KPK zbardh vendimin për Donika Prelën dhe hap rrugën e ankimimit në Apel, ja pikëpyetjet mbi shmangien e taksave dhe rivlerësimin e pronave

0
414

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Ajo u përball me trupën gjykuese në datën 22 janar të këtij viti, ndërsa në fund KPK vendosi ta konfirmojë në detyrë. Por ky vendim ngjalli reagime dhe ishte deri diku i papritur sepse në seancën dëgjimore për Donika Prelën u renditën disa probleme me pasurinë. Aty u ngritën dyshime për blerjen e një shtëpie dhe të një toke are me çmim më të lirë se të tregut si edhe për shmangien e taksave nga ana e bashkëshortit të saj. Për këto dyshime KPK ka dhënë sqarimet e saj të zgjeruara në vendim, për të justifikuar vendimin. Pavarësisht sqarimeve, vijon të ketë pikëpyetje për pasuritë e kryeprokurores së Krimeve të Rënda dhe tani fati i saj është në dorë të Komisionerit Publik. Sipas ligjit, Komisioneri Publik ka afat 15 ditë që nga data e zbardhjes së vendimit për ta dërguar çështjen tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Komisioneri Publik mund të vihet në lëvizje për të ankimuar vendimin edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili rekomandon apelim. Tani i takon Komisionerit Publik të vendosë nëse vendimi për Prelën do të ankimohet apo jo dhe nëse do të kërkohet shkarkimi i saj në Apel, por duhet theksuar se në pasurinë e saj ka disa gjëra të dyshimta.

Pikëpyetjet mbi pasurinë e Prelës

Problemi i parë i hasur me pasurinë e Donika Prelës është fakti se bashkëshorti i saj për disa vite me radhë nuk ka paguar taksat mbi pagën e marrë si inxhinier pranë një shoqërie ndërtimi. Por KPK ka argumentuar se ai nuk ka patur dijeni që taksat nuk janë paguar dhe se bazuar në kontratën e punës, detyrimi për pagimin e tyre i takon punëdhënësit. Sipas KPK, kjo nuk mund të konsiderohet si një tentativë për të shmangur taksat nga ana e bashkëshortit të Prelës sepse taksat nuk janë paguar as për disa punëtorë të tjerë të shoqërisë. “Në kontratën e lidhur midis z.V. P. dhe shoqërisë është parashikuar paga neto në masën 50,000 lekë në muaj, e cila rezulton se faktikisht është marrë nga zoti P. sipas  marrëdhënies së punës, dhe se pagimi i sigurimeve shoqërore dhe i tatimit mbi të ardhurat ka qenë detyrim për t’u paguar për punëdhënësin, e cila rezultoi se është paguar pjesërisht prej tij. Kjo praktikë rezultoi e ndjekur për të gjithë të punësuarit në shoqëri. Referuar legjislacionit në fuqi z. V. P. nuk mund të paguante personalisht tatimin mbi të ardhurat dhe kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sipas kontratave të punës të datave 20.12.2005 dhe 25.8.2010. Gjatë hetimit u konstatua se shtetasi V. P. ka ndërmarrë hapa ligjorë lidhur me çështjen e mospagesave të taksave në momentin që ka marrë dijeni për këtë fakt”, thuhet në vendim. Po ashtu, KPK shton se mospagimi i taksave nuk është problem sepse legjislacioni tatimor lejon pagimin e tatimit mbi të ardhurat edhe një kohë të mëvonshme.

Problemet me pronat

Pikëpyetje ngrihen edhe për një apartament banimi të blerë më lirë sesa çmimi i tregut. Donika Prela ka deklaruar se blerja me një çmim më të lirë ka ndodhur sepse bashkëshorti i saj punonte tek shoqëria e ndërtimit dhe duke qenë punonjës, ka përfituar ulje. Një sqarim i tillë është pranuar si argument bindës nga KPK. “Apartament banimi me sipërfaqe 95.6 m². Vlera e apartamentit sipas kontratës është 32,100 euro. Ky apartament është rivlerësuar nga subjekti i rivlerësimit në 30.7.2013 në vlerën 9,034,200 lekë. Çmimi ka qenë i tillë për faktin se bashkëshorti i subjektit ka punuar për disa vite në shoqërinë e ndërtimit dhe se kjo shoqëri ka dhënë apartamente me këtë çmim edhe për punonjës të tjerë të saj. Çmimi i referencës është një çmim që aplikohet kur pallati është i përfunduar dhe i regjistruar, ndërkohë që shtëpia është blerë në kohën kur pallati ishte në ndërtim, ende i papërfunduar”, thuhet në vendim. I dyshimtë është edhe një apartament në zonën e plazhit në Durrës, i cili është blerë për 1.400.000 lekë në 2014 dhe është shitur po në atë vit me një çmim shumë herë më të lartë, 4.000.000 lekë. Sipas KPK, edhe për këtë pasuri, bashkëshorti i Donika Prelës ka përfituar ulje për shkak se ishte punonjës i shoqërisë së ndërtimit. “ZVRPP-ja Durrës ka kthyer përgjigje, ku rezulton se shitësi ka shitur një apartament me sipërfaqe njësoj sa pasuria e subjektit të rivlerësimit prej 59.2 m² në vlerën prej 4,455,360 lekë. Pra, çmimi i shitjes së këtij apartamenti (sipas kontratës së porosisë) është ai i tregut. Është kërkuar informacion nga shoqëria ndërtuese, e cila sqaron se çmimi i shitjes është përcaktuar me marrëveshje verbale midis palëve dhe se çmimi është vendosur i tillë për shkak se z. P. ka punuar si inxhinier ndërtimi, drejtues i kantierit për zbatimin e punimeve në objektin ku ndodhet pasuria”, sqarohet në vendim. Edhe për një tokë arë të blerë në Tiranë ka dyshime se është blerë me një çmim më të ulët se të tregut.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here