Projekti i çmendur i Realit të Madridit, ofron 500 mln euro për tre lojtarë

0
387

Reali i Madridit po projekton skuadrën e së ardhmes. Bëhet fjalë për emra shumë të mëdhenj të futbollit botëror, të cilët “Los Blancos” i duan në gjirin e tyre për sezonin tjetër. Skuadra vijon të ketë kapacitete të larta teknike dhe lojtarë të nivelit më të lartë, por grupi duhet freskuar, sidomos në sulm, pasi me largimin e Kristiano Ronaldos reparti ofensiv çalon dhe presidenti Florentino Perez dëshiron të ndërtojë një skuadër që të jetë e aftë të rivalizojë me skuadrat më të fuqishme të kontinentit, por kjo do të mundësohet vetëm pasi të jetë mbyllur sezoni aktual, i cili, siç dihet, ka qenë totalisht i dështuar për “galaktikët”. Për të mundësuar këtë transformim rrënjësor dhe madhështor të Realit, Perez ka vënë në dispozicion 500 milionë euro për të bërë tre goditje të bujshme. Kjo është lëvizja e fundit që vjen nga Reali i Madridit, që ashtu siç është paralajmëruar, pritet që gjatë merkatos së verës të tregohet i papërmbajtshëm. Por cilët janë lojtarët që do shpenzohet 500 milionë euro? Florentino Perez së bashku me Zinedine Zidane kanë vullnetin e plotë për ta rikthyer Realin në një skuadër galaktike. Eden Hazard është në krye të listës, i cili sipas raportimeve, mendohet që ka arritur akordin me drejtuesit los blancos. E vetmja gjë që mund ta pengojë atë të largohet nga “Stamford bridge” është fakti që Çelsit i është hequr e drejta për të zhvilluar merkato, teksa drejtuesit e klubit shpresojnë që të bindin belgun të ndërrojë mendje dhe të rinovojë kontratën. Kampioni i Botës, Pol Pogba është gjithashtu i theksuar në listën e klubit madrilen. Mesfushori nuk ka nguruar ta deklarojë hapur, edhe pse jo në mënyrë direkte, se do t’i pëlqente që një ditë të transferohej në Madrid. Kalimi i francezit duket më se i mundshëm duke patur parasysh edhe vetë dëshirën e kampionit të botës. I fundit, por jo për nga rëndësi është Kilian Mbape. Madje sulmuesi i Paris San Zhermenit qëndron në krye të kësaj liste dhe është objektivi primar i “Los Blancos”. Ditët e fundit rreth së ardhmes së Mbape kanë qarkulluar shumë zëra edhe pse shpesh ka patur përgënjeshtrime, por në Madrid të gjithë janë të bindur për transferimin e tij, madje edhe shtypi francez e jep si të sigurt largimin e tij nga radhët e Parisit. Mbetet të shihet deri në fund të edicionit se si do të variojnë zhvillimet në merkato, pasi Pogbanë nuk e dëshiron vetëm Reali, pro edhe armikja e tij në La Ligan spanjolle, Barcelona, madje katalanasit duket se e kanë arritur akordin paraprak me francezin i cili ka nisur të interesohet për mënyrën e lojës që aplikon Barça. Nga ana tjetër, Mbape është në fokusin e shumë klubeve, sidomos Juventusit, dhe duhet parë se çfarë çmimi (oferte) do të preferojë PSG në lidhje me të. Sa i takon Eden Hazardit, ai e dëshiron me të madhe mbërritjen në Madrid dhe ka deklaruar në media se që i vogël ka besuar se Reali i Madridit është klubi ideal i karrierës së tij.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here