Dokumentet e CIA, ja si Hrushovi i bënte presion Hoxhës të rehabilitonte figurën e Koçi Xoxes dhe të distancohej nga stalinizmi

0
408

Amerikanët nxjerrin të tjera detaje nga marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në vazhdën e dokumenteve të ditëve të fundit, tregohet se si pas Liri Gegës, pati përplasje dhe për Koçi Xoxen. Moska i bënte presion Tiranës që ai të mos ishte më armik dhe të rehabilitohej figura e tij.

Maja e marrëdhënieve Shqipëri-BRSS 1948-1955

Partia shqiptare që i kishte shpëtuar zgjedhës jugosllave të shtatë viteve, tashmë përqafoi me entuziazëm mbikëqyrjen sovjetike që solli dhe rritjen e statusit të saj në bllokun sovjetik. Kjo sepse nën hegjemoninë jugosllave partia shqiptare ishte e përjashtuar nga çështjet e bllokut dhe nuk ishte pranuar në Cominform. Ndërsa përveç Jugosllavisë kishte këmbime ekonomike vetëm me Bullgarinë. Përveç një vizite të Hoxhës në Sofie në 1947, ai nuk kishte pasur kontakte me liderë të tjerë të bllokut. Ndërsa gjatë shtatë viteve të para të lidhjes me BRSS, Shqipëria u pranua në Këshillin e Asistencës Reciproke dhe në Paktin e Varshavës në maj 1955. Për sa kohë që Moska vazhdonte sherrin e saj me Jugosllavinë, Shqipëria ishte e lumtur të ndiqte drejtimin e saj. Por në vitin 1955 Hrushovi nisi politikën e tij të afrimit me Jugosllavinë dhe me të liderët shqiptarë nisën të tregonin rezervime ndaj udhëheqjes sovjetike. Me largimin e këshilltarëve e teknikëve jugosllavë nga Shqipëria në 1948, vendet e tyre i zunë shpejt zyrtarët rusë. Në Tiranë llogaritet se erdhën 200 deri në 300 oficerë sovjetikë në 1948 dhe numri ishte zgjeruar në rreth 3000 brenda vitit, thanë autoritetet. Delegacioni shqiptar tregtar i drejtuar nga Tuk Jakova, nënshkroi marrëveshjen e parë në Moskë me BRSS dhe pas saj shumë vende socialiste të Evropës Lindore bënë të njëjtën gjë. Një program i veçantë asistence ushtarake u zhvillua, kryesisht me qëllim mbështetjen e luftës së guerilasve komunistë në Greqi nga Shqipëria. Deri në vitin 1951 BRSS dhe vendet e tjera satelite jepnin 1 të tretën e buxhetit shqiptar dhe materialet e nevojshme për projektet industriale që nisën me planin 2-vjeçar të vitit 1949. Në 1954 misioni sovjetik në Shqipëri përfshinte ambasadorin dhe katër misione të veçanta nën mbikëqyrjen e tij. Misionet përfshinin atë politik me rreth 40 funksionarë të atashuar në ministri të rëndësishme dhe zyra lokale, misionin ushtarak me rreth 120-130 oficerë të atashuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ushtrinë dhe brigadat e divizionet, misionin teknik me rreth 3000 specialistë dhe teknikë në miniera, fabrika, ndërmarrje bujqësore dhe instilacione ushtarake, dhe një mision të vogël kulturor me disa profesorë dhe artistë sovjetikë. Teksa lidhjet ekonomike e ushtarake zgjeroheshin, dhe kontaktet politike shtoheshin. Pas vitit 1948 kishte një numër të konsiderueshëm liderësh partiakë shqiptarë që studiuan në BRSS, ndërsa zyrtarët më të ulët dërgoheshin atje për kurse specializimesh apo në delegacione këmbimesh kulturore , ekonomike e politike.

