Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërprerë procesin e vetingut për katër gjyqtarë dhe një prokuror. Në faqen zyrtare të KPK janë publikuar pesë vendimet e plota që tregojnë edhe arsyet se pse ky organ ka vendosur që hetimet në kuadër të procesit të rivlerësimit të mos vijojnë më për ta. Më konkretisht, bëhet fjalë për gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Durrës, Myriban Mullaj; gjyqtarin e Gjykatës së Kukësit, Granit Qypi; gjyqtaren e Gjykatës së Vlorës, Gjinovefa Gaba; gjyqtarin e Gjykatës së Durrësit, Fejzo Hysi dhe për prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Përparim Hasa. Sipas vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të pestë këta emra kanë dalë në pension, duke mbaruar kështu shërbimin e tyre në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, KPK ka vendosur të ndërpresë procesin e vetingut. Si argument, KPK ka përdorur në të gjitha vendimet nenin 95 të Kodit të Procedurës Administrative. “Trupi gjykues çmon se objekti për të cilin kishte nisur procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi, është bërë i pamundur, referuar nenit 95, “Pamundësia në objekt apo qëllim”, të Kodit Procedurës Administrative, i cili specifikon se: “Organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative panjë vendim përfundimtar për çështjen, kur objekti për të cilin kishte nisur procedura apo qëllimi i tij është bërë i pamundur. Ligji nr. 84/2016, në pikën 6 të nenit 4, parashikon se, kur është rasti institucionet e rivlerësimit mund të zbatojnë edhe procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, nëse këto procedura nuk janë parashikuar nga dispozitat e Kushtetutës ose të këtij ligji. Për këto arsye, trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi Të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar për znj. Myriban Mullaj, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Durrës, pa një vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur”, thuhet në një prej vendimeve të KPK. Në këtë mënyrë, dalja në pension i ka shpëtuar pesë emrat e mësipërm edhe nga përballja me gjetjet e KPK. Kujtojmë që procesi i vetingut pak kohë më parë iu ndërpre edhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas dorëheqjes së këtij të fundit.











































