Google search engine
Home Aktualitet Hakmarrja mes bandave në Shkodër, vriten në atentat mafioz babai dhe xhaxhai...

Hakmarrja mes bandave në Shkodër, vriten në atentat mafioz babai dhe xhaxhai i ish boksierit të Vllaznisë, pjesë e grupit “Bajri”

0
405

Nuk ka fund krimi në Shkodër. Kryeqendra e veriut do të tronditej sërish mëngjesin e djeshëm nga një krim i dyfishtë. Lufta mes bandave kriminale në këtë qytet ka shënuar dy viktimat e radhës. Mëngjesin e djeshëm, qyteti verior u trondit nga një atentat mafioz, ku u ekzekutuan dy vëllezërit Astrit e Brahim Bilali. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras, e cila është një nga zonat më problematike të Shkodrës. Dy vëllezërit u qëlluan me breshëri automatiku nga një automjet, duke mos i lënë mundësi viktimave të reagonin. Ata kanë mbetur të vdekur në vend, si pasojë e plumbave të marrë. Ata u ekzekutuan sapo dolën nga shtëpia duke shkuar për tek banesa e motrës së tyre. Pas atentatit autorët më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit, ndërsa mjeti që u përdor në atentat u gjet i djegur në rrugicat e lagjes. Ekspertët e kanë këqyrur me shpresë që të gjejnë prova, pasi makina ishte djegur pjesërisht. Qindra forca policie rrethuan rrugët dhe lagjet e Shkodrës duke shpresuar për kapjen e tyre. Pista kryesore hetimore që ka grupi hetimor është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve rivale dhe pikërisht këtu është fokusuar puna e hetuesve. Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, ish-kampionit të boksit i arrestuar nga policia si pjesë e grupit Bajri. Ai ka qenë pronar i një resorti hipizmi në Shkodër. Ndërsa Brahim Bilali ka qenë kryetar i Shoqatës 2 Prilli 1992.

Hetimet

Menjëherë pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u nis një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Autorët ende të paidentifikuar të atentatit të dyfishtë në Shkodër, të cilët dyshohet të kenë qenë dy persona, pasi vranë vëllezërit Bilali, dogjën makinën e krimit. Automjeti u gjet duke u djegur pak metra larg zonës ku u vranë Brahim dhe Astrit Bilali, në një rrugicë të lagjes “Guerile”. Forcat zjarrfikëse të njoftuara për ngjarjen, bënë të mundur shuarjen e flakëve duke mos lejuar djegien e plotë të makinës. Kjo është një shenjë e mirë për policinë kriminale, e cila mund të gjejë gjurmë të autorëve nga fakti që makina nuk është shkrumbuar. Djegia e makinave pas krimit është një metodë që përdorin autorët në atentate kriminale për të fshehur gjurmët. Por në këtë rast, makina nuk është djegur plotësisht në brendësi të saj, dhe pritet të shihet nëse do mund të gjendet ndonjë gjurmë sado e vogël që mund të çonte në identifikimin e autorëve. Gjithashtu grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e këtij atentati mafioz ka sekuestruar dhe disa kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja si dhe u gjet makina e djegur me qëllim identifikimin e autorëve. Ndërkohë targat e automjetit të përdorur nga autorët, AA 369 RV, dyshohet se janë false. Pasi nga hetimet e deritanishme të policisë, rezulton se ato i përkasin një automjeti tjetër, Volksvagen Polo. Sipas të dhënave të para hetimore, autorët dyshohet se i kanë ruajtur prej orëve të para të mëngjesit dy vëllezërit Bilali dhe sapo kanë konstatuar daljen e tyre në oborrin e shtëpisë, kanë shtënë me breshëri duke u larguar më pas. Dy viktimat nuk kanë precedentë penalë, por dyshimet e grupit hetimor janë se vrasja e dy vëllezërve Bilali është bërë për shkak të luftës së nisur mes dy fiseve të njohura në botën e krimit në Shkodër. Vrasja dyshohet të jetë hakmarrje për shkak se viktimat kanë lidhje me një tjetër vrasje ndodhur pak kohë më parë në këtë qytet. Ndërkohë menjëherë pas ngjarjes së rëndë policia e Shkodrës ka shoqëruar në komisariat disa persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen e rëndë.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

Disa orë pas ekzekutimit të vëllezërve Bilali, Policia e Shkodrës dha informacion zyrtar për ekzekutimin e dyfishtë që tronditi Shkodrën dhe mbarë opinionin publik, ku mbetën të vrarë vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali. Në një njoftim për mediat, policia sqaron se ngjarja ndodhi rreth orës 09:45, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika” nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit Astrit Bilali, 59 vjeç, dhe vëllai i tij Brahim Bilali, 61 vjeç. “Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët pas ngjarjes janë larguar me një automjet i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja”. Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku u ngritën pika kontrolli, si dhe u bë krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve. Gjithashtu, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u nis një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje. “Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që çdo informacion sado të vlefshëm që mund të kenë të njoftojnë në numrin 112 ose në numrin 0 69 410 2147 duke ju garantuar ruajtjen e plotë të anonimatit”, thotë policia në njoftim. Kryeqendra e veriut prej gati një viti është zhytur në krim dhe siç duket ngjarjet kriminale në këtë qytet nuk do kenë fund. Qyteti verior është cilësuar së fundmi si Palermo e Shqipërisë për shkak të vrasjeve mafioze që janë bërë së fundmi në këtë qytet. Nëntë jetë të humbura disa të plagosur dhe dy të zhdukur është bilanci mes përplasjeve të bandave rivale në Shkodër. Përplasjet nisën me atentatin me tritol ndaj biznesmenit Lulzim Kulla në janar të vitit 2018, ku ky i fundit së bashku me shtatë të tjerë mbetën të plagosur. Pas kësaj ngjarjeje nisi dhe hakmarrja mes bandave kriminale./Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here