Teatri në vendin tonë përballet me shumë probleme dhe sipas artistëve përgjegjësia shkon te institucionet që prej vitesh me politikat ndaj artit dhe kulturës kanë sjellë këtë gjendje, që është sot. Në reagimet e tyre ata shprehen se për artin në vend mungesa e buxheteve, infrastruktura në institucione të ndryshme apo dhe mungesa e statusit të artistët janë probleme, që prej vitesh janë në jetën artistike. Për regjisorin e njohur Edmond Budina në këto vite politikanët nuk kanë menduar për artin dhe teatrin në vend. Sipas tij gjendja sot lë për të dëshiruar, por deri tani qeveritarët shqiptarë ndër vite kanë treguar se nuk e kanë dashur teatrin. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur Edmond Budina tregon se nëse teatrin ynë do të ishte si duhej edhe shoqëria do të ishte më mirë se sa është sot, duke pasur më pak korrupsion, krime dhe varfëri. Në jetën artistike me teatrin dhe kinemanë regjisori Edmond Budina është një nga emrat e vlerësuar. Veprat e tij janë mirëpritur nga publiku dhe kritika, por ai shpreh keqardhjen që edhe Dita Ndërkombëtare e Teatrit e gjeti teatrin në vendin tonë mes shumë problemeve. Për regjisorin Edmond Budina në vend që shteti të mendojë të rikonstruktojë Teatrin Kombëtar dhe të jetë në funksion të jetës artistike në vend mendon ta shkatërrojë, gjë të cilën ai e quan të papranueshme.
– Artistë të ndryshëm u shprehën se Dita Ndërkombëtare e Teatrit e gjeti teatrin në vendin tonë mes shumë problemeve. Ju si e shikoni teatrin sot?
Mesazhi im në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Teatrit është që këto 30 vite politikanët tanë nuk kanë menduar fare për teatrin në vendin tonë. Politikanët tanë e kanë shkatërruar teatrin ndër vite dhe politika është vrasëse e teatrit në këta gati 30 vjet. Unë mendoj, që pas kësaj duhet një rilindje e teatrit tonë për ti dhënë atij forcën dhe fuqinë dhe vendin që i takon në shoqërinë shqiptare. Nëse teatri ynë do të ishte ashtu si duhet të ishte padyshim që shoqëria jonë shqiptare do të ishte më e mirë se sa është sot. Ne do të kishim shumë më pak korrupsion në shoqërinë tonë, do të kishim shumë më pak krime, shumë më pak varfëri. Pra të gjitha gjërat do të ishin me shumë më pak kur flasim për problemet që na rrethojnë nëse do të funksiononte si duhet teatri. Teatri që në kohët e lashtësisë është një vlerë e shtuar e shoqërisë së njerëzore dhe e dallon pikërisht nga kafshët ky intelektualizëm i teatrit, të bërit teatër e dallon shoqërinë njerëzore. Sa më i zhvilluar të jetë teatri aq më e zhvilluar është një shoqëri njerëzore. Për fatin tonë të keq teatri ynë në këto gati 30 vite është shkatërruar dhe kjo i ka sjellë dëme të mëdha shoqërisë sonë shqiptare ndaj dhe ne jemi në këtë gjendje.
-Ju pohoni se teatri është shkatërruar, por çfarë ka humbur dhe sa ka bërë Ministria e Kulturës ndër vite për teatrin?
Teatrit i ka humbur infrastruktura, i kanë humbur buxhetet që duhet të jepte shteti për teatrin tonë. Teatri është shkatërruar, që nga nëpërkëmbja që i është bërë njerëzve të skenës, pra aktorëve, regjisorëve, skenografëve, etj. Por sot që ne flasim artistët, njeriu i skenës ende nuk ka një status. Artistët shqiptarë janë pa status një kërkesë e bërë prej vitesh dhe ende asgjë nga ministria. Pa dyshim që kjo është nëpërkëmbje e artistëve tanë. Ministria e Kulturës bëri të ashtuquajturën reformë në teatro me ato kontrata të përkohshme, por që nuk iu jep mundësinë artistëve, njeriut të skenës të jetë i pavarur, të ketë mundësi të zhvillohet. Në Shqipëri nuk nxitet iniciativa teatrore private. Nëse në kohën e partisë së punës ne kishim disa salla në Tiranë, sot dhe këtë që është duan ta shkatërrojnë. Ky është krimi më i madh që i bëhet teatrit tonë dhe kulturës sonë. Në vend që shteti të mendojë që këtë Teatër Kombëtar sot ta rikonstruktojë dhe të bëjë një teatër tjetër dhe jo vetëm një, por disa teatro sepse Tirana është zhvilluar shumë, ata duan ta shkatërrojnë. Kjo për mua është e papranueshme. Për mua kjo që duan të bëjnë është shkatërrimi bazë i teatrit.
– Dramaturgët e pohojnë jo pak problemin me mungesën e dramës shqipe në teatër. Ata i janë drejtuar dhe Ministrisë së Kulturës herë pas here me reagimet e tyre. Edhe ju e keni shprehur këtë shqetësim, çfarë duhet bërë?
Unë jam i mendimit që drama shqipe nuk ka vdekur, por nuk është interesi i këtyre njerëzve të cilët duan të shkatërrojnë teatrin dhe e lënë në këtë gjendje. Unë po them, që nëse ai Teatër Kombëtar do të ristrukturohet dhe do të shpëtojë ai duhet të kthehet në Teatër Kombëtar të Dramës Shqipe. Dhe aty të vihen drama shqipe. Edhe unë që tani jam në kontakt me njerëz artistë dhe kemi një ide që nëse ai teatër do të shpëtohet gjëja e parë që do të jetë është që të jenë paralelisht disa pjesë kombëtare shqiptare. Pra që të vihen të gjitha menjëherë vetëm pjesë kombëtare sa ai të hapet. Unë mendoj që drama shqipe ekziston, por nuk është interesi i politikës sonë që ta kemi sa më shumë dramën tonë kombëtare në skena të teatrit.
