Me dorëzimin e mandateve, opozita ka paralajmëruar se do të bojkotojë zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Lulzim Basha ka kërkuar më herët zgjedhje të parakohshme, me kushtin që të mos jetë më Edi Rama kryeministër. Por duket se për këtë vendim kreun demokrat po e tradhtojnë aleatët e tij. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka dhënë sinjalet e para se do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore dhe do të kandidojë për Bashkinë Durrës. Gjatë një interviste televizive ai deklaroi se edhe pse ka dorëzuar në bllok mandatin e deputetit, nuk ka qenë asnjë herë dakord për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Duka këmbënguli se për një betejë që do të largonte pushtetin e lidhur me krimin në Durrës, do të ishte i gatshëm të sakrifikohej. “Nëse opozita e bashkuar në kushte normale dhe jo në këtë kushte vendos, atëherë unë mund të kandidoj dhe sakrifikoj. Them sakrifikoj sepse në Durrës është zonë e vështirë ku ka pasur gjithë ato problematika të cilat keni dëgjuar. Mendoj se akoma nuk është çliruar nga ato problematika që ka pasur. Unë s’kam qenë asnjëherë për bojkot zgjedhjesh”, u shpreh Duka. Kreu i PAA deklaroi se sistemi zgjedhor aktual deformon votën e qytetarëve, duke shtuar se duhet një sistem i ri. Duka deklaroi se për këtë çështje është konsultuar edhe me kreun demokrat, duke theksuar se së shpejti opozita do të dalë me një version të saj për sistemin zgjedhor. “Unë dhe shumë të tjerë të politikës kemi ngulur këmbë që sistemi aktual deformon votën e qytetarëve dhe kërkojmë sistem tjetër ku të ketë elementë mazhoritar. Mund të jetë sistem me lista të hapura dhe korrektim kombëtar apo qoftë kombinim i sistemit mazhoritar me proporcional. Faktikisht me Bashën kemi patur komunikime të vazhdueshme dhe jemi në konsultime që të dalim publikisht me një version tonin për një sistem të tillë. Mendoj se nga opozita ka vullnet pozitiv”, u shpreh Duka. Ndryshimin e Kodit Zgjedhor me votat e opozitës së re parlamentare Agron Duka nuk e sheh si një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo për shkak të mungesës së legjitimitetit në përfaqësim të deputetëve të rinj që në gjuhën që njeh më mirë, atë bujqësore, i etiketon si OMGJ- organizma të modifikuar gjenetikisht.









































