Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell në ditët e muajit prill dramën “Salome”, vepër shkruar nga Oscar Wilde. Vepra do të jetë në skenën e teatrit premierë më datë 13 prill dhe vjen me regji nga Carlo Sciaccaluga. Puna për këtë dramë ka nisur prej disa ditësh dhe rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve të njohur, por dhe emrave të rinj të teatrit. Për dramën “Salome”, që do të jetë premierë në teatër aktorja Yllka Mujo vjen në rolin e mbretëreshës, Salome do të interpretohet nga aktorja Ermira Hysaj, Jokanan vjen e interpretuar nga aktori Vin Bejleri për të vijuar dhe me të tjerë emra që regjisori i ka bërë pjesë e kësaj drame. Një nga veprat që ka njohur suksesin në botë dhe në skenën tonë do të vijë nga regjisori Carlo Sciaccaluga, i cili dhe më parë ka qenë me veprat teatrore në këtë teatër. Tragjedia “Salome” është e cilësuar si një nga kryeveprat e Oscar Wilde provokon emocione tronditëse dhe rrënqethëse të një pasioni të pazakontë. Salome, Princesha e Judese, vajza e mbretëreshës Herodia, gruaja e mbretit Herod, i cili vrau vëllain dhe u martua me gruan e tij, dashurohet e fiksohet ndaj profetit Jokanan dhe kur ai e përbuz dhe nuk e pranon, ajo duke shfrytëzuar perversitetin e Herodit që e dëshiron aq shumë Salomenë, i kërkon dhuratë kokën e prerë të Jokananit. Ajo arrin deri aty sa të përkëdhel e puth me një pasion të shfrenuar kokën e prerë të Jokananit sa Herodi tmerrohet dhe urdhëron vrasjen e Salomesë. Vepra “Salome” është vënë në shumë skena të botës nga regjisorë të ndryshëm. Por dhe Ricard Shtraus ka kompozuar një opera me të njëjtin titull. Po ashtu dhe aktori i njohur hollivudian Al Pacino ka realizuar një film të mrekullueshëm, por nuk kanë munguar dhe të tjera projekte me këtë vepër.
Jeta dhe vepra
Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor të vitit 1854 dhe rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo-irlandezë. Gjatë studimeve në Dublin dhe më pas në Oksford, u shfaq si njohës i shkëlqyer i klasikëve dhe që në moshë të re përvetësoi shumë mirë gjuhën frënge dhe atë gjermane. Gjatë kohës në universitet u përfshi edhe në lëvizjen e quajtur esteticizmi. Pasi kreu studimet, shkoi në Londër, që ishte qendër e rretheve shoqërore, kulturore dhe letrare të kohës. Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës. I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890. Për të shprehur më mirë idetë e tij estetike dhe për t’i kombinuar me tema më të gjera sociale, Wilde u fut në rrugën e dramës. Në vitin 1891 boton në Paris dramën “Salome”. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi” (A woman of no importance), “Erashka e zonjës Uindëmiër” (Lady Windermere’s fan), “Një bashkëshort ideal” (An Ideal Husband) dhe atë që konsiderohet si kryevepër, “Rëndësia e të qenët i ndershëm” (The Importance of being Earnest). Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime, ku mund të përmendim “Krimi i lordit Artur Sevilit” dhe histori të tjera, botuar në vitin 1891, apo përralla si “Princi i lumtur” dhe histori të tjera, “Shtëpia e Shegave”.
Nga Julia Vrapi