Përshtatja me kursin e ri

Pas vdekjes së Stalinit dhe prezantimit të kursit të ri sovjetik, Shqipëria ashtu si dhe vende të tjera satelite të Ballkanit bënë përpjekjet e tyre për t’u përshtatur. Kolektivizimi i bujqësisë që sapo kishte nisur në Shqipëri, u kufizua, por fermat kolektive nuk u braktisën. Borxhet e fshatarëve u anuluan dhe kuotat e dorëzimeve u reduktuan. Në gusht 1953 qeveria u riorganizua dhe numri i ministrave u reduktua, në përshtatje me politikat e Moskës. Në këtë kohë dhe Hoxha hoqi dorë nga postet e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe një vit më vonë, sipas parimit të udhëheqjes kolektive i dha postin e kryeministrit Shehut. Fillimisht ashtu si udhëheqësit e tjerë të bllokut, dhe Shqipëria bëri hapa për përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë. BRSS propozoi në verën e 1953 shkëmbimin e ambasadorëve mes Tiranës e Beogradit dhe në dhjetor dy vendet kishin përsëri marrëdhënie diplomatike. Në gusht 1953, shqiptarët ashtu si fqinjë të tjerë të Jugosllavisë, më në fund pranuan krijimin e komisioneve të përbashkëta për ekzaminimin e incidenteve kufitare. Por negociatat nuk ishin të thjeshta deh u pezulluan përkohësisht në shtator nga jugosllavët, të cilët pretendonin se shqiptarët refuzonin të gjitha propozimet e tyre për kompromis. Gjatë verës 1954 u inaugurua programi i bllokut për rivendosjen e marrëdhënieve ekonomike me Jugosllavinë, por marrëveshja tregtare me Shqipërinë u nënshkrua vetëm në maj 1955. Tre ditë më herët ishte krijuar Traktati i Varshavës, me Shqipërinë si anëtare. Në prag të vizitës surprizë të Hrushov e Bulganin në Jugosllavi në maj 1955, marrëdhëniet mes Shqipërisë e BRSS ishin solide. Shqiptarët kishin reaguar ngadalë dhe me hezitim ndaj “kursit të ri” sovjetik të përmirësimit të lidhjeve me Jugosllavinë, por ata nuk ishin të vetëm pasi dhe vende të tjera të Ballkanit kishin reaguar me zor. Marrëdhëniet e bllokut me Jugosllavinë ishin të kufizuara në një rinisje të marrëdhënieve tregtare e diplomatike, si dhe ndalin të fushatës së luftës psikologjike ndaj saj.

Krisjet

Përpjekjet e dukshme për të risjellë Jugosllavinë në bllokun socialist, prej majit 1955 do të nervozonin udhëheqësit shqiptarë dhe do të krijonin një çarje të fshehtë në marrëdhëniet Shqipëri-BRSS, që do të zgjerohej me kalimin e kohës. Në konferencën e partive komuniste në Moskë në 1960, Hrushovi pretendoi se partia shqiptare kishte dhënë aprovimin e saj të shkruar për rikuperimin e komunistëve jugosllavë, në kundër-përgjigje të pretendimit të Hoxhës se shqiptarët nuk ishin konsultuar paraprakisht për planet e Hrushovit drejt Jugosllavisë.

Pretendimi i Hrushov nuk është se hidhte poshtë pretendimin e Hoxhës për rezistencë ndaj vendimit dhe të dyja duket se janë të vërteta, por Shqipëria kishte menduar se riafrimi me Jugosllavinë ishte një projekt afatgjatë ose me taktika që do të zbusnin komunistët jugosllavë për t’u pranuar në Cominform me kushtet e bllokut. Nuk ka mundësi që Hoxha apo Shehu të parashikonin se sovjetikët do të pranonin Jugosllavinë në bllok dhe do të detyronin vendet e tjera të bënin lëvizje që dëmtonin statusin e tyre. Programi i pranuar nga shqiptarët në 1954 me shumë gjasa ishte i tillë që Jugosllavia do të bënte tolerime dhe do të pranonin gabimet e tyre për t’u rikthyer në bllok, dhe jo anasjelltas. Disa zhvillime në verën e vitit 1955 mbështesin pretendimin e Hoxhës. Në një fjalim në Parlament në maj, Hoxha, Shehu e Balluku bënë deklarata të njëjta mbi bisedimet Sovieto-Jugosllave që u kryen në Beograd, duke thënë se bisedimet shërbenin për të forcuar miqësinë mes popujve të BRSS dhe demokracive popullore me Jugosllavinë, dhe që në mënyrë marksiste të rrisnin bashkëpunimin dhe besimin mes partive. Pas largimit nga Beogradi, Hrushovi u takua me liderët bullgarë në Sofje, si dhe me ato rumunë, hungarezë e çekë në Bukuresht, në dy takime ku ishte e dukshme mungesa e liderëve shqiptarë. Hoxha deh Shehu qëndruan në shtëpi duke kryer spastrimet e para të partisë në tre vjet.

