Kineastët përgënjeshtrojnë Margaritin: Arkivit të Filmit i pikon taraca, nuk ka kushte për ruajtjen e filmit

    0
    440

    Restaurimi i filmave shqiptarë ka qenë një nga projektet më emergjente që është pohuar jo vetëm nga kineastët, por dhe nga AQSHF. Edhe pse përpjekjet vijojnë për të restauruar filmat nga arkivi, për kineastët duhet që shteti të japë fonde, sepse filmat rrezikojnë jo pak. Kineastët Kristaq Mitro dhe Esat Musliu shprehen se problemet që janë sot në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit janë për mungesë të investimit. Kineasti Kristaq Mitro nuk pajtohet as me pohimet e ministres së Kulturës Elva Margariti, e cila gjatë një vizitë në AQSHF sipas tij u shpreh për kushte të mira për ruajtjen e filmit. “Nëse del e thotë ministrja e Kulturës që jemi mirë dalin dhe tjerët thonë jemi mirë, problemet pranohen sipas erës që fryn. Ishim një ditë me kolegët e tjerë dhe të gjithë po thonin si ka mundësi që ministrja shkon në AQSHF dhe flet për kushte ideale për filmin. Çfarë kondite ideale ka AQSHF kur ka filluar dhe pikon taraca e ndërtesës? E dini çfarë do të thotë kjo? Atje pikon taraca në AQSHF dhe ministrja kur shkoi shprehet se kemi kushte ideale për filmin. E kupton se si ruhet filmi dhe çfarë konditash do filmi? Por nuk është ky problemi, por aty nganjëherë ikin dhe dritat. Ja ky është arkivi dhe kushtet sot. Më parë kur kanë qenë drejtues të tjerë e di që nuk kanë pasur mundësi të paguanin dhe korentin, por duhet mbajtur ambienti me kushtet e duhura”, pohon ai. Regjisori i njohur Kristaq Mitro shprehet se filmi “Liri a vdekje” që ka realizuar bashkë me regjisorin Ibrahim Muçaj më 1979 po humbet nëse nuk bëhet restaurimi. “Filmat po dalin boje po prishen dhe kjo është një histori që vazhdon prej vitesh. Unë i kam thënë dhe atyre në AQSHF që po prishet filmi “Liri a vdekje”, po i ikin ngjyrat. Më kanë thënë që mos gjejnë fonde për restaurimin, sepse ai kushton. Di që janë çuar disa filma për restaurime dhe shumë mirë. Janë çuar dy filma të Xhanfise Kekos për rregullim, apo dhe ndonjë titull tjetër, por ka shumë filma të tjerë që duan restaurimin. Filmi “Liri a vdekje” është në katastrofë, është kthyer në monokrom, në kafe, pra njëngjyrësh. Çfarë të shikohet më ai film? Ministria e Kulturës duhet ta dijë që këto probleme i rregullon paraja, duhet investim për filmin, por kjo ka munguar. Sipas ministres së që ka ardhur konditat atje janë ideale, pra nuk kanë nevojë të bëjnë asgjë, dhe le të ikin filmat”, shprehet regjisori Kristaq Mitro.

    Kujdesi për filmat

    Edhe për kineastin e njohur Esat Musliu problemet që janë me AQSHF vijnë sepse prej vitesh ka munguar vëmendja për buxhetin që duhet. Në reagimin e tij kineasti Musliu shprehet se restaurimi i filmave është një proces që duhet të jetë emergjencë dhe duhet menduar nga shteti. “Arkivi i filmit është për faqe të zezë me buxhetin, sepse nuk ka para që të bëhet restaurimi i filmave që po marrin fund, sidomos filmat me ngjyra që po dekolorizohen. Dhe njëkohësisht arkivit i mungon dhe një telekinema, që të vazhdojë të hedhi gjithë materialet e arkivit në servera. Kjo sepse në prezantimet që bëhen me filmat nëse marrin materiale origjinale që janë pelikula dëmtohen. Një film në pelikul ka një numër të caktuar projeksionesh dhe më pas del jashtë përdorimit, sepse gërvishtet. Pra AQSHF është për faqe të zezë me buxhet për problemet që janë prej vitesh”, shprehet regjisori Eat Musliu. Në reagimin e tij ai përmend filmin “Vitet e pritjes” që kërkon restaurim. “Nga filmat e mi di që ka nevojë për restaurim filmi “Vitet e pritjes” që është më ngjyra, por që dhe ai po dekolirizohet sepse është xhiruar me geva kolor dhe pelikula ka qenë me probleme që në laborator, sepse nuk kishte solucionet përkatëse”, tregon regjisori.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here