largua pas vendimit të shkarkimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë janë ndarë, një nga radhët e prokurorëve Besnik Cani dhe një nga anëtarët jo prokurorë të KLP-së, Tartar Bazaj. Bazaj fitoi përkundrejt dy kandidatëve të tjerë, Genti Ibrahimi dhe Nurihan Seiti. Kryetari i KLP, Genti Ibrahimi bëri të ditur se Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë brenda kësaj jave mbledhjen e tij të parë, ku do të nisin edhe procedurat për kalimin në sitë të 27 garuesve. Ai theksoi se kjo fazë do të marrë 40 ditë kohë. “Brenda një jave nga dita e premte do të mblidhet Komisioni i Posaçëm i KLP që do të merret me vlerësimin e kandidaturave. Pra, brenda të premtes së kësaj jave fillon puna për shqyrtimin e kandidaturave të SPAK. Kjo procedurë do të zgjasë rreth 40 ditë”, tha Genti Ibrahimi.

Anëtarët e Krimeve të Rënda në veting

Pas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në lëvizje për ngritjen sa më parë të SPAK është vënë edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Kandidatët për Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme duhet që para se të emërohen si anëtarë të kalojnë edhe në sitën e vetingut. Ky proces është në dorë të KPK, i cili do t’i kalojë në sitë me përparësi. Ditën e sotme do të zhvillohet seanca e parë dëgjimore për anëtarët e Krimeve të Rënda. Llogari para KPK do të japë kryetari i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petku. Trupa gjykuese do të përbëhet nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Xhensila Pine, ndërsa seanca do të jetë në orën 12.00. Fakti që po zhvillohet seanca dëgjimore për një prej anëtarëve të Krimeve të Rënda tregon se procesi i rivlerësimit për ta është mbyllur dhe tani priten vetëm seancat. Sipas ligjit, anëtarët e Krimeve të Rënda do të jenë pjesë e SPAK dhe për t’i rivlerësuar sa më parë aplikantët, KPK po kryen detyrën e saj me përparësi. Tani pritet që në sitë të kalojnë edhe të gjithë kandidatët e tjerë.

Rritje page për prokurorët e SPAK

Anëtarët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të përfitojnë edhe rritje page në krahasim me prokurorët e tjerë, si një stimulim për punën që duhet të bëjnë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Diçka të tillë e bëri të ditur dje ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një seance dëgjimore para Komisionit të Integrimit. Duke folur për punën e Ministrisë së Drejtësisë gjatë 2018, Gjonaj tha se në fokus për këtë vit është padyshim ngritja sa më parë e SPAK. “Nga 1 janari 2019 pagat e gjyqtarëve janë dyfishuar. Por po shohim edhe mundësinë e rritjes së pagës për prokurorët që do të jenë pjesë e SPAK me qëllim që të ketë një diferencë dhe shtytje për punën në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është një iniciativë e re që po përgatitet nga qeveria në bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët”, deklaroi Etilda Gjonaj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here