Presioni për rehabilitimin e Xoxes

Por nuk ishte vetëm çështja Gega ku liderët sovjetikë po ndërhynin në punët e Brendshme të Shqipërisë, teksa në 7 nëntor 1961 Hoxha tha se udhëheqja sovjetike me anë të M. Suslov dhe P. Pospelov ishte përpjekur të bindte anëtarë të partisë për rehabilitimin e Koçi Xoxes. Hoxha tha se kjo tentativë ishte bërë pikërisht në kohën e konferencës skandaloze bashkiake në prill, ku “elementët oportunistë tentuan të kryenin komplot me nxitjen e drejtpërdrejtë të revizionistëve jugosllavë”. Udhëheqësit shqiptarë me siguri i shikonin këto presioni si përpjekje për përmbysjen e tyre dhe zëvendësimin me njerëz më të pranueshëm për Titon. Për këtë flitej në një artikull të gazetës jugosllave Nova Makedonija më 14 maj 1956, ku raportohej se një ligj i mbështetur nga Shehu ishte rrëzuar dy herë nga parlamenti. Përpjekjet e Hrushovit për të risjellë Jugosllavinë në bllok ishin të qarta, dhe në sytë e udhëheqjes shqiptare ai për këtë ishte i gatshëm të sakrifikonte liderë të tjerë satelitë që kundërshtonin. Prandaj ata menduan se kishte ardhur koha për të gjetur një aleat tjetër më të besueshëm dhe nisën të rrisnin interesin te Kina.

Kongresi i tretë i Partisë, 1956

Duke toleruar sa për të plotësuar kërkesat minimale sovjetike, Kongresi i tretë i partisë më 25 maj vlerësoi vendimet e vlefshme të kongresit sovjetik dhe Shqipëria shprehu solidaritet me vendimet sovjetike për reduktimet e armatimeve, për vendimin leninist të bashkë-ekzistencës paqësore dhe normalizimin e lidhjeve me Jugosllavinë. Por më tej aty u theksua se në Shqipëri nuk do të kishte destalinizim të mëtejshëm dhe as rehabilitim të figurës së Koçi Xoxe. Megjithëse partia pranoi se kishte bërë gabime në vlerësimin e partisë jugosllave, për këtë u fajësuan “makinacionet e Berias” (siç kishin bërë dhe sovjetikët). Hoxha pranoi gjithashtu se në vitet e fundit të jetës Stalini kishte bërë gabime duke zhvilluar kultin e individit që kishte gjetur reflektim dhe në Shqipëri, por tha se partia e kishte trajtuar këtë problem që në takimin e komitetit qendror në 1954. Hoxha foli gjithashtu për spastrimin e Jakovës e Spahiut në 1955 dhe disidencën e hapur që u shfaq në konferencën e Bashkisë së Tiranës në prill 1956. Ai tha se Jakova e Spahiu kishin tentuar të përçanin partinë duke braktisur linjën korrekte marksiste-leniniste, ndërsa konferenca bashkiake e Tiranës ishte depërtuar nga intelektualë të sëmurë dhe klasa borgjeze.

