Google search engine
Home Politike Drejtesi Brenda qershorit ngrihet Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe zgjidhet ngërçi i...

Brenda qershorit ngrihet Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe zgjidhet ngërçi i Gjykatës Kushtetuese

0
508

Qershori pritet të sjellë ngritjen e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe zgjidhjen e ngërçit të Gjykatës Kushtetuese. Brenda këtij muaji këto dy organe do të jenë gati dhe funksionale, sipas ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ditën e djeshme ajo ishte e pranishme tek Komisioni i Integrimit për të raportuar për ecurinë e reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe plotësimit të pesë kritereve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave. Gjatë fjalës së saj, Gjonaj deklaroi se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po vlerëson kandidatët si për ILD, ashtu edhe për Gjykatën Kushtetuese dhe së shpejti do të bëhet edhe rankimi i tyre. “Sot jemi në proces të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese, ku Këshilli Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur nga Kuvendi me short ka nisur punën që në janar. KED ka shpallur thirrjen edhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe shumë shpejt pas rankimit të kandidatëve, do të kemi  Inspektorin e ri të Lartë të Drejtësisë.

E njëjta situatë është dhe me Gjykatën Kushtetuese. KED, pas thirrjes së bërë nga presidenti për pozicionet e lira në Gjykatën Kushtetuese, ka nisur vlerësimet e kandidaturave. Siç shihet një pjesë e institucioneve të reja janë gati për t’u ngritur dhe deri në qershor do kemi Gjykatën Kushtetuese të plotësuar, pra do të arrihet kuorumi për vendimmarrje. Po ashtu do kemi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të emëruar”, u shpreh ministrja. Ajo bëri një bilanc edhe të punës së komisioneve të vetingut gjatë vitit 2018. “Vetingu ka ecur me ritme të mira dhe ka patur rezultate pozitive. Deri në datën 11 mars janë regjistruar 110 vendime të marra, ndërkohë numri i tyre ka shkuar deri në 120 deri më sot që flasim. 50 vendime janë për konfirmim në detyrë, 44 për shkarkim nga detyra dhe 16 vendime për dorëheqjen, sot që flasim ky numër ka shkuar në 20. Ky është një proces që po ndiqet nga OMN. Qeveria ka dhënë incentiva financiare për procesin e vetingut dhe institucioneve të reja të drejtësisë. Janë 110 milionë lekë në total së bashku me investimet në infrastrukturë”, tha Etilda Gjonaj. Ajo theksoi se brenda prillit do të bëhet i mundur miratimi i të gjitha ligjeve të paketës së reformës në drejtësi dhe do të jenë gati edhe aktet nënligjore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here