Vepra “Norm dhe Ahmed” shkruar nga autori Alex Buzo me regji nga Armand Bora do të jetë së shpejti për publikun në skenë te “arTurbina”. “Norm dhe Ahmed” e shkruar për dhunën dhe urrejtjen raciale nga shqiptaro australiani Alex Buzo sjell në role aktorë të njohur dhe të vlerësuar nga publiku në skenën teatrore. Këtë herë regjisori Armand Bora i ka besuar rolet në vepër aktorëve Gert Ferra, Gladiola Harizaj dhe Lulzim Zeqja. Vepra është përkthyer nga Diana Çuli, skena dhe kostumet nga Romeo Çani. Vepra pjesë e sezonit artistik të Teatrit Kombëtar do të jetë në skenë te “arTurbina” mbrëmjet e datave 5, 6, dhe 7 prill. Vepra e shkruar nga autori më 1968 i vendos ngjarjet në Sidnej të Australisë. Një veteran i luftës, Norm, ka një takim me një student pakistanez Ahmed, në një stacion autobusi gjatë një nate. Të dy persona të vetmuar, njëri emigrant dhe tjetri australian, dhe një bisedë ku zhvillohet prezantimi i bindjeve dhe i parimeve të tyre. Regjisori Armand Bora tregon se vepra është një gjini e papërcaktuar dhe ka shumë humor të zi brenda, por ka një fund tragjik. “Vepra është një nga tekstet që ka bërë revolucion në shoqërinë australiane, sepse ka hapur debate dhe diskutime, që shoqëria atëherë i mbante të mbyllura. Kemi një tekst klasik, që studiohet dhe është vënë në shumë vende të botës. Tema është mjaft aktuale, sepse sot ka konflikte të mëdha, ka mesazhe shumë të forta kjo vepër. Është dhe një vepër komode për regjisurën me pak dekore dhe jep dorë për ta zhvilluar”, tregon regjisori Armand Bora. Një autor, i cili është i njohur në botë, por jo tek ne. Kjo është dhe një nga arsyet që regjisori Armand Bora ka nisur punën me këtë pjesë. “Alex Buzo është një autor shqiptar i panjohur për ne me orgjinë nga Berati. I ati ka qenë inxhinier i famshëm ndërtimesh publike. I biri Alex Buzo është nga shkrimtarët më të shquar të Australisë dhe autor i shumë teksteve të teatrove dhe të filmit, por nuk njihet në Shqipëri. Unë pashë në mënyrën se si shkruante, temperamentin mesdhetar të shqiptarit që dallohet shumë. Unë vajta atje dhe vura në skenë veprën “Ata hyjnë pa trokitur”, dhe mendova pse mos ta prezantoj dhe në Shqipëri këtë autor”, tregon regjisori Armand Bora.
Shkrimtari dhe veprat
Alex Buzo është një nga shkrimtarët më të njohur australian. Ai ka lindur në Sydney më 23 Korrik 1944. Shkollimin fillor e kreu në Australi, kurse shkollimin e mesëm në Gjenevë, Zvicër. Ndërkaq, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e New South Wales në Sydney. Alex Buzo botoi dramën e parë, “Norm dhe Ahmed”, që ishte ndër të parët autorë që ngriti diskriminimin e emigrantëve në Australi dhe zgjoi vëmendjen e opinionit publik australian duke vënë në pah problemet e asaj kohe lidhur me emigrantët. Ai është autor i 88 dramave dhe veprave letrar. Veprat e tij janë vënë në skenë në Australi, Angli dhe Amerike dhe sot konsiderohet si një ndër pionierët e Rilindjes së dramës australiane dhe më gjerë të letërsisë anglishtfolëse. Në vitin 1972, Alex Buzo-s iu dha “Medalja e Artë në Letërsi” e Shoqërisë Australiane për dramën e tij “Macquarie”. Alex Buzo në karrierën e vet përfshin shumë gjini letrare, drama dhe romane, skenare filmash, artikuj, intervista në radio si dhe përshkrime udhëtimesh. Ka dhe disa libra mbi sportin, gjuhën dhe teatrin. Shkrimet e tij variojnë mbi një gamë të gjerë subjektesh, ai ka qenë mjaft i kërkuar nga gjithë gazetat, revistat dhe radiostacionet më të famshme australiane. Në vitin 2005, iu dha një dekoratë “Nderi i Shkronjave” në Universitetin e New South Wales për kontributin e tij në letërsinë australiane. Alex Buzo vdiq në Sidnej më 16 gusht të vitit 2006 në moshën 62 vjeçare, pas një beteje gati 5 vjeçare me kancerin. Vepra e tij e fundit është “Legends of the Baggy Green”, e cila i dedikohet sportit të kriketit, një nga pasionet më të mëdha të jetës së këtij shqiptaro-australiani të njohur.
Nga Julia Vrapi