Reagimi i Liri Belishovës

Liri Belishova pranoi në fjalën e saj se shumë intelektualë komunistë ishin marksistë “të papjekur” që flisnin pa përgjegjësi, sidomos pas kongresit sovjetik, me kërkesat e tyre për liberalizëm dhe afrim me ideologjinë e huaj. Ajo pranoi gjithashtu se në parti kishte elementë anti-sovietikë që ankoheshin se shumë po thuhej e përmendej për Bashkimin Sovjetik. Ajo shtoi se po merreshin masa kundër këtyre individëve. Hoxha mbylli fjalimin e tij me pohimin se partia nuk kishte bërë gabime “pasi ka ndjekur korrektësisht linjën e Komitetit Qendror, sepse partia jonë ka qenë gjithmonë korrekte dhe çdo hap i saj është bërë në interes të popullit, sipas eksperiencës së partisë së lavdishme të BRSS”. Për të demonstruar korrektësinë e linjës së saj, Kongresi i Partisë rizgjodhi të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të 1952. Edhe anëtarët e Komitetit Qendror u rizgjodhën, me përjashtim të Jakovës e Spahiut që ishin përjashtuar në 1955, dhe major Ethem Gjinushi që ishte zgjedhur kandidat në 1952.

Zbutja e presionit sovjetik

Megjithëse Moska nuk ishte e kënaqur me paqëndrueshmërinë e udhëheqjes shqiptare, presioni i saj u zbut me nisjen e trazirave në Poznan të Polonisë në fund të qershorit 1956. Më 30 qershor udhëheqja sovjetike dukej e alarmuar dhe lëshoi një deklaratë ku thuhej se borgjezët ndërkombëtarë po përpiqeshin të denonconin komunizmin ndërkombëtar. Reagimi i BRSS ndaj trazirave në Poznan ishte fajësimi i imperialistëve dhe reaksionarëve që po përpiqeshin të përfitonin nga “vështirësitë ekonomike për të nxitur liderët polakë të mos pranonin përgjegjësitë e tyre”. Përballë rritjes së pakënaqësisë publike dhe luftës së brendshme në Hungari, liderët sovjetikë ranë dakord për shkarkimin e Rakosit dhe zëvendësimin e tij me stalinistin konservator Gero. Në fillim të shtatorit partia sovjetike shpërndau një mesazh sekret për drejtuesit e satelitëve, ku kërkohej të mos ndiqnin shembullin e Jugosllavisë duke cituar BRSS si model i korrektësisë. Pas korrikut nuk kishte më presion ndaj udhëheqësve shqiptarë për destalinizim apo tolerime ndaj Titos, por në Shqipëri përsëri ekzistonin frikërat për rinisjen e presionit sovjetiko-jugosllav dhe kjo u përshkallëzua nga këmbimet e vizitave në fund të shtatorit mes Hrushov e Titos. Siç do të deklaronte më vonë Hoxha në konferencën e Moskës: “Përse kishte kaq shumë takime mes Titos e Hrushov në Brioni, dhe asnjë me ne?” Gjatë turneut të tij të famshëm në BRSS në qershor, Tito tha se kishte kërkuar me ngulm largimin e Rakosit dhe kishte shprehur zhgënjim dhe për pasardhësin e tij pasi “Gero nuk ndryshonte shumë nga Rakosi”. Por ai tha se nuk dekurajohej pasi e shihte se “ky nuk është opinioni i të gjithë partisë sovjetike”. Revolucioni hungarez ndryshoi kursin e ngjarjeve në Evropën Lindore dhe i lejoi udhëheqjes shqiptare të forconte disi pozitën e saj drejt Jugosllavisë, duke e fajësuar atë për një pjesë të përgjegjësisë për “kundër-revolucionin hungarez”. Më 8 nëntor në një artikull të Hoxhës në Pravda, pa përmendur drejtpërdrejt Jugosllavinë, ai sulmonte “elementët që kërkojnë të joshin komunistët dhe popujt me sloganet e tyre të ‘socializmit të veçantë’ apo demokracisë pa shpirt proletar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here