-Sipas jush, pse politika nuk ka interes që të ketë sa më shumë vepra shqiptare në skena, kur artistët shprehen se është dhe detyrim nga institucionet e teatrit?
Politika nuk ka interes që ne të kemi sa më shumë drama shqipe në teatër, sepse duke trajtuar problemet e ditës, problemet që shqetësojnë shoqërinë tonë shqiptare natyrisht që politikanët kanë frikë. Politikanët dhe njerëzit e korruptuar kanë frikë nga arti i vërtetë dhe për këtë arsye ata duan ta vrasin.
-Artistë të njohur nga rrethe të ndryshme shprehin shqetësimin që jeta artistike me shfaqjet teatrore nuk është më si dikur. Ju çfarë mund të na thoni?
Problemet me teatrin janë të shumta. Është një strategji e përgjithshme për të vrarë teatrin në të gjithë Shqipërinë.
-Nga kush është sepse në institucionet që merren me politikat e artit flitet për investime apo dhe projekte?
Kjo nuk është thjesht çështja e Teatrit Kombëtar. Por është çështja për të shkatërruar teatrin në vend, kudo që të jetë. Është një strategji e tillë dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për këta që janë në pushtet sot, por dhe ata që ishin dje, që nuk kanë bërë asnjë gjë për ta zhvilluar artin teatror në vendin tonë, me përjashtim të faktit që njëherë shumë vite më përpara na qenkësh rritur rroga e aktorëve. Pra e vetmja gjë që na qenka bërë në gjithë këto vite është që është rritur një herë rroga e aktorëve. Por nuk është vetëm kjo sepse janë shumë probleme me teatrin. Ju pohova që sot artistët janë pa status. Vetëm është folur dhe asgjë nuk është bërë për statusin e artistit nga institucionet tona.
-Skena e Pavarur Kulturore zhvilloi një takim ku organizatorët u shprehën se ishte dhe ftesa drejtuar ministres së re të Kulturës si dhe përfaqësuesve të ministrisë, por munguan. Ju si e shikoni?
Unë nuk e di këtë, por nëse ata e kanë ftuar dhe në momentin që një ministër Kulture nuk pranon të takohet me artistët për mua çfarë ministri kulture është ai që nuk pranon të takojë dhe ti dëgjojë? Gjëja e parë që duhet të bënte një ministër Kulture që vjen për herë të parë në qeveri duhet të bëjë një bisedë shtruar me njerëzit e artit, me njerëzit e skenës. Por nëpërkëmbin çdo njeri dhe mendojnë se vetëm ata i dinë, janë bërë si me thënë zotër të këtij vendi. Por nuk janë as zotër të këtij vendi dhe as sulltanë të këtij vendi, por duhet të jenë shërbëtorë të qytetarëve dhe artit dhe jo sipërmarrës ose padronë të artit. Në këtë aspekt mospjesëmarrja e ministres së re të Kulturës që të shkojë dhe të jetë në atë takim me përfaqësuesit e Skenës së Pavarur Kulturore dhe të flitet për problemet e artit dhe kulturës si dhe zgjidhjen e tyre për mua është i pakuptimtë ai veprim. Në një vend normal një njeri i këtij lloji do të kishte dhënë dorëheqjen, por në Shqipëri askush nuk jep asnjëherë dorëheqjen.
-Ministria e Kulturës shpalli projektet e pavarura në fushën e artit, por sërish artistët e akuzuan për mungesë transparence sipas tyre nuk u publikua bordi apo dhe buxhetet. Sa është shqetësuese kjo për ju?
Problemi në Shqipëri është i madh sa i takon mungesës së transparencës, sepse jo vetëm Ministria e Kulturës deri tani ka treguar që nuk ka transparencë, por këtu nuk ka transparencë duke nisur që nga maja më e lartë e shtetit. Kur këtu përshembull bëhen tendera për të shembur teatrin që është fare pa transparencë, është në shkelje të hapur të Kushtetutës, është vjedhje e pronës publike, mendo pastaj transparencë në Ministri të Kulturës. Padyshim që është e papranueshme dhe thjesht për këtë gjë duhet të ngrihen dhe të bëhen të gjithë bashkë artistët, të ngrihen dhe ta kundërshtojnë ashpër gjithë këtë realitet.
-Sipas artistëve për një shfaqje teatri nga ministria jepet pak buxhet deri te 300 mijë lekë të reja. Kjo për ju si ndikon?
Nuk bëhet dot një shfaqje me pak buxhet. Jam kundër kësaj, është si të japësh disa thërrime për të mbajtur gjithmonë në presion.
-Një nga çështjet që po flitet jo pak nga artistët është dhe ligji i artit. Sipas tyre deri tani nga Ministria e Kulturës kanë munguar takimet për diskutime gjatë hartimit të tij. Sa është kjo problem?
Ligji i teatrit duhet të bëhet një orë e më parë, por një ligj i tillë nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e artistëve. Nuk mund të vendosin ligjvënësit, që nuk e njohin fare këtë fushë, pa marrë më parë opinionin e artistëve. Mua më duket absurde si mund të bëhen ligje për artin, për teatrin pa pjesëmarrjen e artistëve.
Intervistoi: Julia VRAP











































